«Ora e Nënës», e Shtuna e Heshtjes
R.Sh. Vatikan
Në fund të Javës së Madhe, ka një ditë që nuk kremtohet. E Shtuna e Madhe nuk ka Eukaristi dhe nuk lajmëron Pashkët. Liturgjia ndalet te varri i Krishtit. Aty brenda është Krishti i vdekur. Gjithçka është e heshtur, gjithçka është e qetë. Nuk është një heshtje simbolike. Është e vërtetë. Koha qëndron pezull, ende e zbrazët.
Një traditë e ruajtur ndër shekuj
Liturgjia e "Orës së Nënës" zhvillohet pikërisht në këtë hapësirë kohore. Zanafilla e saj është bizantine, kur e Shtuna e Madhe karakerizohej nga kremtimi «Orthros» i së Shtunës së Madhe, me «enkómian» e saj – një himn vajtimi rreth epitafit të Krishtit – ku zëri i Marisë shfaqej jo si zë komentues, por si prani e gjallë në mes të zisë. Në kishën latine, kjo traditë është përqafuar shumë më vonë. Nuk është bërë universale, por ka ruajtur një karakter të posaçëm: nuk i shton asgjë rrëfimit të Mundimeve të Krishtit dhe po ashtu nuk parashikon Ringjalljen e Tij.
Nuk flet për një ngjarje por vetëm e mban vështrimin të ngulur te Maria gjatë kohës kur Biri i saj është në varr. Tradita e njeh Marinë këtu jo si një figurë për t’u kundruar me pikëllim, por si një person që nuk tërhiqet edhe atëherë kur çdo shenjë shprese zbehet.
Feja e gjallë kur koha qëndron pezull
E Shtuna e Shenjtë nuk jep asnjë shpresë. Nuk ndodh asgjë që mund ta përforcojë fenë. Besimi nuk gjen ndonjë mbështetje të dukshme.
"Ora e Nënës" e ruan këtë hije kundrimi, sepse ritmi i teksteve nuk e mbush heshtjen, por e ruan atë. Nuk kërkon shpjegime e as nuk ngushëllon. Kjo «orë» është një nga format më të matura të traditës liturgjike: nuk ndërhyn te heshtja, nuk e ndryshon atë. E lë ashtu siç është.
Heshtja dhe e tashmja
Kjo është ndoshta gjëja ëmë e vështirë për t’u pranuar sot. Jetojmë në një botë që përpiqet të mbushë çdo boshllëk, të përkthejë gjithçka në fjalë. E Shtuna e Madhe na paraqet një anë tjetër: nuk na kërkon të kuptojmë, por të qëndrojmë ngultas në fé.
Ka nëna që humbasin fëmijët dhe presin pa marrë përgjigje, një kohë që nuk mbaron, që nuk gjen fjalë. Dhimbja e tyre është e rëndë, nuk shprehet. Ajo mbetet, ashtu siç mbetet Maria, në të njëjtën hapësirë ku fjala ndalet dhe nuk është e mjaftueshme. Në këtë ditë, Nëna e Krishtit përfaqëson të gjithë Kishën dhe kjo Kishë mblidhet rreth saj, duke u bërë si një urë midis vdekjes dhe jetës.
Heshtja
Kjo është arsyeja pse e Shtuna e Madhe nuk mund të interpretohet. Ajo kërkon që të jemi të pranishëm, qoftë edhe për pak kohë. Në një botë që nuk mund ta pranojë zbraztinë, ky qëndrim pezull, të cilin liturgjia e respekton, na jep një mundësi të rrallë: të ndalemi, pa parashikuar atë që do të ndodhë.
Duhet të shpresosh edhe kur të gjitha sprovat e jetës duken se e mohojnë shpresën.