Pashkët, vikarët e Arabisë Veriore e Jugore: lufta nuk do ta ketë fjalën e fundit
R.SH. / Vatikan
"Shpallja e varrit të zbrazët" të Birit të Zotit si "shenjë shprese" ka "një urgjencë të veçantë në kohën tonë". E shkroi këtë Ipeshkvi Aldo Berardi, Vikar Apostolik i Arabisë Veriore (me juridiksion mbi Bahreinin, Kuvajtin, Katarin dhe Arabinë Saudite), në një letër drejtuar besimtarëve për stinën e Pashkëve. Në Lindjen e Mesme, "ndërsa lufta dhe dhuna vazhdojnë, ne vazhdojmë të dëshmojmë realitetin tragjik të shkatërrimit, të zhvendosjes, të vuajtjes. Familjet vajtojnë të vdekurit e jeta njerëzore kërcënohet frikshëm".
Fjalët e Vikarit të Arabisë së Veriut, Berardit
Për këtë arsye, Berardi thekson, pikërisht në këtë çast, se njoftimi i ringjalljes "është para gjithçkaje premtim, që na kujton se vdekja nuk do ta ketë fjalën e fundit". Prandaj...
"Kudo që lufta kërkon të mbjellë vdekjen, të krishterët janë të thirrur të mbjellin jetën! Kudo që urrejtja ndan njerëzit dhe kombet, Ungjilli na thërret për pajtim. Kudo që dëshpërimi kërcënon të mbizotërojë, ringjallja na fton për paqe të ripërtërirë", përfundon ai. E "Pashkët na dërgojnë në një mision".
Lufta në vendet e Gjirit dhe dëshmitë nga Kuvajti
Gjatë luftës ndërmjet SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, vendet e Gjirit vijojnë të jenë në shënjestrën e lëshimeve të raketave dhe dronëve nga Teherani, duke synuar bazat amerikane.
"Ne po merrnim pjesë në një tërheqje më 28 shkurt, kur filloi konflikti - tregojnë Norma dhe Angela nga Kuvajti. Dëgjuam sirenat në ajër dhe tingujt e përgjimeve të pajisjeve. Gjithçka ishte e frikshme. Shpejt zbuluam se vendet e tjera të Gjirit ishin nën sulm. Megjithatë, të paktën në internet, ne ishim në gjendje të vazhdonim, të merrnim pjesë në Meshë, të festonim adhurimin eukaristik, t’i luteshim Mëshirës Hyjnore dhe të vijonim Rruzaren me të rinjtë".
Manifestimet e hirit të Zotit
Në këto kohë të vështira, pohon Sharan, famullitare e Bazilikës së Vogël të Zojës së Arabisë, në Ahmadi, "ne dëshmojmë manifestime të hirit të Zotit". Para së gjithash, "të fuqisë së unitetit: mes pasigurisë, krijuam lidhje kuptimplote të rrënjosura në fe". Sigurisht, kujton ajo në dëshminë e saj, "nuk ishte gjithmonë e mundur që Mesha të kremtohej personalisht; "na u desh ta kompensonim online", por gjatë Javës Shenjte, festimet në bazilikë me siguri do të mbahen, qoftë fizikisht ose nga distanca; ndërsa në Bashkë-Katedralen e Familjes së Shenjtë, Meshët do të kremtohen personalisht.
Letra drejtuar besimtarëve nga Vikari i Arabisë Jugore, Martinelli
Ipeshkvi Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore (me juridiksion edhe mbi Jemenin, Omanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), u dërgoi një letër besimtarëve, në përgatitje për Pashkë, duke i ftuar ta përballojnë Javën Shenjte me përkushtim, durim dhe besim në Krishtin. "E gjithë Lindja e Mesme, shkroi, përfshihet në një konflikt të ndërlikuar e të pashembullt".
Jeta nuk përcaktohet nga kjo luftë
Por "këto ditë, të shënuara nga trishtim i madh, nuk përfaqësojnë fjalën e fundit mbi dhé. Fjala e fundit do të jetë gjithmonë fitorja e dashurisë, e mëshirës së Zotit", nënvizoi me forcë. Pastaj, pasi falënderoi autoritetet civile dhe personelin e sigurisë për mbajtjen e komuniteteve të sigurta dhe kishave të hapura, u kërkoi të gjithëve të respektojnë direktivat lokale gjatë festimeve, duke paralajmëruar se famullitë mund të kenë nevojë të përshtatin oraret e tyre. "Jeta jonë nuk përcaktohet nga kjo luftë; nuk përcaktohet nga e keqja, por nga prania e Krishtit, që ecën me ne”, pohoi në përfundim, duke i ftuar besimtarët ta thonë Rruzaren për paqe çdo ditë.