Presidenca e COMECE në audiencë me Papën Presidenca e COMECE në audiencë me Papën

COMECE: plani për të ardhmen e Evropës, kundër populizmit e luftërave

Presidenca e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit evropian u prit në audiencë nga Papa Leoni XIV. Gjatë takimit, ipeshkvijtë paraqitën propozimin për një botim të ri të 'Rimendimit të Evropës' për vjeshtën e vitit 2027.

R.SH. / Vatikan

"Audienca e sotme ishte veçanërisht e përzemërt, e drejtpërdrejtë dhe e  hapur në çështjet e trajtuara. E tema themelore, harmoni e fortë ndërmjet punës sonë dhe asaj që Papa mëson e dëshmon përmes papnisë së tij, qëndrimeve të tij dhe nismave të tij". Këtë e theksoi Presidenti i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, Ipeshkvi Mariano Crociata, gjatë një konference për shtyp pas audiencës që pati të enjten në mëngjes Presidenca e COMECE-s, me Papën Leoni XIV.

Dobësimi i misionit BE

"Bashkimi Evropian" - deklaroi Imzot Crociata - lind si projekt paqeje - dhe paqen e ka në rrënjët dhe në identitetin e tij. Prandaj është i thirrur të nxisë dialogun ndërmjet vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare, duke nxitur njëkohësisht edhe multilateralizmin, siç e kujtoi shprehimisht Papa". Në të njëjtën kohë, Presidenti i COMECE-së kujtoi se misioni i BE-së, në një botë shumë të polarizuar, "dobësohet nga mungesa e unitetit edhe për shkak të populizmit".

Promovimi i vlerave

Për Imzot Crociatën, "fjalët e Ungjillit dhe mësimi shoqëror i Kishës, të zbatuara në çështjet që na shqetësojnë sot", mbeten themelore. Kjo është pika kryesore, e "mbi këtë - deklaroi - nuk mund të tërhiqemi nga frika, nga rehatia ose, më keq akoma, nga preferencat politike. Detyra jonë shkon përtej përçarjeve, shumicave dhe pakicave: është të promovojmë vlerat në shërbim të njerëzimit dhe të Evropës së sotme". Imzot Crociata theksoi, më pas, se ipeshkvijtë i paraqitën Papës edhe një propozim për të organizuar edicionin e ri të "Rimendimit të Evropës" në vjeshtën e vitit 2027, saktësisht dhjetë vjet pas edicionit të parë, i cili mblodhi rreth 300 pjesëmarrës në Vatikan, duke përfshirë përfaqësues politikë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij, akademikë dhe përfaqësues të kishave. “Ngjarja - shpjegon Imzot Crociata - synon të jetë çast veçanërisht i rëndësishëm reflektimi dhe diskutimi lidhur me sfidat, me të cilat ballafaqohen Evropa dhe bota".

Dialogu dhe bashkëjetesa paqësore

Antoine Hérouard, Ipeshkëv i Dijonit dhe Zëvendëspresident i Parë i COMECE, foli për një ide të Evropës "të themeluar mbi unitetin dhe paqen": "Krijimi i kushteve për të nxitur dialogun dhe bashkëjetesën paqësore është përgjegjësi që shkon përtej normave dhe institucioneve. Evropa, në këtë drejtim, pritet dhe shikohet nga shumë vende dhe kontinente të tjera, veçanërisht në një kohë të tronditur nga luftërat në Evropë e në Lindjen e Mesme. Ky është realitet që, si Kishë, jemi të thirrur ta jetojmë dhe ta dëshmojmë. Ne nuk jemi aktorë politikë dhe nuk ndjekim rezultate politike, por pranojmë se disa parime janë në harmoni me projektin evropian".

Imigrantët dhe populizmi

Vështirësia e emigrantëve ishte në qendër të fjalimit të Ipeshkvit të Kopenhagenit, Czeslaw Kozon, Zëvendëspresident i Ipeshkvijve të BE-së. "Fatkeqësisht, emigrantët shpesh bëhen kurbane, armiq të shoqërisë. Çështja e imigracionit ekziston prej disa dekadash dhe është e njohur mirë, por ajo që duket relativisht e re, është mënyra si e përdor populizmi, duke e shndërruar në një kërcënim të hamendësuar për shumë shoqëri", vëren Imzot Kozon, duke shtuar se "Kisha Katolike, veçanërisht në vendet e Evropës Veriore e në disa raste me shumicë, përbëhet kryesisht, nga emigrantë, të mirëpritur jo vetëm për arsye humanitare, por edhe si pjesë e gjallë e Kishës". Prania e tyre, përfundoi ai, "perceptohet si pasurim: në situata ku disa famulli ishin në rrezik zhdukjeje, mbërritja e emigrantëve solli jetë të re. Prandaj, si Kishë në vendet e Evropës Veriore, kemi të paktën dy arsye për të qenë nga ana e emigrantëve: nga njëra anë, arsye humanitare, nga ana tjetër, arsye thjesht kishtare".

22 maj 2026, 11:05