2026.05.12 Locandina Simposio Tirana Mons. Vladimir Ghika

Imzot Dodaj: I Lumi Vladimir Gjika, princi shqiptar që zgjodhi kryqin e martirizimit

Nga një familje fisnike me rrënjë shqiptare e deri në burgjet e komunizmit rumun, jeta e të Lumit Vladimir Gjika mbetet dëshmi e jashtëzakonshme feje, mëshire dhe qëndrese përballë dhunës së diktaturës. Kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj komenton veprimtarinë e 16 majit në Tiranë, me temë “I Lumi Vladimir Ghika (Gjika), rrënjët – meshtaria – martiri”

R.SH. - Vatikan

Më 16 maj, Kisha Katolike përkujton të Lumin Vladimir Gjika, meshtar e martir të regjimit komunist në Rumani, figurë që i përket jo vetëm historisë së Kishës universale, por edhe kujtesës së popullit shqiptar. Me këtë rast, në Tiranë, në Sallën Kardinal Ernest Simoni pranë Kryeipeshkvisë Metropolite, në orën 18.45, menjëherë pas meshës së orës 18.00, do të mbahet një mbrëmje përkujtimore me projeksion filmi dhe konferencë kushtuar jetës e dëshmisë së tij. Veprimtaria, e organizuar nga Kryedioqeza Metropolite e Bukureshtit dhe ajo e Tiranë-Durrësit, do të mbledhë besimtarë, studiues, diplomatë e njerëz kulture për të kujtuar “të Lumin Mons. Vladimir Ghika (Gjika), rrënjët – meshtaria – martiri”. Kjo, tema e veprimtarisë.

Në takim do të marrin pjesë Sh.T. Imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, Sh.T. Imzot Aurel Percă, kryeipeshkëv i Bukureshtit, ambasadorja e Shqipërisë në Rumani Enkeleda Merkuri, postulatori i çështjes së shenjtërimit, imzot Francisc Ungureanu dhe kancelari i Urdhrave dhe i Medaljeve të Republikës së Shqipërisë, z. Thomas Frashëri, përveç studiuesve të historisë së krishterimit. Mbrëmja do të shoqërohet me një koktej vëllazëror, ndërsa besimtarët do të kenë mundësinë të nderojnë reliket e të Lumit në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Për një koment mbi këtë veprimtari dhe mbi figurën e të Lumit Vladimir Gjika, të dëgjojmë kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodajn…

Imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit
Imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit
Dëgjoni imzot Arjan Dodajn për të Lumin Vladimir Gjika...

I Lumi Vladimir Gjika dhe Shqipëria

Figura e Vladimir Gjikës mbetet e lidhur ngushtë me Shqipërinë. Mendohet se familja e tij fisnike e kishte origjinën nga Përmeti dhe, gjatë shekujve të Perandorisë Osmane, u vendos në Fanar të Kostandinopojës. Gjikajt, të ndihmuar nga pashallarë shqiptarë pranë oborrit të sulltanit, sunduan për vite Moldavinë dhe Vllahinë. Nga kjo derë dolën figura të njohura të kulturës evropiane, si Elena Gjika – Dora d’Istria. Edhe Vladimiri lindi si princ, në një botë privilegjesh e diplomacie, por zgjodhi të jetonte pranë të varfërve.

Ikona e të Lumit Vladimir Gjika
Ikona e të Lumit Vladimir Gjika

Meshtar i botës, apostull i mëshirës

I lindur në Kostandinopojë më 25 dhjetor 1873, Vladimir Gjika u rrit në një familje aristokratike rumuno-shqiptare. Studioi në Francë, në Romë e në Paris, ku njohu nga afër kulturën evropiane, por edhe plagët e njerëzimit. Në vitin 1902 kaloi nga ortodoksia në katolicizëm, i bindur se “të bëhesh katolik do të thotë të jesh ortodoks më i mirë”.

Papa Piu X fillimisht nuk e lejoi të shugurohej meshtar, duke menduar se si laik do të ishte më i dobishëm për dialogun me botën ortodokse. Vetëm në vitin 1923, në moshën 50-vjeçare, u shugurua meshtar në Paris. Që prej asaj dite, jeta e tij mori përmasa universale. U dërgua në Japoni, Australi, Argjentinë, Irlandë e Hungari, mori pjesë në kongrese eukaristike, shkroi libra e artikuj, por mbi të gjitha u bë meshtar i të varfërve.

Në periferi të Parisit jetoi në një barakë, mes njerëzve të harruar nga shoqëria. Ndihmonte refugjatë, të sëmurë, jetimë e të burgosur. Miq të tij qenë Jacques Maritain, Paul Claudel e François Mauriac, por ai ndihej po aq pranë lypsarëve e të përjashtuarve. Besonte se feja nuk kishte kuptim pa mëshirën konkrete për të tjerët.

Imzot Aurel Percă, kryeipeshkëv i Bukureshtit
Imzot Aurel Percă, kryeipeshkëv i Bukureshtit

Martiri i komunizmit, që nuk braktisi Kishën

Kur komunizmi mori pushtetin në Rumani, Vladimir Gjika mund të largohej në Perëndim bashkë me mbretin Mihail. Nuk pranoi. Donte të qëndronte pranë popullit të tij dhe pranë Kishës së persekutuar. Regjimi e konsideronte të rrezikshëm: një princ, intelektual, meshtar katolik dhe mbrojtës i lidhjes me Romën.

Më 18 nëntor 1952 u arrestua nga Sigurimi rumun dhe u dërgua në burgun famëkeq të Zhilavës. Ishte tetëdhjetë vjeç. Hetimet, torturat, izolimi dhe dhuna synonin ta detyronin të mohonte Kishën dhe Papën. Por ai nuk u përkul. Në burg u bë ngushëllim për të burgosurit e tjerë: tregonte histori, lutej, falte persekutuesit dhe u fliste të rinjve për Zotin e shpresën.

Më 16 maj 1954 vdiq pas torturave mizore. Fjala e fundit e jetës së tij ishte dëshmi besnikërie ndaj Krishtit dhe Kishës. Sot, figura e tij mbetet shenjë pajtimi, uniteti e kujtese për popujt, që kanë kaluar përmes diktaturave. Një princ me gjak shqiptar, që zgjodhi të mbretërojë jo me pushtet, por me dashuri dhe flijim.

15 maj 2026, 11:49