Il Papa, il mondo dilaniato da guerre, serve la pace

Këshilli i Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë: Shpallja e ungjillit në hapësira dixhitale, vende pyetjesh dhe shpresash

Përfundoi në Romë takimi i zëdhënësve dhe i zyrtarëve të shtypit të Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë, organizuar nga Konferenca e Ipeshkvijve Italianë (CEI) dhe Universiteti Papnor i Kryqit të Shenjtë. Konferenca, e cila përfshinte specialistë dhe ekspertë të komunikimit, u përqendrua gjithashtu te ndikimi i inteligjencës artificiale, mbarështimi i krizave kishtare dhe përdorimi i mediave sociale nga meshtarët.

R.Sh. / Vatikan

«Kisha në Evropë dhe misioni i saj dixhital» – kjo ishte tema e takimit të zëdhënësve dhe zyrtarëve të shtypit të Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë, organizuar nga Këshilli i Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë (CCEE) dhe që u prit nga Konferenca e Ipeshkvijve Italianë bashkë me Universitetin Papnor të Krygjës Shenjte, nga 5 deri në 7 maj, në Romë.

Përqëndrimi tek njeriu

Seanca u hap me një fjalim nga imzot Gintaras Linas Grušas, kryeipeshkëv i Vilniusit dhe kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, i cili shpjegoi se si komunikimi kishtar duhet ta ruajë përqëndrimin e tij tek njeriu, duke nxitur takimin, besimin dhe bashkimin në vend të polarizimit dhe të përçarjes. Në fund të fundit, kujtoi prelati, bota dixhitale nuk është një gjithësi paralele, por një botë ku banojnë njerëz të vërtetë, me pyetjet, plagët, shpresat dhe dëshirat e tyre.

Imzot Ruiz: Gjetja e kuptimit në hapësirat dixhitale

Edhe seanca e parë e punimeve ishte mjaft e rëndësishme. U hap me një fjalim nga imzot Lucio Adrián Ruiz, Sekretar i Dikasterit për Komunikimin, i cili theksoi faktin se misioni dixhital nuk ka të bëjë thjesht me përdorimin e teknologjisë ose prodhimin e përmbajtjes, por ka të bëjë me mënyrën se si Kisha shpall Ungjillin sot. Kjo ndodh, tha Imzot Ruiz, sepse njerëzit jetojnë, komunikojnë dhe kërkojnë kuptim edhe në hapësirat dixhitale. Dhe Kisha është e thirrur të banojë në këto mjedise, me vërtetësi dhe plot kuptim.

Inteligjenca Artificiale dhe si t’i mbarështojmë krizat

Konferenca gjithashtu krijoi hapësirë ​​të mjaftueshme për të reflektuar mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në komunikimin kishtar dhe për të diskutuar mbarështimin e mediave sociale nga meshtarët dhe si të veprohet në rastet kur ka kriza në komunikim, kur këto lindin në mjedise kishtare.

Takimi i ardhshëm i zëdhënësve dhe zyrtarëve të shtypit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane do të zhvillohet nga 5 deri më 7 maj 2027, në Sofje, Bullgari.

12 maj 2026, 12:37