Shën Françesku i Asizit Shën Françesku i Asizit

Solidariteti, dialogu dhe të rinjtë: Hapet konkursi për çmimin «Françesku, ndërtuesi i paqes».

U çel konkursi dhe pranohen kandidaturat për konkursin e themeluar si pjesë e Festivalit Françeskan dhe të kremtimeve kombëtare për tetëqindvjetorin e vdekjes së Pajtorit të Italisë. Jepet një çmim prej 20,000 eurosh për financimin e projekteve të qytetarisë vepruese dhe bashkëpunimit. Afati i dorëzimit të kërkesave është deri më 20 maj 2026.

R.Sh. / Vatikan

Ishte 15 gusht 1222, kur, në sheshin Piazza Maggiore të Bolonjës plot me njerëz, Shën Françesku i Asizit tha fjalë ndryshimesh rrënjësore. Toma i Splitit, dëshmitar okular i atij fjalimi, shkroi në «Kronikat» e tij se e gjithë përmbajtja e fjalëve të tij kishte për qëllim shuarjen e armiqësive dhe hedhjen e themeleve për një paqe të re. Tash që kanë kaluar më se tetë shekuj, i njëjti shesh vazhdon të jetë skena e një përshpirtërie që nuk kufizohet vetëm në kisha dhe kuvende, por del në rrugë për të dialoguar me të tashmen dhe për të vënë në pikëpyetje të ardhmen. Pikërisht në këtë frymë, «Mofraeventi Emilia Romagna», organizatë jofitimprurëse dhe një ndër organizatoret e Festivalit Françeskan (tani në vitin e tij të tetëmbëdhjetë), njoftoi themelimin e konkursit për çmimit ndërkombëtar “Françesku, Ndërtuesi i Paqes”. Kjo nismë është pjesë e kremtimeve kombëtare për tetëqindvjetorin e vdekjes së Shenjtit Pajtor të Italisë.

Për Ndërtimin e Paqes

Kjo nismë synon të njohë dhe të mbështesë individë, shoqata ose grupe informale që dallohen për angazhimin e tyre në ndërtimin e paqes, në përputhje me vlerat françeskane të vëllazërimit, dialogut dhe ndihmës për më të cënuarit. Çmimi, i cili do të jepet në vitin 2026 dhe 2027, u krijua për të nxjerrë në pah punën e atyre që sot mishërojnë «vogëlsinë» françeskane  –  domethënë kur bëhesh i vogël dhe vepron në skajet e botës, të ekzistencës dhe të kulturës për të shëruar përçarjet shoqërore që në dukje janë të pashërueshme.

Frymëzimi për këtë çmim i ka rrënjët edhe tek fjalët që Papa Leoni XIV i drejtoi Familjes Françeskane, kur tha se se përshëndetja e Shën Françeskun (Paqë dhe mirësi!) nuk është thjesht një gjest ceremonial, por shprehje e mrekullisë së brendshme. Paqja u përkufizua nga Papa si përmbledhja e të gjitha bekimeve të Zotit, një dhuratë që vjen nga Lart, por që, në të njëjtën kohë, kërkon një pjesëmarrje aktive sepse duhet të mirëpritet dhe të përjetohet çdo ditë.

Angazhimi i brezave të rinj

Thirrja është e hapur për të gjithë, me vetëdijen se e mira shpesh lulëzon në heshtjen e organizatave jofitimprurëse, por edhe në veprimet e individëve ose të grupeve të angazhuara në qytetarinë vepruese.

Një kërkesë themelore është angazhimi i brezave të rinj, pasi të rinjtë nën 35 vjeç duhet të marrin pjesë në këtë konkurs si protagonistë aktivë, si nxitës të ndryshimit dhe jo thjesht përfitues pasivë. Për të siguruar vlefshmërinë e propozimeve, projektet që do të paraqiten duhet të kenë qenë aktive për të paktën dymbëdhjetë muaj, duke shfaqur kështu një vazhdimësi qëllimi që e tejkalon entuziazmin kalimtar. Fushat e ndërhyrjes shkojnë nga dialogu në situata konflikti deri te bashkëpunimi vëllazëror midis popujve, duke përfshirë shtyllën themelore të dialogut ndërfetar dhe promovimin e solidaritetit si refuzim të luftës, e cila shihet si mjet sulmi kundër lirisë së popujve të tjerë.

Si mund të marrësh pjesë

Çmimi vlen €20,000, një vlerë monetare që synon të ofrojë «​​frymëmarrje» për projekte të reja që shpesh kanë vështirësi të gjejnë fonde të përgjithshme. Pjesëmarrja në këtë garë mund të bëhet ose përmes kandidaturës vetjake, ose duke paraqitur projekte të palëve të treta, një mekanizëm i projektuar për t'u dhënë zë atyre që punojnë me përulësi dhe në heshtje brenda shoqërisë. E gjithë procedura, pastaj, kërkon plotësimin e një formulari të posaçëm, i cili duhet të nënshkruhet dhe të dërgohet në vjegcën zyrtare deri më 20 maj 2026. Për çdo informacion të mëtejshëm ose sqarim teknik, organizata ka krijuar një rrugë komunikimi të drejtpërdrejtë nëpërmjet email-it: premiopace@festivalfrancescano.it.

Ceremonia

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të jetë një nga pikat kulmore të Festivalit Françeskan 2026, dhe është planifikuar për datat 24-27 shtator, duke e shndërruar edhe një herë Piacën e Madhe të Bolonjës në qendër të reflektimit ndërkombëtar rreth paqes. Në një epokë të shënuar nga shkëmoqja dhe luftrat e reja kudo nëpër botë, kjo nismë përbën një shenjë konkrete shprese, duke na ftuar të mos dorëzohemi dhe të gjejmë marrëveshje të reja paqeje, edhe kur gjendemi në qendër të armiqësive të kohës sonë.

12 maj 2026, 15:16