Tërmet i ri në Venezuelë: 920 të vdekur e 50 mijë të zhdukur, nisin ndihmat ndërkombëtare
Vatican News
Një dridhje e re me magnitudë 4.9 ka trazuar sërish Venezuelën, ndërsa vendi po përpiqet të dalë nga shoku i tërmetit shkatërrues. Bilanci i viktimave është rritur në 920 të vdekur, ndërsa numri i të zhdukurve ka arritur në afërsisht 50.000 — shifra që lënë pa fjalë dhe tregojnë madhësinë e tragjedisë. Në La Guaira, epiqendër e tërmetit, rreth njëqind ndërtesa janë shembur plotësisht. Skuadrat e shpëtimit po punojnë pa pushim nën gërmadha, duke garuar kundër kohës.
Situata politike
Kriza humanitare ka hapur edhe tensione politike: opozita sulmon qeverinë për menaxhimin e emergjencës, ndërsa presidentja Rodríguez u kontestua gjatë një inspektimi në Karakas nga banorë të dëshpëruar dhe të zemëruar.
Ndihma ndërkombëtare
Bota nuk ka mbetur e heshtur. Ndihmat po mbërrijnë nga të gjitha anët: SHBA-ja ka pezulluar sanksionet kundër Venezuelës dhe ka dërguar trupat e Marines për operacionet e shpëtimit. Misioni italian është tashmë në terren me rreth njëqind operatorë të specializuar, të mbërritur mit avionin e parë që u ul në vend. Një mobilizim ndërkombëtar i rrallë, që tregon se përballë tragjedisë njerëzore, kufijtë diplomatikë lëvizin.
Mirënjohja ndaj Papës
Mirënjohja ndaj Papës për ndihmën dhe mbështetjen me dërgimin e 100 mijë eurove; dhimbja për shkatërrimin, pasojat e të cilit ende nuk mund të vlerësohen plotësisht; dhe angazhimi për të çuar përpara një rindërtim që të shoqërojë popullin si në mënyrë konkrete, ashtu edhe shpirtërore. Për këto flet Imzot Raúl Biord Castillo, kryeipeshkvi metropolit i Karakasit, në një lidhje nga kryeqyteti venezuelian me mediat e Vatikanit.
Pranë tij ndodhet Imzot Pablo Modesto González Pérez, ipeshkvi i La Guaira, zonës bregdetare më pak se 30 kilometra nga Karakasi, e cila ka pësuar dëmet dhe humbjet më të rënda njerëzore. Që prej orës 18:00 të së mërkurës, më 24 qershor, në Venezuelë koha duket sikur ka ndaluar: çdo veprim, nga gjumi te ushqimi, zhvillohet pa një ritëm të zakonshëm, ndërsa dy ipeshkvijtë vizitojnë pa ndërprerje zonat më të goditura nga tërmeti.
Universaliteti i Kishës
“Papa – thotë imzot Biord Castillo – më ka shkruar mua dhe gjithashtu Konferencës Ipeshkvnore. Ai ka lexuar mesazhet tona, komunikatat dhe ka parë videot. Ne e falënderojmë sinqerisht Papën, Selinë e Shenjtë, Konferencat Ipeshkvnore dhe Caritas-in. Në këtë moment është e rëndësishme të ndiejmë solidaritetin dhe të ndihemi pjesë e një Kishe universale. Prandaj jemi thellësisht mirënjohës për gjithçka që po marrim.”
Tani do të duhet kohë për të kuptuar se cilat do të jenë projektet prioritare të rindërtimit.
“Krizës ekonomike që po përjeton vendi, borxhit të madh të jashtëm dhe të gjitha vështirësive të tjera, tani i shtohet edhe kjo tragjedi. Do të duhet kohë për të përcaktuar prioritetet e vërteta”.
Pasiguria mbetet e madhe: ende nuk dihet numri i saktë i viktimave dhe i personave të zhdukur, as numri i ndërtesave të shkatërruara. Flitet për më shumë se 300 ndërtesa të shembura plotësisht dhe shumë të tjera të pabanueshme, përfshirë seminare dhe shkolla katolike.
“Falënderimi ynë – përsërit prelati – i shkon Leonit XIV dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Po bëjmë gjithçka që është e mundur për ta shoqëruar popullin tonë në këtë moment të vështirë”.
Zinxhiri i solidaritetit
Imzot Biord Castillo është dëshmitar i drejtpërdrejtë i përpjekjeve të jashtëzakonshme të ekipeve të shpëtimit, të cilat po gërmojnë pa pushim në kërkim të të mbijetuarve, me shpresën që të ndodhë një tjetër “mrekulli”, siç e quan ai, pas shpëtimit të tre vëllezërve që u nxorën të gjallë nga rrënojat e shtëpisë së tyre në La Guaira.
Sipas kryeipeshkvit, ky ishte tërmeti me magnitudën më të lartë i regjistruar ndonjëherë në Venezuelë. Ai përmend edhe ekipet e shpëtimit që kanë mbërritur nga vende të ndryshme si Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, vendet e Amerikës Latine dhe Meksika.
“Shumë njerëz flenë në rrugë dhe në sheshe. Situata është shumë e ndërlikuar dhe në La Guaira është edhe më dramatike: nuk ka energji elektrike, nuk ka ujë dhe ushqimi po fillon të mungojë. Shumë organizata, veçanërisht Kisha Katolike, dioqezat, Caritas-i i Karakasit, Caritas-i venezuelian dhe Caritas-et dioqezane, po bëjnë përpjekje të mëdha për të mbledhur ndihmat e para nëpër famulli, ku njerëzit shkojnë për të marrë qoftë edhe vetëm bukë dhe ujë”.
Në Karakas, të paktën 30 Kisha famullitare janë dëmtuar. Një ekip inxhinierësh po kryen verifikime për të përcaktuar se cilat prej tyre mund të restaurohen dhe cilat jo.
“Fatmirësisht – shton ai – në momentin e tërmetit shumë njerëz ndodheshin në Kishë, sepse kremtohej festa e Shën Gjonit, e cila këtu ka një rëndësi të veçantë. Ata arritën të dilnin në kohë dhe nuk pati të lënduar. Gjithashtu nuk ka viktima mes meshtarëve, seminaristëve, motrave rregulltare dhe diakonëve”.
Rindërtimi i një vendi
Prioriteti në këtë moment, thekson kryeipeshkvi, “është t'u kushtohet vëmendje njerëzve. Është prekëse kur ekipet e shpëtimit arrijnë të shpëtojnë dikë, ashtu siç është tronditëse të shohësh ata që qajnë për humbjen e një njeriu të dashur”.
“Tani është koha të qëndrojmë pranë tyre me lutje, mbështetje shpirtërore dhe solidaritet. Më pas do të vijë koha e rindërtimit: rindërtimi i jetëve, i ndërtesave dhe shkollave, i famullive dhe, mbi të gjitha, rindërtimi i vetë vendit”.