Kardinali Grzegorz Ryś lexon meditimin e tij gjatë Koncistorit të Jashtëzakonshëm në Sallën e Palit VI. (@VaticanMedia) Kardinali Grzegorz Ryś lexon meditimin e tij gjatë Koncistorit të Jashtëzakonshëm në Sallën e Palit VI. (@VaticanMedia)

Kardinali Ryś: Kisha qoftë Samaritan i mirë, pranë plagëve të njeriut të sotëm

Në Koncistorin e jashtëzakonshëm, Kardinali, gjatë "meditimit të tij biblik" në Sallën Pali VI, kujtoi figurën ungjillore të "të huajit" që ndalet për t'u kujdesur për një njeri "viktimë e dhunës", "i grabitur" e "gjysmë i vdekur". Kryeipeshkvi polak: "Të dyja janë shembëlltyrë e botës moderne në të cilën duhet ta shpallim Ungjillin".

Vatican News

Bota në të cilën thirremi për të shpallur Ungjillin, nuk është vend, por është njeri! Madje dy. Njëri është Samaritani i Mirë, protagonisti i shëmbëlltyrës në Ungjillin e Lukës. Tjetri “i afërmi" i tij: njeriu, të cilin "i huaji" ndalet për ta kujdesur. Të dy na përshkruhen thellësisht. Nga secili kemi diçka për të mësuar: plagët, vetminë, vuajtjet dhe shkaqet e tyre nga njëra anë; shqetësimin për t'u përkulur e për t'u kujdesur për to, nga ana tjetër. Ky është kuptimi i meditimit biblik përshkruar në mëngjesin e 26 qershorit, nga Kardinali Grzegorz Ryś, në praninë e Leonit XIV, gjatë punimeve të Koncistorit të Jashtëzakonshëm në Sallën Pali VI, në Vatikan, titulluar "Në cilën botë jemi të thirrur ta shpallim Ungjillin?".

"Viktimë e banditëve", shembëlltyrë e njeriut modern

Kardinali Ryś u frymëzua nga fjalimi i fundit i Koncilit II të Vatikanit nga Papa Pali VI. Duke dashur të përshkruaj "botën moderne", Papa i atëhershëm deklaroi se "historia e lashtë e Samaritanit të Mirë" ishte  model e paradigmë. Kështu, dimensioni botëror reduktohet në individ: "Le të mendojmë për burrin dhe gruan konkrete, duke kujtuar se të dy janë bashkëkrijues të botës dhe përgjegjës për të, dhe se në fund të fundit ata janë 'rruga e parë e themelore e Kishës'", shpjegon Kardinali, duke cituar letrën enciklike të Papës Gjon Pali II, Redemptor Hominis.

Fytyra e parë njerëzore, e përshkruar nga ungjilltari Luka, zbret nga Jerusalemi në Jeriko dhe bie "viktimë e grabitësve". "Të jesh viktimë e dhunës", argumenton Kardinali polak, "sot është përshkrim i pothuajse ne të gjithëve ". Ne, që jetojmë në një "makro-botë" të rrënuar nga 32 luftëra të vazhdueshme. Njeriu i sotëm edhe "vidhet", "zhvishet", "katandiset në skllavëri". Kjo humbje dinjiteti mund të jetë e drejtpërdrejtë - në skllavërinë e vuajtur, për shembull, nga migrantët - ose simbolike dhe "më e sofistikuar": "e shkaktuar nga droga, pornografia, varësitë e të gjitha llojeve dhe madje edhe teknologjitë moderne, siç mëson Magnifica Humanitas".

Për më tepër, Kryeipeshkvi Metropolitan i Krakovit kardinali Ryś argumenton më tej, duke e përshkruar në shëmbëlltyrë viktimën: "ai rrihet e plagoset" dhe "ka nevojë për një spital fushor". Të jesh i plagosur është "diagnoza më e zakonshme sot": disa nga këto lëndime janë të dukshme - trauma fizike, psikologjike ose shpirtërore - të tjerat, "thellësisht të fshehura, që nuk duken kurrë, ndonëse përcaktojnë sjelljen dhe veprimet e një personi". Burri, viktimë e banditëve, është edhe "i lënë pas", domethënë, i vetëm, viktimë e indiferencës, si shumë burra e gra sot. Është "gjysmë i vdekur", jeton në kufijtë e jetës e, në fund të fundit, zhgrrahet në drejtimin "përballë tempullit", domethënë, larg Jerusalemit: pamje, kjo "e shoqërive tona të shekullarizuara perëndimore" ose i shtrembërimeve të fesë, që synojnë "përhapjen e ideve dhe veprimeve absolutisht të huaja për të".

Samaritani i mirë, paradigma tjetër e modernitetit

Ikona tjetër e njeriut të sotëm është "Samaritani i Mirë", një "i huaj, një i panjohur, madje një armik, i trajtuar gjithnjë me dyshim e kujdes". Krishti, thekson Kardinali Riś, na fton të "mësojmë prej tij". "Tani, reflekton kardinali, ne jemi të thirrur të ndërtojmë një spital modern për njeriun e rrahur, t’i njohim të gjitha plagët e tij, por edhe të shkojmë në shkollën e tij e të mësojmë përvujtërisht prej tij, duke dëshiruar të jetë mësuesi ynë". Nga ky njeri, nxjerr përfundimin Kardinali, e kuptojmë çka është "dhembshuria": pikërisht "mëshira dhe bamirësia mund të jenë  vend takimi për Kishën e për botën". Na mëson edhe "afërsinë", "intimitetin", "bujarinë" dhe "përkushtimin".

Pjesa e fundit e reflektimit të Kardinalit Ryś është njëkohësisht analiza e dy figurave të paraqitura nga Ungjilli dhe inkurajimi për të kryer veprën ungjillëzuese brenda këtyre dy përmasave të njerëzimit: "Dy fytyra, të një burri e një gruaje moderne, njerëz të botës së sotme: e edhe të një burri gjysmë të vdekur e të huaj, që na mësojnë se ku është jeta e vërtetë! Të dy janë të rëndësishëm. Të dy janë po aq të vërtetë. Të dy janë kërkues. Në të dy - përfundon Kardinali Ryś - Zoti na thërret ta shpallim Ungjillin në botë".

26 qershor 2026, 14:46