Shën Pjetri dhe Shën Pali: miqësia mes njerëzve të papërsosur që i dhuroi botës Hyjin
Vatican News
Dy fytyra, dy histori, dy jetë, por një zemër e përbashkët, një rrënjë e vetme shenjtërie dhe një mision i vetëm: t’i dëshmojnë botës profecinë e Ungjillit dhe të ndryshojnë historinë. Shën Pjetri dhe Shën Pali, shtyllat e vërteta të Kishës ndër shekuj, nuk mund të mendohen njëri pa tjetrin.
Ata janë fytyra historike e një Kishe të hapur ndaj botës, besnike ndaj misionit të Krishtit të Ngjallur dhe gjithmonë misionare. Por nuk janë vetëm pionierë të ungjillëzimit; ata janë edhe dëshmitarë të një feje të jetuar në miqësi, si shokë udhe që ndanë të njëjtin besim dhe të njëjtin qëllim.
Jeta e tyre tregon marrëdhënien e gjallë mes Zotit dhe njeriut, e cila mishërohet në bashkësinë e atyre që janë thirrur ta shpallin Ungjillin. Të dy ishin njerëz të papërsosur, që gabuan, por pikërisht dobësitë e tyre u bënë vendi ku Hyji veproi dhe i shndërroi në dëshmitarë të mëdhenj të fesë.
Sipas Ungjijve, Pjetri ishte vëllai i Andreut dhe e takoi Jezusin pranë Liqenit të Galilesë, duke e ndjekur deri në fund. Ai shquhej për autoritetin e tij mes apostujve, por edhe për dobësinë njerëzore që e çoi ta mohonte Jezusin gjatë Mundimeve. Megjithatë, u pendua sinqerisht dhe më pas dha jetën si martir për Krishtin e Ngjallur.
Pali, me origjinë nga Tarsi, ishte fillimisht përndjekës i të krishterëve. Gjatë rrugës për në Damask ai pati takimin vendimtar me Krishtin, që e shndërroi rrënjësisht jetën e tij. Pas kthimit, u bë apostulli i kombeve dhe lajmëtari i universalitetit të mesazhit të Krishtit.
Si Pjetri ashtu edhe Pali e vulosën dëshminë e tyre për Jezusin me martirizim në Romë, ndërmjet viteve 64 dhe 67 pas Krishtit, duke lënë një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë Kishën dhe besimtarët në mbarë botën.