Këshilli Pan-Ukrainas i Kishave në Bruksel në mbështetje të procesit të anëtarësimit të Ukrainës në BE
Vatican News
Në delegacion bëjnë pjesë, ndër të tjerë, mitropoliti Epifani i Kievit dhe i Gjithë Ukrainës, Primat i Kishës Ortodokse Ukrainase; imzot Vitali Krivitski, ipeshkëv i Dioqezës Katolike Latine të Kiev-Zhitomirit; dhe imzot Oleksa Petriv, që përfaqëson Kishën Katolike Greke të Ukrainës. Pardje, delegacioni u takua me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin e BE-së Marta Kos. Sipas një deklarate nga Këshilli Pan-Ukrainas, Komisionerja Evropiane foli për hapjen e grupit të parë negociues midis BE-së dhe Ukrainës, theksoi përpjekjet e Ukrainës për t'u mbrojtur kundër agresionit ushtarak rus, trajtoi kërcënimin e propagandës ruse në shtetet kandidate të BE-së dhe theksoi rëndësinë e dialogut me institucionet e shoqërisë civile në këto vende dhe bashkëpunimin për t’i kapërcyer këto sfida.
Përfaqësuesit e Këshillit Pan-Ukrainas i kujtuan Komisioneres së Bashkimit Evropian se populli ukrainas ka zgjedhur rrugën evropiane që nga protestat e Maidanit dhe vunë në dukje se kishat dhe organizatat fetare ukrainase, si pjesë integrale e shoqërisë civile, mbështesin procesin e pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe janë të interesuara të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë që mbështesin këtë kauzë.
Delegacioni u prit gjithashtu edhe në selinë e Këshilli të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (COMECE) nga imzot Kieran O'Reilly, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet Jashtë Bashkimit Evropian, dhe Atë Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm.
"Shkëmbimi," deklaroi Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, "u përqendrua në situatën e tashme në Ukrainë, sfidat me të cilat përballen Kishat dhe bashkësitë fetare në mes të luftës dhe përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të rrënjosur në të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e drejtësisë." Lidhur me hapjen e fundit të negociatave të pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, takimi ofroi gjithashtu edhe mundësinë tjetër për të reflektuar mbi rolin e Ukrainës në familjen evropiane dhe të ardhmen e saj brenda Bashkimit Evropian. Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane ripohoi "apelin e tij drejtuar Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij që të vazhdojnë ta shoqërojnë Ukrainën në rrugën e saj drejt integrimit në BE, duke njohur shpresat, sakrificat dhe angazhimin e popullit të saj në aspiratën e tyre për të qenë pjesë e projektit evropian të paqes".
Më tej, gjatë takimit të delegacionit në Këshillin e Kishave Evropiane (KKE), mitropoliti Epifani i Kievit dhe i Gjithë Ukrainës, Kryetar i Kishës Ortodokse Ukrainase, përshkroi vuajtjet e shkaktuara nga lufta, duke përfshirë sulmet kundër kishave, spitaleve dhe civilëve.
"Ukraina vazhdon të tregojë qëndresë. Kjo luftë nuk është vetëm për Ukrainën, por për Evropën dhe vlerat e saj", tha ai. Ai gjithashtu theksoi situatën në territoret e pushtuara, ku kishat dhe kleri po përballen me persekutime dhe kufizime të lirisë fetare.