Çfarë premton Zoja e Karmelit kujtdo që mban skapularin e saj?
Vatican News
Me rastin e festës së Zojës së Karmelit, që Kisha e kremton më 16 korrik, kujtojmë prejardhjen e skapularit dhe premtimet që lidhen me këtë devocion të lashtë marian.
Prejardhja e skapularit
Sipas traditës karmelitane, skapulari e ka zanafillën në një shfaqje të Zojës së Bekuar para Shën Simon Stockut, në Londër, në vitin 1251. E rrethuar nga një mori engjëjsh, Virgjëra Mari iu shfaq këtij rregulltari të Urdhrit Karmelitan, duke i premtuar mbrojtje të veçantë Urdhrit dhe duke i dorëzuar Skapularin e Karmelit me këto fjalë:
"Merre, biri im shumë i dashur, skapularin e Urdhrit tënd, shenjë e bashkësisë sime me ju, privilegj për ty dhe për të gjithë karmelitanët. Kushdo që do të vdesë duke e mbajtur, nuk do të përjetojë zjarrin e amshuar. Ai është shenjë e shëlbimit, mbrojtje në rreziqe, besëlidhje paqeje dhe premtim i përjetshëm".
Privilegji i së shtunës
Më vonë, Papa Gjoni XXII miratoi me autoritetin e tij devocionin ndaj Skapularit të Karmelit dhe të ashtuquajturin Privilegji i së Shtunës (Privilegium Sabbatinum), duke përmendur këto fjalë që tradita ia atribuon Virgjrës Mari:
"Unë, Nëna e hireve, do të zbres të shtunën pas vdekjes së tyre dhe do t'i liroj nga Purgatori të gjithë ata që ndodhen aty, për t'i udhëhequr drejt malit të shenjtë të jetës së amshuar."
Kushtet
Sipas normave të Kishës, për të marrë pjesë në frytet shpirtërore që lidhen me këtë devocion kërkohen këto kushte:
- të marrësh skapularin nga një meshtar i autorizuar (mjafton një herë gjatë jetës) dhe ta mbash zakonisht;
- të jetosh në pastërti sipas gjendjes së jetës së secilit;
- të lutesh çdo ditë me tri "Të falemi Mari".
Kisha kujton se skapulari nuk është një objekt magjik apo një garanci automatike e shpëtimit, por një shenjë e jashtme e përkushtimit ndaj Virgjërës Mari dhe një thirrje për të jetuar besnikërisht jetën e krishterë, në bashkim me Krishtin dhe sipas frymës së Ungjillit.
Dëshmia e kardinalit Tarancón: një histori mëshire dhe kthimi
Gjatë historisë së Kishës janë rrëfyer shumë ngjarje që besimtarët i kanë parë si dëshmi të besnikërisë së Virgjërës Mari ndaj premtimeve të saj dhe si shenja të dashurisë së saj amtare.
Një prej këtyre dëshmive vjen nga kardinali Vicente Enrique y Tarancón, i cili tregoi një ngjarje të jashtëzakonshme që kishte përjetuar kur ishte ipeshkëv i Solsonës. Ai e përshkroi këtë përvojë në një letër baritore kushtuar Skapularit të Karmelit.
Ishte muaji qershor i vitit 1938. Kishin kaluar vetëm dy muaj që kur forcat kombëtare kishin arritur në brigjet e Mesdheut dhe kishin çliruar famullinë e Vinarozit. Ne mbërritëm atje shtatë ditë pas çlirimit dhe shërbyem në atë famulli për më shumë se pesë vjet.
Një njoftim nga autoritetet ushtarake kërkonte bashkëpunimin tonë për t'u dhënë ndihmë shpirtërore dhjetë të dënuarve me vdekje, të cilët do të ekzekutoheshin në agim. Rreth orës njëmbëdhjetë të natës, të dënuarit hynë në kapelë. Që nga ai çast, ne tre meshtarët që ndodheshim atëherë në Vinaroz filluam të bisedonim me ta, duke u ofruar shpresën e jetës së amshuar, pasi jeta e tyre tokësore dukej se po mbaronte.
Tetë prej tyre pranuan menjëherë të rrëfeheshin. Ata dhanë shenja të dukshme pendese dhe përkushtimi të thellë. Njëri prej tyre, që kishte qenë komisar politik në Ushtrinë e Kuqe, mezi na lejoi t'i afroheshim. Të gjitha përpjekjet tona ishin të kota dhe nuk arritëm ta bindnim të hapte zemrën e tij në rrëfim.
Një i dënuar që nuk pranonte të rrëfehej
Mes të gjithëve ishte një burrë që tërhiqte veçanërisht vëmendjen. Ishte rreth gjashtëdhjetë vjeç, nga La Galera, në provincën e Tarragonës. Ai mbante veshjen e vjetër të fshatarëve katalanas: çorape të bardha dhe pantallona të shkurtra, por mënyra e tij e sjelljes ishte e hijshme dhe fisnike, në kontrast me veshjen e thjeshtë fshatare.
Njëri prej meshtarëve filloi të bisedonte me të, ndërsa ne të tjerët kujdeseshim për të dënuarit e tjerë.
Kur tetë prej tyre ishin rrëfyer dhe unë po bisedoja me disa prej tyre, duke i ngushëlluar në atë çast të tmerrshëm dhe duke mbledhur porositë e tyre për familjet, ndihmësi im m'u afrua dhe më tha me zë të ulët:
— Atë, nuk arrita të marr asgjë prej atij burri. Përse nuk provoni ju?
U afrova tek ai. Më priti me shumë mirësjellje. Folëm gjatë dhe shpejt kuptova se ai ishte një njeri i kulturuar dhe se, për më tepër, kishte pasur një formim të thellë të krishterë.
Këto hollësi më dhanë shpresë dhe më bindën se nuk do të ishte e vështirë ta çoja drejt rrëfimit.
Por zhgënjimi im ishte i madh kur, pas më shumë se gjysmë ore bisede, ai më tha:
— Atë, ju falënderoj sinqerisht për atë që po bëni për mua. E kuptoj se po kaloni një natë të vështirë për shkakun tim, pasi nuk merrni asnjë përfitim nëse unë rrëfehem. Ju jam shumë mirënjohës, por ju lutem, mos këmbëngulni më. Mund t'ju siguroj që nuk do të rrëfehem. Jam edukuar sipas parimeve të krishtera, por e kam humbur fenë.
Për një çast mbeta i habitur dhe pothuajse nuk dija çfarë të përgjigjesha. Por, i frymëzuar pa dyshim nga Virgjëra Mari, guxova ta pyesja:
— A mund të më bëni një nder?
— Çfarëdo që dëshironi — m'u përgjigj ai — për sa kohë nuk më kërkoni të rrëfehem.
Atëherë i thashë:
— A do të më lejonit t'ju vendos skapularin e shenjtë?
Ai u përgjigj:
— Nuk kam asgjë kundër. Këto gjëra nuk kanë ndonjë kuptim për mua, por nëse kjo ju bën të lumtur, mund ta bëni.
"Zoja më shpëtoi": kthimi i një zemre në çastin e fundit
Pasi mori lejen e tij, i vendosa menjëherë skapularin e shenjtë të Karmelit dhe u tërhoqa pak më larg, për t'iu lutur Virgjërës Mari për të.
Ai shkoi dhe u ul në një cep të sallës, në fund të njërës prej bankave që ndodheshin aty. Nuk kishin kaluar ende pesë minuta, kur dëgjova një lloj rënkimi të thellë dhe të qara të forta, të ndërprera nga dhimbja e shpirtit. Zëri i tij më alarmoi.
U ktheva menjëherë në sallë dhe pashë atë burrë që po vinte drejt meje duke qarë pa pushim. Ai u hodh drejt meje dhe, mes lotësh, më tha: "Dua të rrëfehem, dua të rrëfehem. Nuk e meritoj këtë hir të Hyjit. Zoja më shpëtoi".
Përballë habisë dhe emocionit të të gjithë të pranishmëve, ai u rrëfye. Nuk pushoi asnjë çast së derdhuri lot dhe e bëri këtë me një pendesë të thellë e prekëse, që dëshmonte një ndryshim të vërtetë të zemrës.
Ishte një çast i paharrueshëm. Ai njeri, që pak më parë kishte pohuar se e kishte humbur fenë dhe se nuk dëshironte të rrëfehej, tani po përjetonte mëshirën e Zotit dhe po kthehej me besim tek Ai.
Në çastet e fundit, para se t'i çonin në vendin e ekzekutimit, kur u afrova për t'u përshëndetur me ta, ai më përqafoi dhe më puthi, duke më thënë: "Faleminderit, Atë. Faleminderit për të mirën e madhe që më bëtë. Në Parajsë do të lutem për ju. Faleminderit dhe shihemi në Parajsë".
Kardinali Tarancón vazhdon dëshminë e tij duke thënë: "Pranoj sinqerisht se ajo skenë më preku thellë dhe se lotët e mi u bashkuan me lotët e tij, ndërsa falënderoja Zotin për atë mrekulli dhe i shprehja mirënjohjen time Virgjërës Mari, e cila më lejoi të isha dëshmitar i një shfaqjeje kaq të bukur të dashurisë së saj amtare dhe mëshirëplotë".
Kjo dëshmi, e ruajtur në kujtesën e traditës karmelitane, shpreh kuptimin shpirtëror të skapularit: jo si një objekt që vepron në mënyrë automatike, por si një shenjë besimi, një ftesë për t'ia hapur zemrën Hyjit dhe një kujtesë se mëshira e Tij mund ta prekë njeriun edhe në çastet më të errëta të jetës.
Për shumë besimtarë, skapulari i Karmelit mbetet një shenjë e pranisë së Marisë, Nënës që shoqëron bijtë e saj drejt Krishtit dhe i fton gjithmonë të besojnë në fuqinë e hirit dhe të faljes.