Imzot Mariano Crociata, kryetar i COMCE-së Imzot Mariano Crociata, kryetar i COMCE-së

COMECE, strategjia evropiane e sigurisë në shërbim të paqes

Pesë këshillat e ipeshkvijve evropianë për qeveritë dhe institucionet e përfshira në një dokument të botuar më 2 korrik nga Sekretaria e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian. Investimi në diplomaci, bashkëpunim shumëpalësh dhe në të drejtat e njeriut për të arritur paqe të qëndrueshme. Jo, normalizimit të luftës: "Siguria e vërtetë nuk mund të arrihet vetëm me mjete ushtarake"

Vatican News

Kuadri aktual gjeopolitik nuk duhet ta bëjë Evropën të humbasë nga sytë thirrjen e saj origjinale si projekt dhe arkitekturë paqeje. Kuptohet që nga premisa, synimi themelor i dokumentit të COMECE-së (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), botuar më 2 korrik: i kapluar nga konflikti, Kontinenti i Vjetër kërkon me tepër siguri dhe mbrojtje, por "siguria e vërtetë dhe e qëndrueshme nuk mund dhe nuk duhet të arrihet vetëm me mjete ushtarake". Përkundrazi, nevojitet një vizion humanitar, demokratik dhe i orientuar drejt dialogut. Prandaj, ipeshkvijtë evropianë, ndërsa shohin me shqetësim luftën më serioze të kohëve të fundit, agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, duke përmendur edhe kërcënimet e tjera, sulmet kibernetike, terrorizmin, krimin e organizuar dhe erozionin e rendit ndërkombëtar, u kujtojnë me forcë qeverive dhe institucioneve përgjegjësinë dhe detyrimin e tyre ligjor për të mbështetur e për të respektuar Traktatet.

Të mos harrohen rrënjët

Mes rivalitetit gjeopolitik në rritje, "forcimi i aftësive mbrojtëse evropiane është legjitim dhe i nevojshëm", thuhet në tekst, pasi u përgjigjet pritjeve të qytetarëve, që kërkojnë siguri dhe respekt për vlerat themelore të projektit evropian. Por, ka rrezik që militarizimi i tepruar ta bëjë Evropën të humbasë identitetin e saj më të thellë. Për ta parandaluar këtë, "forca duhet përdorur vetëm në raste të jashtëzakonshme, e ushtruar nën kushte të rrepta ligjore dhe etike dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare humanitare". Prandaj, Sekretaria e COMECE-së përvijon në dokument pesë këshilla të dobishme për hartimin e një strategjie të ardhshme për sigurinë, që respekton dinjitetin njerëzor, të drejtat themelore dhe të mirën e përbashkët, të cilat duhet të jenë gjithmonë në qendër të çdo procesi vendimmarrës politik.

Kujdes nga "normalizimi i luftës"

Kisha e Evropës shpreh shqetësim të thellë për fillimin e një ndryshimi kulturor, sipas të cilit lufta mund të mbizotërojë ndaj logjikës diplomatike dhe përgjigjet ushtarake ndaj zgjedhjeve politike. Duke përmendur Papën Leoni XIV, i cili paralajmëron kundër "normalizimit në rritje të luftës dhe garës së ripërtërirë globale të armatimeve", COMECE ngul këmbë për rishikimin e buxheteve të BE-së dhe të Kornizës së ardhshme Financiare Shumëvjeçare. Ndërsa fondet për armatime po rriten, ato për parandalimin e konflikteve po shkurtohen në mënyrë drastike, prandaj, nevojitet një ndryshim radikal në qëndrimin financiar dhe etik. "Është thelbësore të garantohet që investimet në mbrojtje të mos kompromentojnë investimet në fusha themelore për paqen, përfshirë diplomacinë, parandalimin e konflikteve, bashkëpunimin për zhvillim, ndihmën humanitare, si edhe drejtësinë socio-ekonomike dhe ekologjike". Për Kishën, paqja nuk është thjesht mungesë konflikti, por ekosistem, që lulëzon vetëm kur i ka rrënjët në drejtësinë sociale dhe në mbrojtjen e njeriut e të ambientit ku jeton.

Mbrojtja e jetës

Për t'i kthyer këto parime në udhëzime konkrete politike, Sekretaria e COMECE-së ka hartuar pesë rekomandime kryesore për vendimmarrësit në Bruksel: të ruhet paqja si objektiv strategjik; vlerësimi i kërcënimeve të zgjerohet përtej rreziqeve ushtarake; të përforcohet parandalimi i konflikteve dhe puna krijuese për arritjen e paqes; të forcohet kontrolli demokratik dhe përgjegjësia etike; si edhe të përfshihet strategjia e sigurisë brenda një strategjie më të gjerë paqeje. Dokumenti i nxit të gjithë të kujtojnë se "forcimi i mbrojtjes evropiane nuk duhet të shihet si qëllim në vetvete, por si mjet për të mbrojtur jetën njerëzore, vlerat themelore dhe paqen". Edhe komunikimi publik i qeverive duhet të ndryshojë, duke shmangur paraqitjen e shpenzimeve ushtarake si ndonjë nxitës për zhvillimin industrial ose për konkurrencën tregtare.

Siguria njerëzore përtej armëve

Kërcënimet moderne, siç e dimë, nuk vijnë vetëm nga tanket, avionët dhe anijet luftarake. Ipeshkvijtë evropianë bëjnë thirrje për një konceptim gjithëpërfshirës të sigurisë, që integron përmasën mjedisore me atë sociale, pasi, shkruajnë ata, "siguria njerëzore kërcënohet edhe nga varfëria, shpërngulja e detyruar, degradimi mjedisor, ndryshimet klimatike, pandemitë, krimi i organizuar, fragmentimi shoqëror dhe erozioni demokratik".

Parandalimi dhe paralajmërimi i hershëm

Parandalimi i konflikteve të dhunshme mbetet mënyra më e frytshme, më pak e kushtueshme dhe më njerëzore për t'iu përgjigjur krizave pasi ato kanë shpërthyer, shpjegojnë ipeshkvijtë. Prandaj, në përputhje me një raport të kohëve të fundit të Parlamentit Evropian, BE-ja duhet të forcojë ndjeshëm diplomacinë parandaluese, ndërmjetësimin, paralajmërimin e hershëm, arritjen e paqes civile, rindërtimin pas konfliktit dhe pajtimin. Që këtej, thirrja për "krijimtari" në të qenit ndërtues dhe gjeneratorë të paqes, e cila arrihet duke krijuar bashkëpunime ndërmjet shumë protagonistëve e duke përfshirë lëvizjet, grupet dhe bashkësitë fetare. Këto të fundit, pikërisht sepse e njohin mirë terriotrin dhe popullsinë, janë në gjendje të punojnë për pajtimin në mënyrë kapilare.

Kontrolli demokratik

Armët, paralajmërojnë ipeshkvijtë në dokumentin e COMECE-së, nuk janë dhe nuk duhet të trajtohen kurrë si mallra të thjeshta për t’u importuar dhe eksportuar. Prandaj, investimet në fushën e mbrojtjes duhet të shoqërohen me kontroll demokratik, transparencë dhe mbikëqyrje etike, me vëmendje të veçantë ndaj teknologjive në zhvillim, ku përfshihen inteligjenca artificiale dhe sistemet autonome. Duke u bërë jehonë fjalëve të Papës për këto mjete, ipeshkvijtë nënvizojnë se strategjia evropiane e sigurisë nuk mund ta lërë mënjanë "kontrollin rrënjësor njerëzor mbi të gjitha vendimet, që përfshijnë përdorimin e forcës vdekjeprurëse".

Së fundi, strategjia duhet të përfshijë integrimin e mbrojtjes në një kornizë më të gjerë, që lidh si duhet ndihmën humanitare, diplomacinë dhe zhvillimin ekonomik, duke forcuar bashkëpunimin me OKB-në, NATO-n dhe OSBE-në. Vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuohet në rindërtimin e një arkitekture ndërkombëtare të paqes, bazuar në besimin, bashkëpunimin dhe respektin për ligjin. "Siguria dhe paqja", përfundon dokumenti i COMECE-së, "nuk janë objektiva në konkurrencë ndërmjet tyre. Përkundrazi, siguria duhet t'i shërbejë qëllimit të përgjithshëm për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila duhet të udhëheqë vendimet strategjike të Evropës në vitet që vijnë".

06 korrik 2026, 15:04