I Lumi Patriarku Hoyek. Raï: "një Jetë për Zotin, Popullin dhe Atdheun Libanez"
Vatican News
Në praninë e kardinalit Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve dhe përfaqësues i Papës, të shtunën pasdite, më 25 korrik u lartua në nderimin e altarëve Patriarku maronit i Antiokisë dhe i gjithë Lindjes, i cili udhëhoqi Kishën nga viti 1899 deri më 1931.
Në selinë verore patriarkale të Dimanes, në prani të presidentit të Libanit, Joseph Aoun, dhe autoriteteve më të larta të vendit, u kremtua Mesha e lumturimit të patriarkut maronit Elias Boutros Hoyek (1843–1931). Gjatë homelisë, patriarku maronit Bechara Boutros Raï e paraqiti atë si një nga figurat më të shquara të historisë së Libanit, duke vënë në pah shenjtërinë e tij, shërbimin ndaj popullit dhe kontributin vendimtar në ndërtimin e shtetit libanez.
Partiarku Raï theksoi se shenjtëria është dhuratë e Hyjit për ata që jetojnë me besnikëri Ungjillin. Hoyek e vendosi Zotin në qendër të jetës së tij dhe e pa Libanin jo vetëm si shtet, por si një mision, ku njeriu është pasuria më e çmuar. I njohur si “patriarku i të varfërve dhe të shtypurve”, gjatë urisë së madhe të vitit 1916 ai hapi selitë patriarkale dhe manastiret për të uriturit, duke vënë në dispozicion edhe pasuritë e Patriarkanës, me besimin e palëkundur se “Hyji do të kujdeset”.
Patriarku Raï kujtoi edhe rolin e tij vendimtar në krijimin e Libanit të Madh, duke mbrojtur të drejtat e popullit libanez në Konferencën e Paqes në Paris dhe duke kontribuar në formësimin e shtetit modern. Ai vlerësoi gjithashtu vizionin e Hoyek-ut për një Liban të bazuar në bashkëjetesën, pluralizmin dhe respektin për të gjitha bashkësitë fetare e shoqërore.
Në fund, Patriarku Raï nënvizoi veprën baritore të të Lumit, themelues i Kongregatës së Motrave Maronite të Familjes së Shenjtë dhe mbështetës i arsimit, misioneve dhe veprave të mëshirës. Ai e paraqiti jetën e Hoyek-ut si një model të përhershëm: një bari që i shërbeu Hyjit, njeriut dhe atdheut, duke dëshmuar se feja mund të jetë forcë për ndërtimin e shoqërisë dhe të kombit.