PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT-GAZA

Ipeshkvi Shomali: në Gaza, banorët jetojnë në varfëri të madhe

Në një intervistë për Radio Vatikanin / Vatican News, Vikari i Përgjithshëm i Patriarkatit Latin të Jerusalemit, imzot William Shomali, përshkruan krizën e thellë humanitare me të cilën përballen banorët e Gazës, ku mijëra njerëz jetojnë në tenda, mes rrënojave. Por nuk mungon shpresa, së paku për rihapjen e shkollës katolike, që do t’u japë fëmijëve mundësinë të arsimohen

Vatican News

Teorikisht, Gaza është e mbrojtur nga një armëpushim, që hyri në fuqi më 10 tetor 2025. Por vetëm teorikisht, sepse gjatë nëntë muajve të fundit, bastisjet izraelite në territorin palestinez kanë vazhduar pa pushim. Gjatë kësaj periudhe, larg faqeve të para të gazetave dhe ekraneve televizive, tragjedia në Gaza vijoi e vijon. Pikërisht ndërsa është në fuqi armëpushimi, sipas llogarive të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, në Gaza janë vrarë më se 1000 vetë, përfshirë 265 fëmijë. 3.400 të tjerë janë plagosur. Këto shifra konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara, të cilat i përmendën ato në një raport të botuar në fillim të korrikut. Në një intervistë të mediave të Vatikanit me ipeshkvin William Shomali, Vikar të Përgjithshëm dhe Vikar Patriarkal Latin për Jerusalemin dhe Palestinën, ai e përshkruan kështu jetën e përditshme të palestinezëve në Gaza:

Populli i Gazës tani jeton në 47% të saj, sepse izraelitët e kanë pushtuar pjesën tjetër prej 53%. Prandaj, dendësia e popullsisë është bërë shumë e lartë, ndërsa 80% e infrastrukturës është ende e shkatërruar, si për shembull, ndërtesat, por edhe strukturat e ujit e të energjisë elektrike. Shumë shkolla dhe universitete nuk ekzistojnë më. Shumë njerëz, me mijëra, jetojnë në tenda.

  (AFP or licensors)

A mbërrin ndihma humanitare e a është ajo e mjaftueshme sot?

Kur flasim për ndihmë humanitare, kemi parasysh ushqimin, ilaçet dhe gjithçka tjetër të nevojshme për mbijetesën. Personalisht, bëj dallime ndërmjet ushqimit dhe nevojave të tjera. Për shembull, disa ilaçe po mbërrijnë, por jo të gjitha ilaçet e nevojshme dhe sasia është e kufizuar. Gjatë muajve të fundit, ushqimi që hyn në vend importohet nga Izraeli. Më pas, tregtarët e shesin në Gaza. Patriarku Pierbattista Pizzaballa, i cili e vizitoi në qershor, e gjeti tregun më të furnizuar krahasuar me vizitën e tij të mëparshme, pak para Krishtlindjeve. Isha me të në atë moment dhe pashë me sytë e mi se ende kishte shumë pak artikuj ushqimorë në dyqane. Kur them dyqane, dua të them një, ose dy tenda pranë njëra-tjetrës, kaq. Nuk është supermarket. Ka tregtarë, që i zotërojnë këto tenda dhe shesin aty ushqimin.

Dihet se shumë banorë të Gazës tani janë pa punë. Si ia dalin të blejnë ushqime?

Ka shumë punonjës, që punonin dhe paguheshin, veçanërisht ata të punësuar nga qeveria palestineze. Ata, që ishin mësues në shkolla, ose të punësuar në organizata të ndryshme, vazhdojnë të marrin pagat e tyre. Mësuesit tanë vazhdojnë të paguhen. Por tani duhet t'i ndihmojmë të tjerët edhe me para. Më parë, i ndihmonim duke siguruar ushqimin; tani mund t’i ndihmojmë edhe duke u dhënë para që ta blejnë atë ushqim. Këtë po bëjmë me besimtarët, që jetojnë në kompleksin e famullisë latine në Gaza.

  (AFP or licensors)

Duhet të ketë filluar tashmë faza e dytë e planit amerikan të paqes, i cili përfshin çmilitarizimin e Hamasit, nisjen e rindërtimit dhe lirimin e fondeve për këtë qëllim. Në ç’pikë të kësaj faze është Gaza?

Rindërtimi është i lidhur me çmilitarizimin. Por çmilitarizimi - faza e parë - nuk është përfunduar. Hamasi ende ekziston në zonë dhe kontrollon sigurinë në atë hapësirë të banuar nga populli i Gazës. Pra, rindërtimi nuk mund të fillojë. Dua të shtoj se në këtë kuadër, fëmijët nuk kanë çfarë të bëjnë e nuk shkojnë në shkollë. Ata mbledhin dru, gozhda, çdo gjë, që mund të ripërdoret dhe të shitet. Por shtatorin e ardhshëm, ne planifikojmë ta rihapim shkollën tonë në famullinë e Familjes Shenjte. Shpresojmë të jemi në gjendje t’u japim arsimin rreth 1000 fëmijëve. Në këtë mënyrë, ata nuk do të rrinë duarkryq, pa bërë asgjë, në rrugë. Është e rëndësishme që të fillojnë sërish mësimet. Vetëm kështu, do ta harrojnë dalëngadalë tronditjen dhe traumën e luftës.

17 korrik 2026, 11:15