Kryeipeshkvi i Palermos, Imzot Corrado Lorefice Kryeipeshkvi i Palermos, Imzot Corrado Lorefice

Lampedusa: Imzot Lorefice, me Papën migranti vihet në qendër

Imzot Lorefice: Edhe në Lampedusa, ashtu si gjatë vizitës së tij në Spanjë dhe veçanërisht në Ishujt Kanarie, Papa Leoni XIV vjen para së gjithash për të na forcuar në fjalën e Ungjillit. "Ta vendosësh migrantin në qendër do të thotë ta vendosësh Ungjillin në qendër, duke marrë mbi vete lodhjen dhe vuajtjen e të tjerëve, sepse ne jemi ndjekës të Jezu Krishtit, Mesisë, i cili mori mbi vete vuajtjet e njerëzimit".

Vatican News

"Isha i huaj dhe më pranuat”." Vizita e Papa Leonit XIV në Lampedusa, këtë të shtunë më 4 korrik, është "në vazhdën e rrugës së hapur nga Papa Françesku". Kështu shprehet kryeipeshkvi i Palermos, Imzot Corrado Lorefice, president i Komisionit për Migracionin të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI) dhe i Fondacionit Migrantes, duke përshëndetur Atin e Shenjtë në pragun e vizitës së tij baritore në Lampedusa, më 4 korrik, ku do ta shoqërojë personalisht.

"Duke e takuar Papën në Sheshin e Shën Pjetrit – tregon Imzot Lorefice – i thashë: 'Shenjtëri, do të shihemi në Lampedusa'. Para së gjithash, kjo është vizita e Pasardhësit të Pjetrit, ashtu siç bëri edhe Papa Françesku. Ne jemi thirrur të jemi peshkatarë njerëzish; dhe atje ku një burrë apo një grua përpiqet të kalojë detin ose çfarëdo kufiri a muri të ngritur nga njerëzit, ne si Kishë nuk mund të mungojmë."

"Isha i huaj dhe më pranuat; gjithçka që i bëtë më të voglit ndër vëllezërit e mi, ma bëtë mua", kujton Imzot Lorefice, duke cituar fjalët e Ungjillit. Sipas presidentit të Migrantes, kjo vizitë e Leonit XIV është qartësisht në vazhdimësi me atë të vitit 2013, kur Papa Françesku zgjodhi Lampedusën për udhëtimin e tij të parë apostolik dhe shtroi tri pyetjet që mbeten gjithmonë aktuale: "Ku je, Adam? Ku është vëllai yt? Kush ka qarë për ta?". "Kudo që është një njeri që qan dhe kërkon plotësinë e jetës, aty nuk mund të mungojë bashkësia e krishterë, dishepulli i Jezusit", thekson Imzot Lorefice.

Ai shton se edhe në Lampedusa, ashtu si gjatë vizitës së tij në Spanjë dhe veçanërisht në Ishujt Kanarie, Papa Leoni XIV vjen para së gjithash për të na forcuar në fjalën e Ungjillit. "Ta vendosësh migrantin në qendër do të thotë ta vendosësh Ungjillin në qendër, duke marrë mbi vete lodhjen dhe vuajtjen e të tjerëve, sepse ne jemi ndjekës të Jezu Krishtit, Mesisë, i cili mori mbi vete vuajtjet e njerëzimit."

Në përfundim, kryeipeshkvi i Palermos Imzot Lorefice shprehet se Papa "vjen në Lampedusa për të na forcuar në fe" dhe nënvizon se zgjedhja e datës 4 korrik nuk është rastësore: "Ai mund të kishte bërë zgjedhje të tjera, por zgjodhi pikërisht Lampedusën. Papa do të jetë ungjillëzuesi ynë, do të na kujtojë se zemra e Ungjillit është pikërisht kjo dhe do të na ftojë të vazhdojmë rrugën e Ungjillit, që ai të arrijë si Fjalë jete dhe shpëtimi për çdo burrë dhe çdo grua".

02 korrik 2026, 11:54