Medjugorje, akt i rëndë në kishën mariane
Vatican News
Një akt i rëndë vandalizmi ndodhi gjatë natës ndërmjet së hënës dhe së martës në shenjtëroren e Medjugorjes, në Bosnjë-Hercegovinë. Dikush, ende i paidentifikuar, e stërpiku altarin e jashtëm të Famullisë së Shën Jakovit me lëndë djegëse dhe i vuri flakën, duke shkaktuar dëme të mëdha. Pa u kënaqur me kaq, dëmtoi edhe një shtatore të Zojës Mari e, më pas, shkroi edhe shprehje fyese.
Pastrimi dhe riparimi i zonave të dëmtuara
Në një deklaratë, Zyra e famullitare e Medjugorjes njoftoi se ka nisur pastrimin dhe riparimet, që të gjitha zonat të bëheshin edhe një herë të përshtatshme për lutje. Shenjtërorja mbetet e hapur për të gjithë shtegtarët dhe besimtarët, që ftohen t'i përgjigjen kësaj ngjarjeje të trishtueshme me lutje, agjërim e ndjesë.
"Lutemi për kthimin e zemrave të atyre që kryen këtë akt, në mënyrë që Zoti t'i prekë me hirin e Tij dhe t'i udhëheqë në rrugën e mirësisë".
Ta dëshmojmë me jetë dashurinë, faljen e shpresën
Lajmi për aktin vandal u mësua "me keqardhje të madhe", vazhdon deklarata. Më pas i falënderon të gjithë ata të cilët punojnë për të siguruar që shenjtërorja të mbetet vend takimi me Zotin, vend paqeje dhe vend ku nderohet Zoja e Bekuar Maria, Mbretëresha e Paqes.
Përveç agjërimit dhe lutjes, zyra e famullisë ftoi "për paqe në zemrat e të gjithëve", sepse - shtoi - "Zoja jonë na bën thirrje vazhdimisht të jemi mbartës të paqes".
Kështu, kjo ngjarje mund të "na inkurajojë ta marrim edhe më seriozisht thirrjen e Zojës: të mos i përgjigjemi së keqes me të keqe, por ta dëshmojmë me jetën tonë dashurinë, faljen dhe shpresën".