Përshpirtëria e shën Injacit të Lojolës, themeluesit të Jezuitëve
Vatican News
Përshpirtëria e Shën Injacit të Lojolës – Të kërkojmë dhe të gjejmë vullnetin e Hyjit
"E ju, kush thoni se jam unë?" (Mt 16,15)
Çdo shenjt ka një histori. Edhe Shën Injaci i Lojolës nuk lindi shenjt. Ai ishte një njeri me ëndrra, ambicie dhe dëshirë për lavdi njerëzore. I lindur në vitin 1491, në një familje fisnike baske, ai u përgatit për jetën ushtarake. Ishte trim, krenar dhe i etur për nderime. Besimin e kishte trashëguar, por ende nuk e kishte bërë qendrën e jetës së tij.
Hyji, megjithatë, kishte një plan tjetër.
Në betejën e Pamplonës, një predhë topi i plagosi rëndë këmbën. Në një çast u shembën ëndrrat e tij njerëzore. Muajt e gjatë të shtrirë në shtrat, mes dhimbjes dhe vetmisë, u bënë vendi ku Hyji filloi të fliste në zemrën e tij.
Edhe ne shpesh nuk e kuptojmë menjëherë se çfarë po bën Zoti në jetën tonë. Ka plagë, humbje dhe sprova që na duken vetëm si pengesa. Por pikërisht aty mund të fillojë një rrugë e re. Shpesh Hyji na flet më qartë atëherë kur zërat e botës heshtin.
Injaci vuri re se jo çdo mendim e linte me të njëjtën paqe. Kur ëndërronte lavdinë njerëzore, kënaqësia kalonte shpejt dhe zemra mbetej bosh. Kur mendonte të ndiqte Krishtin, ndiente një gëzim që zgjaste dhe një paqe të thellë. Kështu lindi përvoja e dallimit shpirtëror: të mësojmë të dallojmë atë që vjen nga Hyji nga ajo që na largon prej Tij.
Sa e rëndësishme është edhe për ne kjo pyetje: cilat mendime më japin paqe të qëndrueshme? Cilat zgjedhje më afrojnë më shumë me Krishtin?
Pas kthimit të tij, Injaci nuk kërkoi më lavdinë e botës. Ai kërkoi vetëm një gjë: të zbulonte vullnetin e Hyjit dhe ta përmbushte me gjithë zemër. Ai e kuptoi se heroizmi më i madh nuk ishte të fitoje beteja kundër njerëzve, por të fitoje betejën e besnikërisë ndaj Zotit.
Motoja që e udhëhoqi ishte magis – gjithnjë më shumë për lavdinë e Zotit. Jo më shumë për krenarinë personale, por më shumë dashuri, më shumë besnikëri, më shumë shërbim.
Në Manrezë Shën Injaci i Lojolës kaloi një kohë të gjatë lutjeje, pendese dhe pastrimi të zemrës. Aty mësoi se jeta e krishterë nuk është vetëm të bësh gjëra për Zotin, por para së gjithash të lejosh Zotin të të udhëheqë.
Kur dëshironte të qëndronte në Tokën Shenjte, Kisha i kërkoi të kthehej. Nuk ishte ky plani i Hyjit. Injaci nuk u rebelua. Me përvujtëri filloi të studionte, edhe pse ishte tashmë në moshë të rritur. Pikërisht nga kjo bindje ndaj vullnetit të Zotit lindi Shoqëria e Jezusit.
Sa herë edhe ne këmbëngulim në planet tona, pa pyetur nëse janë edhe planet e Hyjit! Injaci na mëson se liria e vërtetë nuk është të bëjmë gjithmonë atë që duam, por të duam atë që Hyji dëshiron për ne.
Në zemër të përshpirtërisë së tij nuk qëndron një Zot i largët, por një Zot mik. Vetë Injaci e përshkruan lutjen si një bisedë plot dashuri me Zotin që është bërë miku ynë. Kjo është zemra e jetës shpirtërore: të jetojmë në miqësi me Krishtin.
Edhe sot Jezusi vazhdon të na bëjë të njëjtën pyetje:
"E ti, kush thua se jam unë?"
Kjo pyetje nuk kërkon një përgjigje të mësuar përmendësh. Nuk mjafton të përsërisim atë që kemi dëgjuar në katekizëm ose në predikime. Jezusi pret përgjigjen tonë personale.
Kush është Ai për mua?
A është vetëm një figurë e historisë? Një mësues? Apo është me të vërtetë Zoti i jetës sime?
Për Injacin, përgjigjja nuk jepej vetëm me fjalë, por me jetën. Çdo vendim, çdo zgjedhje, çdo marrëdhënie dhe çdo shërbim bëhej një mënyrë për t'i thënë Krishtit: "Ti je Zoti im dhe Hyji im."
Në shoqërinë e sotme jetojmë të rrethuar nga shumë zëra që na tërheqin në drejtime të ndryshme. Reklamat, moda, suksesi, pushteti dhe komoditeti shpesh përpiqen të bëhen qendra e jetës sonë. Për këtë arsye mësimi i Shën Injacit mbetet jashtëzakonisht aktual.
Ai na fton të ndalemi, të dëgjojmë zemrën dhe të pyesim:
Çfarë më afron më shumë me Zotin?
Çfarë më sjell paqe të vërtetë?
Cili është hapi që Jezusi më kërkon të bëj sot?
Ku më thërret Ai të shërbej me më shumë dashuri?
Përgjigjja nuk është e njëjtë për të gjithë. Zoti ka një thirrje personale për secilin. Prandaj dallimi shpirtëror është rruga për të zbuluar atë që Hyji dëshiron konkretisht për jetën tonë.
Shën Injaci na kujton se jeta nuk është një seri rastësish. Ajo është një thirrje. Dhe çdo ditë kemi mundësinë t'i përgjigjemi asaj me besnikëri.
Le t'i kërkojmë Zotit hirin që të kemi një zemër të lirë, të aftë të dallojë zërin e Tij dhe guximin për ta ndjekur atë, edhe kur rruga nuk është e lehtë.
Lutje
O Zot, siç e thirre Shën Injacin nëpërmjet plagëve dhe sprovat e jetës së tij,
thirre edhe zemrën tonë.
Na jep dritën për të dalluar vullnetin Tënd,
guximin për ta pranuar dhe besnikërinë për ta jetuar çdo ditë.
Na mëso të të kërkojmë mbi çdo gjë,
të të duam me gjithë zemër
dhe të zgjedhim gjithmonë atë që na afron më shumë me Ty.
Qoftë e gjithë jeta jonë
një përgjigje e dashurisë ndaj pyetjes Tënde:
"E ti, kush thua se jam unë?"
Amen.