Kisha Katolike organizoi një Meshë për refugjatët më 4 korrik në Parroquia de la Purisima Concepción në Nogales, Sonora, Meksikë, në kufirin me Shtetet e Bashkuara. Kisha Katolike organizoi një Meshë për refugjatët më 4 korrik në Parroquia de la Purisima Concepción në Nogales, Sonora, Meksikë, në kufirin me Shtetet e Bashkuara.

SHBA, lehtësimi i kryeipeshkvit Coakley pas vendimit për ius soli

"Fëmijët nuk janë fajtorë për asnjë krim duke lindur në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ky dekret do t'i kishte bërë ata pa shtetësi." Në një intervistë me gazetën Avvenire, presidenti i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Shteteve të Bashkuara komentoi dje vendimin e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të SHBA-së, të cilët e shpallën jokushtetues urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga Trump që shfuqizon parimin ligjor. Masa do të kishte prekur afërsisht 260,000 të mitur çdo vit.

Vatican News

"Fëmijët nuk kanë asnjë faj që lindin në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ai dekret do t'i kishte bërë pa shtetësi". Kështu u shpreh kryeipeshkvi Paul S. Coakley, president i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përshëndetur vendimin e Gjykatës së Lartë amerikane, e cila hodhi poshtë përpjekjen e administratës Trump për të kufizuar parimin e ius soli, të drejtën e fitimit të shtetësisë sipas vendlindjes.

Në një intervistë për të përditshmen italiane Avvenire, imzot Coakley kujtoi se "shtetet sovrane kanë të drejtën të rregullojnë emigracionin, por kanë edhe detyrimin të mbrojnë dinjitetin e çdo personi". Si katolikë, shtoi ai, "feja jonë na detyron të kundërshtojmë ligjet që mohojnë dinjitetin e njeriut dhe dëmtojnë fëmijët e pafajshëm".

Vendimi i gjykatës së lartë

Vendimi i Gjykatës së Lartë, i marrë më 30 qershor me gjashtë vota pro dhe tre kundër, shpalli antikushtetues urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti Donald Trump në fillim të mandatit të tij të dytë. Ky urdhër synonte t'u hiqte shtetësinë automatike fëmijëve të lindur në SHBA nga prindër pa status të rregullt emigracioni ose me vizë të përkohshme.

Sipas vlerësimeve të bazuara në të dhënat e vitit 2023 të Pew Research Center, masa do të kishte prekur rreth 260 mijë fëmijë çdo vit, ose rreth 7 për qind të 3,6 milionë lindjeve vjetore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Administrata Trump e kishte arsyetuar nismën me pretendimin se ius soli nxit emigracionin e parregullt.

"Shtetësia është e drejta për të pasur të drejta"

Argumenti u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë. Kryetari i saj, John Roberts, ritheksoi se Amendamenti i Katërmbëdhjetë i Kushtetutës garanton shtetësinë për "të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre". "Shtetësia është e drejta për të pasur të drejta", deklaroi ai.

Vendimi tregon se, megjithëse Gjykata i ka njohur presidentit Trump hapësirë veprimi në disa fusha, ajo ka vendosur kufij të qartë ndaj nismave më të debatueshme, përfshirë përpjekjen për të shfuqizuar ius soli. Në shumicën që rrëzoi urdhrin ekzekutiv votuan jo vetëm tre gjyqtarët me prirje progresiste, por edhe tre gjyqtarë konservatorë: John Roberts, Amy Coney Barrett dhe Brett Kavanaugh.

Parimi i ius soli buron nga Amendamenti i Katërmbëdhjetë i Kushtetutës amerikane, i ratifikuar në vitin 1868, pas Luftës Civile, për të garantuar shtetësinë dhe të drejtat civile të ish-skllavëve afrikano-amerikanë. Ky parim u përforcua në vitin 1898, kur Gjykata e Lartë, në çështjen United States v. Wong Kim Ark, vendosi se edhe fëmijët e emigrantëve të lindur në territorin amerikan janë shtetas amerikanë që nga lindja.

Emigracioni mbetet në qendër të agjendës së Trump

Presidenti Donald Trump e cilësoi vendimin e Gjykatës së Lartë si "vërtet për të ardhur keq" dhe i bëri thirrje Kongresit të miratojë një ligj të zakonshëm për të shfuqizuar ius soli, duke argumentuar se nuk do të ishte i nevojshëm një ndryshim kushtetues. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe zëvendëspresidenti JD Vance, i cili e quajti vendimin "një gabim të rëndë".

Megjithatë, kjo pengesë nuk pritet të ndryshojë politikën e administratës Trump për emigracionin, një nga temat kryesore të agjendës së Shtëpisë së Bardhë në prag të zgjedhjeve të ndërmjetme. Në një vendim tjetër, Gjykata e Lartë kufizoi kompetencat e gjykatave për të rishikuar vendimet e ekzekutivit lidhur me programin Temporary Protected Status (TPS), duke hapur rrugën për heqjen e mbrojtjes së përkohshme për rreth 350 mijë shtetas haitianë, 6 mijë sirianë dhe potencialisht deri në një milion persona nga vende të tjera.

Po ashtu, një gjykatë apeli lejoi zgjerimin e procedurës së dëbimit të përshpejtuar, pa seancë gjyqësore, për emigrantët që nuk arrijnë të dëshmojnë se kanë qëndruar në SHBA për më shumë se dy vjet. Sipas vlerësimeve, kjo masë mund të prekë rreth 622 mijë persona.

01 korrik 2026, 13:54