Sudani i Jugut Sudani i Jugut

Sudani i Jugut: Ipeshkvijtë bëjnë thirrje për dialog përpara zgjedhjeve

Në përfundim të asamblesë vjetore mbajtur në Juba, ipeshkvinjtë katolikë të Sudanit të Jugut bënë një thirrje të fortë për përgjegjësi politike. Shqetësuese, përpara zgjedhjeve të planifikuara për në dhjetor, janë dështimi për të përfunduar marrëveshjen e paqes të vitit 2018, pasiguria e përhapur dhe një krizë ekonomike që vazhdon të ndikojë rëndë mbi popullsinë.

Vatican News

Thirrje për dialog, pajtim dhe respekt ndaj rendit kushtetues, për të parandaluar që Sudani i Jugut të bjerë në një fazë të re paqëndrueshmërie. Është ky mesazhi i nisur nga ipeshkvijtë katolikë të Provincës Kishtare të Jubës në përfundim të takimit të tyre vjetor, që përfundoi më 17 korrik, në kryeqytet. Në deklaratën e tyre përfundimtare, transmetuar nga Radio Tamazuj, ipeshkvijtë e Sudanit të Jugut shprehën shqetësimin e tyre të thellë për rrugën që çon në zgjedhjet e përgjithshme, planifikuar për 22 dhjetor 2026, duke paralajmëruar se vendi rrezikon një "krizë të afërt kushtetuese dhe kalimtare", pavarësisht nëse votimi zhvillohet - apo shtyhet.

E mira e përbashkët duhet të jetë përparësia

Sipas ipeshkvijve, kjo fazë delikate politike e Sudanit të Jugut kërkon vendime të frymëzuara nga e mira e përbashkët dhe të bazuara në dialog, besim të ndërsjellë dhe qartësi të plotë ligjore. Vetëm një proces zgjedhor i besueshëm dhe i përbashkët mund të përfaqësojë mundësi për unitet kombëtar, në vend që të nxisë përçarje të reja.

Marrëveshja e paqes mbetet pika e referencës

Në mesazhin e tyre, ipeshkvijtë ripohojnë se marrëveshja e vitit 2018 vazhdon të përfaqësojë rekomandimin kryesor për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe të sistemit të qëndrueshëm demokratik. Prandaj i nxisin prijësit politikë të rifillojnë me vendosmëri zbatimin e saj të plotë, duke rivendosur besimin e qytetarëve përmes respektit për institucionet, sundimin e ligjit dhe parimet kushtetuese. Ipeshkvijtë, gjithashtu, njoftojnë botimin e ardhshëm të një letre baritore më të gjerë, kushtuar zgjedhjeve dhe situatës së vendit. Letra synon t'u japë udhëzime besimtarëve dhe të kontribuojë në debatin publik, në një çast vendimtar në historinë e kombit.

Siguria, ende e brishtë

Krahas shqetësimeve institucionale, deklarata i kushton vëmendje të konsiderueshme situatës së keqësuar të sigurisë në Sudanin e Jugut . Ipeshkvijtë denoncojnë dhunën e vazhdueshme ndërkomunale në disa rajone, përplasjet ndërmjet forcave qeveritare dhe grupeve të armatosura të opozitës, si dhe tensionet përgjatë kufirit jugor me Ugandën. Kjo situatë vazhdon të shkaktojë vuajtje tek popullata civile dhe e ndërlikon më tej rrugën drejt paqes të qëndrueshme.

Emergjenca ekonomike dhe klimatike

Situata ekonomike nuk është më pak alarmante. Kisha shpreh afërsinë e saj me miliona sudanezë të Jugut që përballen me zhvlerësimin e vazhdueshëm të monedhës kombëtare, çmimet marramendëse të mallrave kryesore dhe vonesën në pagesën e pagave të sektorit publik, faktorë që e keqësojnë situatën humanitare, tashmë jashtëzakonisht të brishtë. Vështirësive ekonomike u shtohen edhe efektet e ndryshimeve klimatike. Thatësirat, valët e nxehtësisë dhe përmbytjet vazhdojnë të dëmtojnë të korrat dhe sigurinë ushqimore në zona të gjera të Vendit.

Thirrje për unitetin kombëtar

Duke numëruar muajt që çojnë në zgjedhje, ipeshkvijtë, më në fund, u kërkojnë qytetarëve ta flakin tutje dhunën, urrejtjen, tribalizmin, dezinformimin dhe të gjitha format e nxitjes. I ftojnë edhe të rizbulojnë  frymën e vëllazërisë, të respektit të ndërsjellë dhe të solidariteti, duke e ditur se e ardhmja e Sudanit të Jugut varet nga aftësia për t'u ndjerë si  popull i vetëm, me një fat të përbashkët.

Kisha Katolike ripërtrinë kështu angazhimin e saj për të shoqëruar vendin në udhëtimin e vështirë drejt paqes përmes lutjes, udhëzimit moral dhe dialogut konstruktiv, duke besuar se klasa sunduese do ta ketë parasysh këtë thirrje të re, përpara se tensionet politike dhe  shoqërore të rrezikojnë tranzicionin demokratik.

19 korrik 2026, 14:09