Kard. Bokalic: vizita e Leonit XIV, mesazh shprese për Argjentinën
Vatican News
«Për ne është një gëzim i jashtëzakonshëm, sepse populli ynë, populli ynë i thjeshtë, e do Papën. Ka qenë gjithmonë kështu, dhe me të gjithë». Me këto fjalë kardinali Vicente Bokaliç, kryeipeshkëv i Santiago del Estero-s dhe primat i Argjentinës, komenton njoftimin zyrtar, më 5 gusht, për vizitën e Papës Leonit XIV në Argjentinë, në kuadër të udhëtimit të gjatë apostolik në Amerikën Latine.
«Kuptimi i mesazhit që Leoni XIV do t’i lërë kontinentit tonë do t’i referohet me siguri dimensionit shoqëror të fesë», shpjegon kardinali Vicente Bokaliç me origjinë sllovene dhe misionar vincentian, në një intervistë për mediat e Vatikanit.
Angazhimi i të krishterëve
«Ashtu si Françesku», Papa Leoni «angazhohet thellësisht që feja të shfaqet në vepra, të përfshihet në zhvillimin e popullit tonë, në denoncimin profetik të mangësive, mungesave, padrejtësive, vuajtjeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, si edhe të situatës së rëndë të varfërisë që po përhapet në shumë qendra, përballë një politike ekonomike që nuk i përfshin të gjithë në mënyrë të barabartë», thekson kardinalit Bokaliç.
«Papa Leoni do t’i kushtojë rëndësi të madhe angazhimit të krishterë për rendin shoqëror dhe, në këtë kuptim, do të vërë në pah të gjithë çështjen e laikëve, të cilët janë themelorë në ushtrimin e përgjegjësisë për të marrë pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe në fushën e komunikimit, si edhe në gjithçka që lidhet me arritjen e atyre vendeve më të vështira, ku vetë jeta kërcënohet dhe ku shumë njerëz aktualisht përjashtohen nga një jetë me dinjitet».
Një mesazh baritor
Ajo që Papa do t’i sjellë vendit të Amerikës së Jugut do të jetë, sipas kardinalit, «një mesazh baritor, sepse bëhet fjalë për një vizitë baritore dhe apostolike», por «mbi të gjitha, një vizitë në Kishë si bashkësi kishtare».
«Leoni – shton primati i Kishës katolike të Argjentinës – na ka rikujtuar në raste të ndryshme, sidomos gjatë Koncistorëve, vlefshmërinë dhe rëndësinë e Evangelii Gaudium: qendërsinë e kerigmës në rrethanat krejt të veçanta të kohës sonë». Sfida e botës moderne në të cilën jetojmë, vijon ai, është «të rikthehemi tek thelbësorja, tek kerigma, dhe ta paraqesim atë si diçka të gjallë, që tregon rrugën baritore».
Paqe e drejtë
Që në fillim të kësaj papnie, thekson më tej kardinali Bokaliç, «fjala “paqe” është shfaqur me një forcë të madhe si një klithmë e njerëzimit dhe e zemrës njerëzore, si nevoja për një paqe të drejtë që respekton dinjitetin e personit njerëzor». Një paqe që lind nga vëllazëria, solidariteti dhe drejtësia, duke vendosur në qendër më të cenueshmit, më të varfrit e shoqërive tona. «Në fund të fundit, kjo është ajo që përcakton baritoren: njerëzit në qendër, veçanërisht më të pambrojturit dhe më të varfrit».
«Sigurisht – vëren më tej kard. Bokaliç – Papa do të këmbëngulë shumë në këtë pikë dhe do të na lërë materiale mbi të cilat të vazhdojmë të reflektojmë dhe ta thellojmë këtë çështje edhe pas vizitës së tij; një detyrë që u takon të gjithëve, por veçanërisht ipeshkvijve». Ajo që është Papa, ajo që ai dëshmon me jetën e tij, «mund të na ndihmojë në këtë rrugëtim të integrimit në bashkësi, duke u përqendruar te realitetet shoqërore, politike dhe ekonomike të ndriçuara nga Ungjilli, që është Jezu Krishti». «Besoj se këto janë gjithashtu elemente kyçe për t’u përgatitur për vizitën e tij në nëntor», përfundon kardinali Bokaliç.