Atë Basilio Intrieri, murg bazilian, arbëresh Atë Basilio Intrieri, murg bazilian, arbëresh

Atë Basilio Intrieri, një jetë e dhuruar Hyjit, Kishës dhe dijes

Grottaferrata humbet një nga figurat që për më shumë se shtatëdhjetë vjet e lidhi ngushtë jetën e tij me historinë e Abacisë së Shën Nilit. Dje, më 11 gusht, ndërroi jetë Atë Basilio Intrieri, arbëresh, murg bazilian, meshtar, pedagog dhe njeri i kulturës. Ai ishte 93 vjeç. Lajmin e bënë të ditur Imzot Manuel Nin, ekzark apostolik, dhe bashkësia monastike: “Ishte 93 vjeç, 73 prej të cilëve ia kushtoi jetës murgare dhe 67 meshtarisë. E rekomandojmë në lutjet tuaja”.

Vatican News

Më 11 gusht, Zoti e thirri pranë Vetes Atë Basilio Intrierin, jeromonak arbëresh i Manastirit të Shën Marisë së Grottaferratës, në periferi të Romës. Ishte 93 vjeç, prej të cilëve 73 vite ia kishte kushtuar jetës murgare dhe 67 vite meshtarisë. Pothuajse gjithë jetën e tij murgu arbëresh e kaloi në Grottaferratë, pranë manastirit të Shën Nilit që nuk ishte për të vetëm një vend banimi, por një shtëpi shpirtërore, një vend lutjeje, shërbimi dhe takimi të përditshëm me Krishtin.

Në heshtjen e manastirit, Atë Basilio ndërtoi një jetë të rrënjosur thellë në Zotin. Vitet kaluan, brezat ndryshuan, por ai mbeti aty, besnik ndaj thirrjes së marrë nga Zoti dhe ndaj vendit që ishte bërë pjesë e historisë së tij personale e shpirtërore. Jeta e tij murgare ishte një dëshmi e asaj besnikërie të heshtur që nuk kërkon zhurmë, por që, ditë pas dite, bëhet dhuratë për Zotin dhe të tjerët.

Shërbesa e tij nuk u kufizua vetëm në altarin dhe në lutjen monastike. Atë Basilio iu përkushtua edhe formimit të të rinjve, duke qenë për shumë vite profesor i fizikës dhe matematikës dhe më pas drejtues i Liceut “Benedikti XV në Grottaferratë”. Përmes mësimdhënies, ai u përpoq t’u përcillte të rinjve jo vetëm dijen, por edhe vlerën e kërkimit, të disiplinës dhe të së vërtetës.

Për të, dija nuk ishte e ndarë nga feja. Arsyeja dhe besimi mund të ecin së bashku, sepse çdo e vërtetë e kërkuar me sinqeritet e çon njeriun drejt së Vërtetës që është Krishti.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e shërbimit të murgut basilian abrëresh ishte kultura. Si drejtor i Bibliotekës së Monumentit Kombëtar të Grottaferratës, ai kontribuoi në ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë së çmuar historike e kulturore të manastirit të shën Nilit. Përktheu nga greqishja e vjetër e gjuhëve tjera shumë tekste që lidhen me historinë dhe jetën e Grottaferratës, duke ndihmuar që kujtesa e një trashëgimie të pasur të mos humbiste me kalimin e kohës.

Por, përtej detyrave dhe përgjegjësive, ajo që mbetet më e çmuar është dëshmia e një njeriu të përkushtuar ndaj Hyjit. Në një jetë të gjatë meshtarake e murgare, Atë Basilio ishte mbi të gjitha një njeri i lutjes, një njeri që e kishte vendosur Krishtin në qendër të ekzistencës së tij.

Tani, pas 93 vitesh udhëtimi tokësor, ai ka përfunduar shtegtimin e tij. Ajo që për ne është ndarje, për besimtarin është kalim; ajo që duket si fund, në dritën e Ungjillit bëhet hyrje në jetën e amshuar.

Me vdekjen e Atë Basilios, Manastiri i Grottaferratës humbet një nga bijtë e tij të dashur dhe një figurë të çmuar të traditës së tij. Atë Basilio Intrierështë i fundit, në rendin kronologjik, ndër murgjit, jeromonakët dhe arkimandritët e shquar me origjinë arbëreshe që, gjatë dy shekujve të fundit, e kanë nderuar me shërbimin e tyre këtë manastir të njohur kudo në botë për spirtualitetin, traditën murgare kishtare dhe kulturën.

Kështu, emri i tij mbetet i lidhur jo vetëm me historinë e Grottaferratës, por edhe me atë trashëgimi arbëreshe që, përmes fesë, lutjes, kulturës dhe jetës monastike, ka ditur të ruajë ndër breza kujtesën e vet dhe dashurinë për Kishën.

Atë Basilio, ashtu si edhe murgjit e tjerë arbëreshë të Grottaferratës, ishte një njeri i fesë, i kulturës dhe i dialogut. Përmes jetës, lutjes, dijes dhe shërbimit të tij, ai u bë një urë lidhëse ndërmjet traditave të ndryshme kishtare, ndërmjet vendeve dhe popujve. Jeta e tij dëshmonte se besimi nuk ndan, por bashkon; se kultura nuk ndërton mure, por ura; dhe se tradita, kur jetohet me dashuri e përvujtëri, bëhet një dhuratë që i afron njerëzit dhe i pasuron Kishat.

Tani Atë Basilio prehet në duart e Hyjit Atë, të cilit ia kushtoi tërë jetën. Lutja e bashkësisë dhe e të gjithë atyre që e njohën bëhet shoqërimi i fundit i këtij biri të Kishës e të Arbërisë drejt shtëpisë së Amshuar.

Funerali i Atë Basilio Intrierit do të kremtohet të enjten, më 13 gusht, në orën 10:00, në Bazilikën e Grottaferratës, afër Romës.

Bashkësia monastike fton të gjithë ata që e kanë njohur dhe dashur të bashkohen në lutje për shpirtin e tij, me shpresën e krishterë se ai që gjatë gjithë jetës kërkoi fytyrën e Krishtit, tani do të mund ta sodisë Atë në dritën e amshimit.

U prehtë në paqen e Krishtit dhe kujtimi i tij qoftë i bekuar.

nga Domenico Morelli

12 gusht 2026, 17:26