2019.04.07 scienza, tecnologia, pc, computer portatile, caffè, block notes, lavoro

Çelësi i fjalëve të Kishës: dinjiteti i punës në tranzicionin dixhital

Automatizimi, robotika dhe inteligjenca artificiale po e ndryshojnë me shpejtësi botën e punës. Në enciklikën “Magnifica humanitas”, Papa Leoni XIV i kushton rëndësi të veçantë këtyre ndryshimeve. Teknologjia mund të lehtësojë veprimtaritë më të rënda, të përsëritshme, ose të rrezikshme, por nuk është automatikisht sinonim i përparimit njerëzor, vëren Ati i Shenjtë. Ka rrezik që punëtorët të detyrohen t’u përshtaten ritmeve të makinave, në vend që teknologjia të projektohet në shërbim të tyre

Vatican News

Që nga enciklika Rerum novarum, Doktrina Shoqërore e Kishës e ka vendosur punën në qendër të çështjes sociale, duke e njohur atë si «çelësin thelbësor» (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens (14 shtator 1981), 3) për të kuptuar dinjitetin dhe zhvillimin e personit. Punë nuk do të thotë vetëm të sigurosh të ardhura: përmes saj krijohen marrëdhënie, kontribuohet në të mirën e përbashkët, mbështeten familjet dhe vihen në shërbim të të gjithëve aftësitë dhe talentet. Prandaj, ndihmat ekonomike – duke filluar nga ato shtetërore - edhe pse të nevojshme në raste emergjencash, nuk mund ta zëvendësojnë synimin për t’i garantuar çdo njeriu mundësinë për të jetuar me dinjitet përmes punës së tij (shih Papa Françesku, enc. Laudato si’ (24 maj 2015), 128).

Inteligjenca artificiale po e ndryshon punën

Automatizimi, robotika dhe inteligjenca artificiale po e ndryshojnë me shpejtësi botën e punës. Në enciklikën “Magnifica humanitas”, të cilën po e përshkojmë së bashku në emisionet e së enjtes, Papa Leoni XIV i kushton rëndësi të veçantë këtyre ndryshimeve. Teknologjia mund të lehtësojë veprimtaritë më të rënda, të përsëritshme, ose të rrezikshme, por nuk është automatikisht sinonim i përparimit njerëzor, vëren Ati i Shenjtë. Ka rrezik që punëtorët të detyrohen t’u përshtaten ritmeve të makinave, në vend që teknologjia të projektohet në shërbim të tyre. Ky është skenari, që do të shqyrtojmë në emisionin e sotëm. Në këtë skenar, IA mund «t’i skualifikojë punëtorët», të shtojë mbikëqyrjen, duke e bërë të tepruar dhe, ta shndërrojë punën në një varg detyrash të ngurta e të përsëritura (Dikasteri për Doktrinën e Fesë – Dikasteri për Kulturën dhe Edukimin, Nota Antiqua et nova (14 janar 2025), 67). Sfida është, pra, të projektohen inovacione, që vendosin njeriun në qendër dhe jo vetëm produktivitetin e tij.

Papunësia dhe pabarazitë e reja

Transformimi dixhital e vë në pah sërish me forcë problemin e papunësisë, të cilin Shën Gjon Pali II e pati cilësuar si një të keqe të rëndë shoqërore (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens (14 shtator 1981), 18). Nëse inovacioni synon kryesisht uljen e kostove dhe rritjen e fitimeve, ka rrezik që vendet e punës të shkurtohen me shpejtësi, me pasoja për familjet, të rinjtë dhe ekonomitë lokale. Kështu, mund të thellohet hendeku ndërmjet një pakice shumë të specializuar dhe të mirëpaguar dhe shumicës, që përballet me paga të ulta dhe me pasiguri në rritje.

Për më tepër, tranzicioni nuk është i njëjtë kudo. Ekonomitë më të pasura po ecin me shpejtësi drejt automatizimit, ndërsa rajone të tjera mbeten të bllokuara ndërmjet rinovimit të pjesshëm teknologjik dhe punës njerëzore të nënpaguar. Prandaj, nevojiten përgjigje kombëtare dhe lokale, në gjendje për t’iu përshtatur realiteteve të ndryshme.

E drejta për punë për të gjithë

Puna është shumë më tepër se një mjet për të siguruar jetesën: ajo është një hapësirë përgjegjësie, marrëdhëniesh dhe pjesëmarrjeje në bashkësi. Një shoqëri, që i jep punë vetëm një pakice, ka rrezik të kalojë nëpër një paradoks: përparim i madh teknologjik i shoqëruar me një regres të thellë njerëzor dhe shoqëror. Për këtë arsye, mundësia për punë duhet të mbetet «objektiv parësor i politikave publike» (Papa Benedikti XVI, enc. Caritas in veritate (29 qershor 2009), 32) dhe kriter për të vlerësuar cilësinë e çdo modeli zhvillimi.

Të orientohet transformimi

Përballë revolucionit dixhital nuk mjafton të ndërhyhet pasi vendet e punës janë zhdukur. Duhet të parashikohet dhe të orientohet ndryshimi përmes rregullave të përbashkëta, me përfshirjen e institucioneve, të sindikatave, të sipërmarrjeve dhe të komunitetit shkencor (Papa Benedikti XVI, enc. Caritas in veritate (29 qershor 2009), 64). Çdo proces automatizimi duhet të shoqërohet me masa për mbrojtjen e punësimit, formimin e vazhdueshëm, rikualifikimin dhe pjesëmarrjen e punëtorëve.

Përgjegjësia e firmave të ndryshme duhet të përfshijë edhe cilësinë e dinjitetin e punës. Vetëm në këto kushte inovacioni mund të bëhet aleat i njeriut, duke liruar kohë dhe aftësi krijuese për të. Përndryshe, teknologjia ka rrezik të shndërrohet nga mjet përparimi në përshpejtues të ri të pabarazive.

20 gusht 2026, 09:43