Çelësi i fjalëve të Kishës: e vërteta dhe demokracia në epokën e IA-së
Vatican News
Pasi skicon horizontin në të cilin vendoset sfida e shndërrimit teknologjik, në veçanti ajo e lidhur me IA dhe me rrymat transhumaniste e posthumaniste, Papa Leoni XIV, në enciklikën e tij “Magnifica Humanitas” – argument i këtyre emisioneve të së enjtes - nuk mbetet vetëm në nivelin e analizave të përgjithshme. Kur ndryshojnë gjuhët dhe mjetet, ndryshojnë edhe gjestet e përditshme dhe marrëdhëniet shoqërore. Prandaj, ai ndalet në disa fusha ku këto shndërrime kanë pasoja shumë konkrete, nganjëherë dramatike. Në dritën e parimeve të Doktrinës Shoqërore të Kishës, shndërrimi dixhital na kërkon të rizbulojmë të vërtetën si të mirë të përbashkët, të mbrojmë dinjitetin e punës dhe të ruajmë lirinë kundër çdo varësie dhe tregtimi.
E vërteta si e mirë e përbashkët
Pikërisht, e vërteta si e mirë e përbashkët është argumenti i emisionit të sotëm. Përdorimi i platformave dixhitale dhe i sistemeve të IA-së i përshpejton ndryshimet e thella në komunikimin publik dhe politik. Mjete që mund të favorizonin ballafaqimin dhe pjesëmarrjen përdoren shpesh për të krijuar rrëfime të shtrembëruara dhe për t’i ngatërruar kufijtë mes së vërtetës dhe së rremes, duke përzier të dhëna dhe opinione. Dezinformimi nuk lind me IA, por sot gjen në të një shumëzues të fuqishëm. Mundësia për të manipuluar përmbajtje, imazhe dhe filmime i ekspozon njerëzit ndaj perspektivave mashtruese.
Ata që zotërojnë burime të fuqishme teknike dhe ekonomike dhe, bashkë me to, edhe shumë burime njerëzore, kanë mundësi më të mëdha për të shkaktuar ndryshime kulturore dhe, në analizë të fundit, për të bindur një numër të madh personash se cila është e vërteta mbi qenien njerëzore, mbi botën, mbi kuptimin e ekzistencës, mbi familjen, madje edhe mbi Hyjin. Ky është pushtet, që imponon të vërtetën e vet. Pas gjithë kësaj, kemi një bazë të sëmurë, që shihet me vështirësi: faktin se «njeriu modern është gabimisht i bindur se është autori i vetëm i vetvetes, i jetës së vet dhe i shoqërisë». Prandaj, ai mendon se mund ta ndërtojë realitetin dhe se vlen vetëm ai realitet, që ai e krijon. Pasoja e kësaj është se njeriu nuk pranon më të vërteta universalisht të vlefshme, që na paraprijnë. Kjo e ka shtyrë Papa Françeskun të pyesë me realizëm: «Çfarë është ligji pa bindjen e arritur përmes një rruge të gjatë reflektimi dhe urtie, se çdo qenie njerëzore është e shenjtë dhe e pacënueshme?», dhe të përfundojë: «Që një shoqëri të ketë të ardhme, është e nevojshme që të ketë arritur respektin për të vërtetën e dinjitetit njerëzor, të cilit i nënshtrohemi. Atëherë nuk do të përmbahemi nga vrasja e dikujt vetëm për të shmangur përbuzjen shoqërore dhe peshën e ligjit, por sepse jemi të bindur se vrasja nuk duhet bërë. Është një e vërtetë e patjetërsueshme, që na e kupton arsyeja dhe na e pranon ndërgjegjia”.
Element themelor për demokracinë
Kërkimi i së vërtetës është element themelor për demokracinë, e cila është vetë një mjet pjesëmarrjeje në të mirën e përbashkët. Kur pyetja mbi atë që është e vërtetë e humb interesin dhe fiton terren një pragmatizëm, që mjaftohet me çka duket e dobishme ose e efektshme, jeta demokratike dobësohet. Mosinteresimi për të vërtetën çon ngadalë, por në mënyrë të pashmangshme, drejt rrëshqitjes në totalitarizëm, për të cilin, siç ka shkruar filozofja Hannah Arendt, nënshtetasit idealë nuk janë edhe aq njerëzit ideologjikisht të bindur, por «njerëzit për të cilët dallimi mes faktit dhe trillimit dhe dallimi ndërmjet së vërtetës dhe së rremes nuk ekziston më».
Komunikimi dhe imagjinata kolektive
Në këtë horizont, ka rëndësi të kujtojmë se komunikimi «nuk është vetëm transmetim informacioni, por krijim i kulturës». Përmbajtjet që qarkullojnë në ambientet dixhitale ndikojnë në mënyrën e perceptimit të botës dhe fusin në ndërgjegjen kolektive imazhe dhe rrëfime, që orientojnë dëshirat dhe ndikojnë mbi vendimet e përditshme. «Nuk është një botë paralele, ose thjesht virtuale», thekson Papa Leoni XIV, sepse ajo që lind në rrjet bëhet pjesë e jetës së njerëzve, sidomos e më të rinjve.
Prandaj, kush kontrollon platformat dixhitale dhe mjetet e komunikimit ka mundësi të ndikojë mbi imagjinatën kolektive, për ta paraqitur si të dëshirueshëm një vizion të caktuar të realitetit. Është një pushtet, që duhet shndritur vazhdimisht nga kërkimi i së vërtetës dhe nga respektimi i dinjitetit njerëzor, që kultura e lindur në rrjet të mos bëhet mjet përhumbjeje, standardizimi dhe sundimi, por hapësirë ku mund të maturohet liria e brendshme dhe mendimi kritik.