Çelësi i fjalëve të Kishës: edukimi në epokën dixhitale
Vatican News
Si ndikon Inteligjenca Artificiale në fushën e edukimit e të arsimit? Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjemi në emisionin e sotëm, gjithnjë duke u bazuar në enciklikën “Magnifica humanitas” të Papës Leoni XIV, e fundit në aradhen e gjatë të dokumenteve të Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike. Përhapja e mediave dixhitale dhe e inteligjencës artificiale krijon një kulturë, e cila i pretendon gjërat menjëherë, ushqen apatinë dhe mbetjen në sipërfaqen e gjërave e të fenomeneve. Por, në të kundërt me këtë, proceset edukative kërkojnë kohë, durim dhe guximin për të “agjëruar” nga makina “e përsosur” dixhitale, që të stimulohet mendimi njerëzor dhe dëshira për të bërë pyetje: «Gjërat më të thella dhe më të rëndësishme mësohen vetëm pas një kohe të gjatë dhe me shumë mundim» (shih Platoni, Letra VII, 344b-c: ed. Souilhé, XIII/1, Paris 1931 ( CUF, Série grecque 63), 54).
Rreziqet dhe problemet e të miturve në internet
Një ekspozim i hershëm ndaj pajisjeve dixhitale dhe rrjeteve sociale, në moshë të njomë, pa ndihmën e më të rriturve, mund të komprometojë gjumin, vëmendjen dhe ekuilibrin emocional. Të rinjtë mund të kenë probleme, pasi shohin pa kontroll përmbajtje të dhunshme, pornografike, ose janë objekt i rreziqeve si kiberbullizmi, izolimi dhe tërheqja në ngjarje, ose shoqata të paligjshme online, të cilat bëhen edhe më tinëzare nga algoritmet dhe mjetet e IA-së manipuluese.
Aleanca edukative ndërmjet familjeve, politikës dhe institucioneve
Për të luftuar modelet tregtare, që monetizojnë kohën e të miturve, është e domosdoshme një aleancë konkrete ndërmjet politikës, shkollave dhe familjeve, kërkon Papa Leoni XIV në enciklikën “Magnifica humanitas”. Ati i Shenjtë nënvizon se nevojiten ndërhyrje legjislative largpamëse, që vendosin kufij për moshën në përdorimin e rrjeteve sociale e të platformave të tjera në internet; i bëjnë përgjegjës furnizuesit e këtyre shërbimeve dhe mbrojnë fëmijërinë, duke edukuar njëkohësisht të rinjtë që t’i njohin manipulimet dhe të mbrojnë dinjitetin e tyre (shih “Fjalimin për pjesëmarrësit e Konferencës ‘Dinjiteti i fëmijëve dhe i adoleshentëve në epokën e Inteligjencës Artificiale’” (13 nëntor 2025): L’Osservatore Romano).
Roli qendror i shkollës dhe e drejta e prindërve
Shkolla përfaqëson vendin themelor për ta kërkuar dhe për ta dashur të vërtetën, duke iu përgjigjur pritshmërive të mëdha të prindërve, të cilëve u takon e drejta parësore për të zgjedhur formimin e fëmijëve. Shkolla e sotme megjithatë duhet të përballet me tri sfida të pashmangshme për të garantuar një edukim të gjithanshëm, duke ofruar marrëdhënie të besueshme dhe atë kohë të përbashkët, që bota dixhitale nuk mund ta zëvendësojë.
Tri sfidat e pashmangshme të shkollës
Sfida e parë është sociopolitike: ka të bëjë me pabarazitë e mëdha në mundësinë për të pasur arsimin bazë dhe të lartë, si ndërmjet kombeve të ndryshme ashtu edhe brenda tyre, me rrezikun që shkolla të varet shumë nga mundësitë ekonomike të familjeve në mungesë të mbështetjes së duhur nga ana e shtetit.
Sfida e dytë e madhe është pedagogjike: ka të bëjë me nevojën për të përditësuar sistemet e formimit, programet e studimit, hapësirat dhe formimin e vazhdueshëm të mësuesve për të ecur në të njëjtin hap me teknologjitë dhe për të favorizuar zhvillimin vërtet të gjithanshëm të nxënësve.
Sfida e tretë është intelektuale dhe e diturisë: ka të bëjë me rrezikun e dehumanizimit të sistemit arsimor, i cili mund të mbetet pa dashurinë për të vërtetën. Në këtë lloj sistemi, fluksi i pandërprerë i informacionit zëvendëson shoshitjen, duke e bërë të nevojshme të ashtuquajturën “higjienë të vëmendjes”, bazuar në heshtjen, studimin dhe leximin.
Shkolla nuk duhet të ndjekë shpejtësinë e botës dixhitale
Doktrina shoqërore e Kishës i fton familjet, shkollat, bashkësitë e krishtera dhe institucionet publike në një aleancë edukative të ripërtërirë. Ajo bëhet konkrete kur parimet themelore përkthehen në synime edukative: të edukohet njeriu të jetë i matur dhe të ketë ndjenjën e kufirit; të edukohet që ta njohë të drejtën e tjetrit për të gëzuar të mirat e kësaj bote; të edukohet të jetë i lirë dhe i përgjegjshëm; të edukohet me ndjenjën e transhendencës dhe të së mirës së përbashkët. Shkolla nuk është e thirrur të ndjekë shpejtësinë e botës dixhitale, por të ofrojë atë që kjo botë nuk mund ta japë e vetme: kohë të përbashkët për të mësuar dhe marrëdhënie të besueshme.