2020.08.14 Assunzione di Maria

Fjala e Zotit e të Ngriturit të Zojës Bekuar në Qiell

Festa e Të Ngriturit të Marisë në Qiell shpall me forcë një shpresë të pathyeshme: në fund, dashuria e Hyjit fiton gjithmonë. E mira e mposht të keqen, jeta triumfon mbi vdekjen dhe shpresa çan çdo errësirë të dëshpërimit. Shën Augustini na kujton se historia e njerëzimit është një betejë e pandërprerë mes dy dashurive: dashurisë për Zotin, që e çliron zemrën nga vetvetja dhe e bën të aftë për dhurim, dhe dashurisë egoiste, që e mbyll njeriun në vetvete dhe e largon nga Zoti e nga vëllezërit

Vatican News

Të dashur miq, në solemnitetin e Të Ngriturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell, Kisha katolike romake na fton të ngremë sytë drejt misterit të lavdisë së Nënës së Krishtit, Zojës Mari dhe, duke soditur në të përmbushjen e premtimit të Zotit, të ripërtërijmë në zemrat tona shpresën për jetën e pasosur.

Solemniteti i Të Ngriturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell

Të Ngriturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell

Çdo vit, më 15 gusht, Kisha kremton një nga misteret më të ndritshme të fesë së saj: Të Ngriturit e Marisë në Qiell. Në zemër të verës, kur krijimi duket sikur shpërthen në dritë dhe jetë, kjo festë na fton edhe ne të ngremë shikimin përtej asaj që shihet, drejt Qiellit ku Zoja Mari tashmë gëzon plotësinë e lavdisë së Zotit.

Liturgjia e Fjalës së Hyjit e kësaj feste na shpall me gëzim se Maria është marrë në Qiell me trup e me shpirt dhe tashmë jeton në lavdinë e Birit të saj, Jezu Krishtit. Në të, qielli dhe toka takohen në një mënyrë të re: ajo që ishte shërbëtorja e përvuajtur e Zotit bëhet shenjë e shkëlqyer e asaj që hiri i Hyjit dëshiron të kryejë në çdo krijesë, edhe në ne.

Ky mister feje nuk është vetëm një privilegj i jashtëzakonshëm i Marisë Virgjër, Nënës së Zotit. Ai është edhe një premtim për ne. Në Marinë, Kisha sheh të parathënë fatin e njerëzimit të shëlbuar: ajo është dëshmia se Zoti nuk e braktis veprën e duarve të veta dhe se dashuria e Tij është më e fortë se vdekja.

Maria është krijesa e parë që e gëzon në plotësi frytin e veprës shëlbuese të Krishtit. Në jetën e saj, si në një mozaik të ndritshëm, shfaqet misteri i Mishërimit, i Kryqit, i Ngjalljes dhe i lavdisë së Krishtit. Ajo që e pranoi Fjalën e Zotit në heshtjen e zemrës së saj, tani është pranuar prej Birit Jezus në lavdinë e Qiellit.

Prandaj Kisha e sodit Marinë si “shenjë të sigurt shprese dhe ngushëllimi”. Ajo ecën përpara nesh si një agim që paralajmëron ditën e madhe të premtuar për të gjithë ata që i besojnë Hyjit.

Dy dashuri që përballen në zemrën e njeriut

Leximet biblike të kësaj feste na vendosin përballë misterit të madh të historisë njerëzore: përballjes ndërmjet dashurisë dhe së keqes, ndërmjet jetës që dhurohet dhe egoizmit që mbyllet në vetvete.

Shën Augustini e përshkruan historinë si një përplasje mes dy dashurive: dashurisë për Zotin, e cila e nxjerr njeriun nga vetvetja dhe e mëson të dhurohet, dhe dashurisë së çrregullt për vetveten, e cila e bën njeriun të harrojë Hyjin dhe vëllanë.

Në Marinë shohim se çfarë ndodh kur zemra i hapet plotësisht Hyjit. Ajo nuk e kërkoi madhështinë për vete; ajo u bë e madhe pikërisht sepse pranoi të bëhej e vogël. Nuk e mbajti jetën për vete; e dhuroi. Nuk e ndërtoi të ardhmen sipas dëshirave të veta; ia besoi gjithçka Fjalës së Zotit.

Prandaj në kënga e Madhërimit të Marisë ndaj Hyjit vazhdon të jehojë në Kishë: “Shpirti im e madhëron Zotin”. Lavdi i Marisë ndaj Hyjit lind nga përvujtëria e saj, nga një zemër që dinte të thoshte “po” edhe atëherë kur rruga e Zotit kalonte përmes udhës së kalvarit, përmes misterit dhe dhimbjes.

“Ja shërbëtorja e Zotit”

Kështu, festa e Të Ngriturit të Zojës Mari në Qiell bëhet një thirrje për besim. Maria na mëson t’i themi Zotit “po”, me atë përvujtëri dhe besim me të cilin ajo iu përgjigj engjëllit: “Ja shërbëtorja e Zotit; u bëftë në mua sipas fjalës sate”.

Kjo “po” nuk ishte një fjalë e thënë vetëm një herë. Ishte një “po” që përshkoi tërë jetën e saj: nga Nazareti në Betlehem, nga Egjipti në Nazaret, nga Kana në këmbët e Kryqit dhe, më pas, në gëzimin e Ringjalljes së Jezu Krishtit.

Edhe ne jemi të thirrur të ecim në të njëjtën rrugë: t’ia besojmë jetën tonë Zotit, edhe kur nuk i kuptojmë të gjitha udhët e Tij; të besojmë edhe kur nata duket e gjatë; të ruajmë në zemër premtimin e Zotit edhe atëherë kur fryti i tij ende nuk duket.

Jeta është më e fortë se vdekja

Të Ngriturit e Marisë në Qiell është pra një festë e madhe gëzimi, sepse na shpall se vdekja nuk është fjala e fundit mbi njeriun.

Në Marinë shohim si një dritare të hapur drejt së ardhmes sonë. Ajo na tregon se caku i njeriut nuk është varri, por jeta në Zotin; jo errësira, por drita; jo shpërbërja, por plotësia.

Hyji dëshiron të banojë në zemrën e çdo njeriu dhe ta bëjë atë pjesëmarrës në jetën e Tij. Nëse i hapemi Krishtit me besim, shpresë dhe dashuri, jeta jonë fillon që tani të marrë pjesë në atë lavdi që një ditë do të zbulohet në plotësinë e saj.

Maria është tashmë atje ku ne jemi ende në udhëtim. Ajo qëndron para nesh si ylli i shpresës, si Nënë që na tregon rrugën dhe na pëshpërit në zemër: mos kini frikë, sepse dashuria e Hyjit është më e fortë se çdo natë.

Dhe kështu, duke soditur Zojën Mari të Ngritur në Qiell, mësojmë të shohim edhe fatin tonë. Në të shohim fillimin e asaj që Zoti dëshiron të përmbushë në ne. Ajo është dëshmia e gjallë se, kur njeriu ia dorëzon plotësisht jetën Hyjit, dashuria nuk humbet, por bëhet e përjetshme.

Sepse në fund, dashuria fiton mbi egoizmin, jeta mbi vdekjen, drita mbi errësirën dhe shpresa mbi dëshpërimin. Dhe Maria, e ngritur në Qiell me trup e me shpirt, qëndron para nesh si shenjë e kësaj fitoreje të amshuar.

                                                           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zb 11, 19; 12, 1-6.10

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh!
Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje! Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes. Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë! Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit – dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante.
Dhe Ajo lindi fëmijën – një djalosh – që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por fëmija i saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, kurse Gruaja iku në shkreti ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë. Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë. Fjala e Zotit

Psalmi 44

Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha

----- ----- -----
Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde,
në të djathtën tënde të qëndron mbretëresha, në ar Ofiri e ngrirë.
----- ----- -----
Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd.
Nëse mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote,
nderoje atë, ai është zotëria yt!
----- ----- -----
Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
Me hare u prijnë e me brohori,
ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
----- ----- -----

Leximi i dytë 1 Kor 15, 20-26

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri.
Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. Fjala e Zotit.

ALLELUJA, Alleluja.

Maria u ngjit në qiell: galdojnë aradhet engjëllore.
Alleluja

Ungjilli Lk 1, 39-56

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”
Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.”
Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet. Fjala e Zotit!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

NGRITJA E ZOJËS SË BEKUAR NË QIELL - 15 gusht: TË GJITHA BREZNITË DO TË MË QUAJNË TË LUMTUR

(Mesha e ditës : Zb 11, 19; 12, 1-6.10; Ps 45 (44); 1 Kor 15, 20-26; Lk 1, 39-56)

Duke komentuar fjalët e Isaisë profet që thotë «Të lavdishëm do ta bëj vendin ku i vë këmbët» (60, 13), Shën Antoni i Padovës kështu shkruante në Predikimet e tija: «Vendi ku Zoti i vuri këmbët e tij, qe Virgjëra e Bekuar, nga e cila Ai mori natyrën njerëzore. Ky vend qe lavdëruar nga Zoti kur e lartësoi Marinë përmbi koret engjëllore. Nga kjo është e qartë se Virgjëra qe marrë në qiell edhe me trup, në atë trup i cili qe vendi ku Zoti i vuri këmbët e veta. Për këtë mister e kishte fjalën psalmisti kur këndonte: “Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, ti dhe arka e Pushtetit tënd!” (Ps 132, 8). Zoti është ngjallur kur u ngjit në të djathtën e Atit; është ngjallur edhe Arka (Maria), në të cilën Ai ka pushuar, atëherë kur Nëna e Virgjër që marrë në banesën qiellore.»

Këto fjalë në lidhje me Ngritjen e Zojës në Qiell, Shenjti i mreku­llive i shkruante në shekullin XIII, por një e vërtetë e tillë feje kishte kohë që ishte e rrënjosur në ndjeshmërinë e krishterë, duke filluar sidomos që nga shekulli IV. E, me gjithë këtë, dogma e fesë që shpalli përfundimisht besimin e Kishës se Maria, Nëna e Jezusit, është Ngritur në Qiell me trup e me shpirt, u shpall vetëm në vitin 1950. Atë ditë të parë të nëntorit, në të kremten e të gjithë Shenjtërve, Papa Piu XII shpalli solemnisht: «Pasi kemi lartësuar kah Zoti lutje të vazhdueshme dhe pasi kemi kërkuar prej së Larti dritën e Shpirtit të së Vërtetës, për lavdinë e Hyjit të gjithëpushtetshem, i cili i ka treguar Virgjërës Mari dashamirësinë e tij të veçantë, në nder të Birit të tij, Mbret i pavdekshëm ndër shekuj dhe fitues mbi mëkatin e mbi vdekjen, për më të madhen lavdi të Nënës së Tij të lume dhe për gëzimin dhe harenë e mbarë Kishës, me autoritetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, të shenjtërve apostuj Pjetër e Pal dhe tonën, shpallim, deklarojmë dhe përcaktojmë përfundimisht se është dogmë e zbuluar nga Hyji se: Nëna e Papërlyer e Hyjit, Maria, gjithmonë Virgjër, pasi e ka përfunduar ecjen e saj në këtë jetë tokësore, qe marrë në lavdinë e qiellit me trup e me shpirt.»

Papa, në formulimin e dogmës, me dashje nuk e saktëson nëse Maria ka fjetur në një gjumë të thellë para se të merrej në qiell, apo ka vdekur si të gjithë të tjerët. Kjo është një çështje që nuk përbën objektin e dogmës, por i lihet historianëve dhe traditave të ndryshme kishtare që ta zbardhin. Dogma dëshiron të theksojë atë që është më krysorja: faktin se, në lumturinë e Parrizit, nuk gjendet vetëm trupi njerëzor i Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, por, falë meritave të Krishtit, edhe trupi i Nënës së Tij, Virgjërës Mari.

Por gabojmë nëse mendojmë se kështu Papa po imponohej prej së larti mbi popullin e krishterë. Dogmat e fesë gjithnjë kanë lindur duke shprehur atë përshpirtëri e teologji që me kohë valonte në popullin e Zotit. Papa, falë autoriteti që Krishti i ka dhënë Pjetrit dhe pasardhësve të tij që t’i «forcojë vëllezërit» e tij (Lk 22, 32), vetëm sa e vulos gjithë këtë ndjeshmëri feje.

E, siç thamë, Kisha me kohë e besonte se Virgjëra Mari ishte e marrë në qiell me trup e me shpirt. Tradita flet për disa legjenda që i kanë fillesat e tyre qysh me apostujt, legjenda të cilat patjetër duhet t’u lihen historianëve për t’i dokumentuar nëse janë të vërteta apo jo, por që, ndërkaq, dëshmojnë se sa shumë diskutohej gjithnjë në Kishë një fakt i tillë. Madje, në kohën kur Shën Antoni i shkruante rreshtat që cituam më sipër, të mendohej se Maria nuk ishte e ngritur në Qiell edhe me trup, mbahej gati si një herezi dhe shkandull. Megjithatë, me sa duket, kohët nuk ishin pjekur ende që Papa të ndërhynte me autoritetin e tij.

Kur Zoja e Bekuar iu shfaq për herën e parë tre barinjve të vegjël në Fatima, u tha ëmbëlsisht: «Mos kini frikë! Nuk do t’ju bëj keq!» Luçia, më e madhja, e pyeti: «Prej nga jeni?» «Jam nga qielli.», i ishte përgjigjur Maria, ndërsa qëndronte mbi një re të vogël sipër një shkurreje dhe lëshonte aq shumë dritë rreth vetes, saqë i mbështolli në të edhe fëmijët e vegjël. E pastaj, aty vazhdoi një dialog tejet i ëmbël e i mistershëm mes Marisë dhe fëmijëve të lumturuar e frikësuar njëkohësisht. Ato fjalët «Jam nga qielli», miratonin tërë bindjen e Kishës se Maria është tashmë në Qiell, në Parajsë, trup e shpirt. E është interesante të vëmë re se këto të dukura, që ndodhën në vitin 1917 dhe shumë të dukura të tjera që Zoja ka bërë në vende të ndryshme të botës, kanë ndodhur të gjitha ose të paktën ato më të bujshmet (Fatima, Lurdë e Guadalupe), në mijëvejçarin e dytë. Madje brenda këtij mijëvjeçari janë shpallur nga Papët edhe dy dogmat e rëndësishme mariane, ajo e të Zënit të Pamëkat të Marisë (1854) dhe kjo e Ngritjes së saj në Qiell (1950). Duket sikur Hyji, në Provaninë e Tij, ka dashur që ta caktojë Marinë si udhëheqësen më të mirë të të krishterëve kah bashkimi me Trininë Shenjte. «Po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.», kishte parandjerë Maria qysh në këtë botë, siç dëgjuam në Ungjill, por një parandjenjë e brumosur me dëlirësinë e përvujtërinë që i jepte të Zënët e saj të Pamëkat.

Duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse Maria nuk është Hyjnore. Ajo është vetëm njeri. Ishin vetëm meritat e Vdekjes dhe të Ngjalljes së Jezusit ato që ia mundësuan asaj tërë lavdinë që tashmë ajo e gëzon. Patjetër që edhe nga Maria, sikurse nga të gjithë ne, Hyji priste lirinë e përgjigjes së bashkëpunimint në planin e tij të shëlbimit. Atë liri Hyji nuk ia ka hequr as kur e ruajti atë nga mëkati i rrjedhshëm. Hyji e ka privilegjuar me hire, por mund të themi edhe se ka dashur të përshpejtojë në Marinë gjithçka që kishte premtuar se do të ndodhë me të gjithë ata që i afrohen Birit të Tij.

Ngjallja edhe me trup është një e vërtetë e gjithmonshme e Kishës. Shën Pali e shpjegon shumë qartë në leximin e dytë: «Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve. Ai është fryti i parë i të vdekurve... Nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën.» Ngjallja në fundin e kohëve është e vërtetë e fesë që duhet besuar. E, ngjallja e trupit, për lavdi apo për bjerrje të përjetshme, nuk është as jashtë logjikës, sepse ne jemi njerëz e jo engjëj, pra jemi të përbërë jo vetëm nga shpirti, por edhe nga trupi. Të mirat apo të këqijat ne nuk i bëjmë vetëm me shpirt, por edhe me trup. Prandaj si shpërblimi, ashtu edhe dënimi i pasosur, i takon jo vetëm shpirtit, por edhe trupit. Duke ngjallur Marinë, Hyji njëkohësisht i ka dhuruar asaj lavdinë që Krishti ua ka fituar të gjithë atyre që i bashkohen Atij, por edhe e ka bërë atë model e garanci, pas Krishtit, se të gjithë do të ngjallemi në lavdi, nëse bashkohemi me Krishtin në këtë jetë.

Bindja se Maria është model për Kishën, ka qenë gjithnjë thellësisht e rrënjosur në Kishë. Në leximin e parë Shën Gjoni apostull flet për një vegim: «Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua, e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje.» Këta rreshta kanë frymëzuar gjithnjë artin e krishterë kur ka dashur ta paraqesë Marinë në piktura e skultpura të ndryshme. Megjithatë, aty Shën Gjoni po përshkruante Kishën, e cila është e veshur me diellin e shenjtërisë së përçuar nga Krishti i Ngjallur dhe që themelohet mbi dëshminë e dymbëdhjetë apostujve. Por Kisha nuk gabon as kur i mendon këta rreshta për Marinë, sepse ajo është parë gjithnjë si personifikimi më i mirë i Kishës. Shën Gjoni, pastaj, vazhdon me përshkrimin e tij, duke folur për shtatëzaninë e kësaj gruaje, fëmijën e së cilës dragoi donte ta vriste: «Shtatzënë, bërtiste në mundet, në dhimbjet e lindjes… Dragoi zuri vend para Gruas që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante.» Megjithatë Hiri Hyjnor e mbrojti si Fëmijën që u mor menjëherë në qiell, ashtu edhe Gruan, e cila «iku në shkreti, ku Hyji ia përgatiti një vend».

Kisha, në dhimbjet e saj për ta çuar Krishtin në botë, është e sigurt për fitoren e saj, falë fuqisë së Hirit Hyjnor. Djalli, sado që bën si i gjithëpushtetshëm në këtë botë të trazuar, nuk ka kurrfarë pushteti mbi Krishtin e as mbi ata që i afrohen Krishtit. Në Krishtin i është shembur froni: «Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë». Djalli bën rolin e «paditësit» sa herë që njerëzit dështojnë në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar me Zotin dhe mezi ç’pret që të dalë para Hyjit e t’i vërtetojë se është më i fortë se Ai. Por, në Krishtin, «u hodh poshtë» kjo padi, sepse Krishti, Hyj dhe Njeri, hyri në lavdinë e ngjalljes, pasi kaloi nëpër mundimin e vdekjes. Kështu, edhe Kisha e ka sigurinë se, falë meritave të Shëlbuesit të saj, ajo e «hedhë poshtë këtë paditës» gënjeshtar. E Kisha këtë fitore të atyre që i afrohen Krishtit e sheh krejtësisht të arritur e të kurorëzuar në Marinë.

Prandaj Maria ka të drejtë që e lëvdon Zotin me aq hare të shpirtit: «Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohoret Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë». Fjala «e përvujtë», në origjinalik grek këtu është «e mjerë». Tani e kuptojmë se Maria e dinte mirë se gjithçka që kishte, ishte vepër e bujarisë dhe e dashurisë së pakufi të Hyjit. Kështu, ajo e mëson Kishën që të jetë gjithnjë mirënjohëse ndaj Hyjit dhe e hapur pa frikë ndaj planeve të Tija të mistershme, sepse ato janë gjithnjë plane dashurie dhe shëlbimi.

E, Zoja, ajo që pati këtu në tokë thirrjen e pashoqe që t’i dhuronte Hyjit natyrën e saj njerëzore në mënyrë që Ai të mund të bëhej njeri, edhe tani, «nga qielli», me trup e me shpirt, vazhdon në mënyrë të pashoqe që ta rrisë, me shembullin dhe me ndërmjetësinë e saj të fuqishme, deri në plotësi, Kishën, Trupin Mistik të Birit të saj. Ndërmjetësinë e Marisë, Kisha e ndjen gjithnjë pranë, ndërkohë që nxitet nga shembulli i saj që, si ajo, ta dojë Krishtin dhe njerëzit me dashuri gjithnjë e më të pastër. Shën Antoni i Padovës thoshte: «Kulmi i përsosmërisë së Virgjërës Mari ishte dashuria, falë së cilës ajo është ngritur në vendin më të lavdishëm dhe është veshur me lavdinë më të shkëlqyer, që nuk ka as fillim e as mbarim».

Shenjtes Bernardetë Subiru, së cilës Zoja iu shfaq në Lurdë të Francës, në vitin 1858, Zoja i pati thënë: «Unë nuk të premtoj se do të të bëj të lumtur në këtë botë, por në tjetrën.» E Shenjtja Bernardetë i besoi. Ndoshta për të na ndihmuar që ta besojmë edhe ne këtë të vërtetë, Hyji bëri që trupi i Shenjtes Bernardetë të mbetej i pakalbur. Edhe kjo mrekulli është edhe shenjë e fitores përfundimtare që e pret trupin e atyre që jetojnë dhe vdesin me Krishtin.

Dom Dritan Ndoc

14 gusht 2026, 12:40