2026.08.10 Polis III Nona, patriarca di Baghdad dei Caldei

Irak, Patriarku i ri kaldeas: "Kthimi i të krishterëve, sfida më e madhe"

Shqetësimi për të rinjtë që kanë humbur shpresën, paqëndrueshmëria e rajonit me konfliktin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, dhimbja për besimtarët që vazhdojnë të emigrojnë: Polis III Nona shpreh shqetësimin për një shoqëri "të shënuar nga luftërat dhe konfliktet, e vendosur në një kontekst rajonal të vështirë dhe të karakterizuar nga pasiguria". Më 28 gushtin e ardhshëm është parashikuar mbledhja e Asamblesë së ipeshkvijve katolikë të vendit: kjo nuk ndodhte që nga viti 2021.

Vatican News

Shqetësimi për të rinjtë që kanë humbur krejtësisht shpresën për të ardhmen e Irakut, paqëndrueshmëria e rajonit me tensionet e shkaktuara nga konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, dhimbja për të krishterët që vazhdojnë të emigrojnë, duke braktisur shtëpitë dhe tokat e tyre. Por në mendimet e Patriarkut Polisit III Nona nuk është vetëm kjo. Në zemrën e patriarkut të ri të Bagdadit të Kaldeasve, i zgjedhur vetëm katër muaj më parë, është edhe gëzimi për një ngjarje të rëndësishme kishtare, në dukje rutinë: thirrjen, më 28 gushtin e ardhshëm, të mbledhjes së Asamblesë së Ipeshkvijve Katolikë, e cila do të zhvillohet në Ankawa, një zonë vetëm pak kilometra në veriperëndim të Erbilit, kryeqytetit të rajonit autonom të Kurdistanit irakian. Ishte viti 2021 kur ipeshkvijtë e Irakut u mblodhën për herë të fundit në një takim kolegjial.

«Me këtë rast, do të diskutojmë për nevojën që Asambleja e Ipeshkvijve të mblidhet periodikisht, si edhe për disa çështje themelore, si prania e të krishterëve në Irak dhe mënyrat për të mbrojtur si bashkësitë e tyre, ashtu edhe territoret ku ata kanë rrënjët e tyre historike».

A do të trajtohen edhe çështje të tjera të rëndësishme kishtare?

Do të merremi me Komisionin e përbashkët për katekizmin, me gjykatat kishtare dhe me vëllazërinë e Caritas-it. Rruga sinodale e Kishës është themelore dhe e domosdoshme në botën e sotme. Jam i bindur se bashkëpunimi me Kishat e tjera katolike të vendit na bën më të fortë dhe më të aftë për të reflektuar e për të vepruar në shërbim të besimtarëve tanë. Askush nuk mund të bëjë gjithçka i vetëm, as të mendojë se mund të realizojë me forcat e veta gjithçka dëshiron. Nga kontaktet që kam pasur me të gjithë ipeshkvijtë anëtarë të Asamblesë së Ipeshkvijve Katolikë të Irakut, është e qartë se ata janë shumë të gëzuar për rifillimin e mbledhjeve dhe të gatshëm për të punuar sërish së bashku.

Ipeshkvijtë do të kenë mundësi të reflektojnë edhe mbi gjendjen e vendit. Cila është situata socio-politike e Irakut?

Nga pikëpamja e sigurisë, situata e brendshme e vendit është përgjithësisht e mirë. Megjithatë, ndihen efektet negative të tensioneve dhe konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, veçanërisht në ekonominë irakiane: popullsia ka filluar t’i ndiejë konkretisht këto pasoja në jetën e përditshme. Në planin politik, ekziston shpresa se qeveria aktuale mund të nxisë ndryshime, të konsolidojë një shtet të fortë, të mbështetur në institucione të qëndrueshme, dhe të luftojë korrupsionin, i cili përbën armikun kryesor të kombit.

Cilat janë urgjencat e popullsisë, veçanërisht të të rinjve, që janë një nga kategoritë më të cenueshme?

Është mungesa e shpresës. Të rinjtë e kanë humbur shpresën për të ardhmen, për vendin e tyre, për atdheun dhe, në njëfarë kuptimi, pothuajse për gjithçka. Sipas mendimit tim, kjo është sfida më e madhe, sepse i bën të rinjtë pak të prirur për t’u angazhuar, për të ndërtuar jetën e tyre dhe atë të të tjerëve, apo për të kontribuar në mënyrë aktive në ndërtimin e shoqërisë.

Dhe pastaj është edhe papunësia...

Sigurisht: mungesa e mundësive për punësim dhe një kontekst shoqëror në të cilin, ndonjëherë, ata e kanë të vështirë të gjejnë vendin e tyre dhe të realizohen. Kësaj i shtohet edhe një sfidë tjetër për të rinjtë e krishterë: dëshira për të emigruar. Si pasojë, numri i martesave ka rënë ndjeshëm. Shumë të rinj nuk dëshirojnë të krijojnë familje këtu, sepse synojnë të largohen nga vendi. Të tjerë nuk ndihen të gatshëm të ndërtojnë një familje në kushte të karakterizuara nga pasiguria. Mungesa e shpresës për të ardhmen e kombit, për shkak të paqëndrueshmërisë që karakterizon të gjithë rajonin, bën që të rinjtë të mos kenë dëshirë të marrin pjesë në jetën publike dhe as të japin kontributin e tyre. Edhe kjo përbën një problem serioz, sepse janë pikërisht të rinjtë ata që ndërtojnë një komb: pa pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre, e ardhmja rrezikon të bëhet gjithnjë e më e pasigurt.

Ekziston edhe çështja e respektimit të të drejtave të njeriut. Cila është situata?

Në kontekstin e paqëndrueshmërisë që përshkon rajonin e Lindjes së Mesme, edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut mbetet e brishtë dhe e pasigurt. Në përgjithësi, nuk vërehen shkelje të rënda dhe sistematike që lidhen me një orientim zyrtar. Vështirësitë kanë të bëjnë kryesisht me mënyrën se si disa institucione i trajtojnë anëtarët e tyre, si edhe me sjelljet në marrëdhëniet personale. Pa dyshim, ka abuzime, veçanërisht për sa i përket disa pronave, por ato nuk duket se shprehin një politikë zyrtare dhe të përgjithshme. Për më tepër, mbrojtja efektive e të drejtave individuale mbetet e kushtëzuar nga disa probleme delikate dhe serioze, ndër të cilat spikat veçanërisht korrupsioni financiar. Kësaj i shtohet edhe kontrolli i proceseve vendimmarrëse përmes fuqisë ekonomike ose ndikimit politik.

Tani që xhihadistët e ISIS-it nuk kontrollojnë më territorin, por vazhdojnë të veprojnë si një rrjet klandestin, në ç’gjendje është konkretisht siguria e vendit?

Siç e përmenda më parë, ajo është përgjithësisht e mirë në të gjithë vendin. Në rajonet ku të krishterët kanë jetuar historikisht, nuk hasen më problemet e sigurisë së së kaluarës. Megjithatë, mbeten sfida të tjera, ndër të cilat ndryshimet demografike, numri i kufizuar i të krishterëve që kthehen në vendet e tyre të origjinës dhe, në përgjithësi, mungesa e shërbimeve bazë. Megjithatë, për shkak të luftës së fundit, ekziston frika se vendi mund të tërhiqet në konflikt ose të shndërrohet në një fushë përplasjeje mes palëve të ndryshme të përfshira. Deri tani nuk janë shfaqur probleme me një rëndësi të veçantë, por shqetësimi mbetet i gjallë.

Së fundmi u shënua 12-vjetori i natës mes 6 dhe 7 gushtit 2014, kur dhjetëra mijëra të krishterë u detyruan të largoheshin nga Rrafshi i Ninivës. Ju i përjetuat ato momente pranë popullit tuaj. Çfarë kujtimesh ruani nga ajo natë dhe çfarë kuptimi ka sot ai përvjetor për të gjithë të krishterët? A ka një fytyrë, një takim apo një episod nga ato orë që nuk e keni harruar kurrë?

Ai moment dhe ajo natë nuk harrohen lehtë: mbeten të ngulitura në kujtesë dhe e shënojnë thellësisht jetën. Mbaj mend dhjetëra mijëra familje në arrati, disa me makina, të tjera në këmbë, me frikën që u pushtonte zemrat: ajo lexohej në sytë e tyre. E qara e fëmijëve ishte veçanërisht e dhimbshme. Personalisht, isha shumë i shqetësuar për ata që ende nuk e kishin kuptuar nevojën për t’u larguar dhe ndodheshin ende në shtëpitë e tyre. T’i telefonoja dhe t’i nxisja të dilnin sa më shpejt që të ishte e mundur, ishte për mua një burim ankthi të thellë dhe frike të madhe për fatin e tyre.

Atëherë, ju ishit kryeipeshkëv kaldeas i Mosulit – në jugperëndim të Rrafshit të Ninivës – dhe e ndienit mbi vete gjithë peshën e shqetësimit...

Shqetësimi më i madh kishte të bënte me familjet tona që kishin mbetur në fshatrat e Rrafshit të Ninivës. Për këtë arsye, kontaktova meshtarët e disa fshatrave dhe shkova personalisht në disa të tjerë, duke u kërkuar të evakuonin sa më shpejt të ishte e mundur të gjithë njerëzit që ndodheshin ende aty, sepse kishim marrë vesh paraprakisht se i ashtuquajturi Shtet Islamik synonte të avanconte. Të sigurohesha se të gjithë kishin arritur të shpëtonin ishte një nga momentet më të vështira dhe më të ankthshme të asaj nate. Një tjetër burim i madh frike ishte fakti se nuk dinim se te kush mund të mbështeteshim për ta përballuar atë situatë dramatike. Të gjitha institucionet e vendit ishin të paralizuara. U detyruam të vepronim duke u mbështetur në përvojën tonë dhe në atë që, në atë moment, mendonim se ishte zgjedhja më e mirë. Edhe kjo ishte një sfidë e jashtëzakonshme.

Çfarë ka ndryshuar që atëherë për të krishterët?

Pa dyshim, ka një ndryshim të madh mes atyre ditëve dhe situatës së sotme. Nuk ekziston më një klimë frike të madhe. Megjithatë, mbetet njëfarë shqetësimi për shkak të paqëndrueshmërisë së përgjithshme. Në atë periudhë, të krishterët humbën shumë. Dhe shumë prej këtyre humbjeve nuk mund të kompensohen. Pasoja më e rëndë lidhet veçanërisht me numrin e madh të të krishterëve që kanë braktisur tokat dhe shtëpitë e tyre, duke emigruar jashtë vendit ose duke u zhvendosur në rajone të tjera të Irakut. Kemi një shoqëri të shënjuar nga luftërat dhe konfliktet, e përfshirë në një kontekst rajonal të vështirë dhe të karakterizuar nga paqëndrueshmëria. E gjithë kjo i bën të ndërlikuara marrëdhëniet dhe jetën në çdo dimension të tyre. Si pasojë, liria për ta jetuar fenë nuk lidhet vetëm me atë që ndodh brenda Kishave, por edhe me mundësinë që të krishterët të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë lirisht në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Dhe këto aspekte të fundit nuk mund të garantohen plotësisht pa u përballur me pengesa të natyrës institucionale dhe shoqërore.

Sipas jush, cila do të jetë e ardhmja e Rrafshit të Ninivës, ku rindërtimi material është kryer në masë të madhe, por ai demografik mbetet i paplotë?

Nuk është e lehtë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Sfida më e madhe me të cilën duhet të përballemi është moskthimi i të gjithë të krishterëve në këtë rajon: shumë kanë emigruar jashtë Irakut, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë në zona më të qëndrueshme. Kthimi varet nga shumë faktorë, ndër të cilët qëndrueshmëria e situatës politike dhe shpresa se ngjarjet e dhimbshme të së kaluarës nuk do të përsëriten. Është e nevojshme të rifitohet besimi te e ardhmja, në mënyrë që çdo i krishterë të mund të jetojë i lirë, me sigurinë se mund të ndërtojë një jetë të qëndrueshme dhe të ketë një punë ku të mos pësojë diskriminim apo ndërhyrje të padrejta.

Ekziston gjithashtu edhe sfida që lidhet me vullnetin e përbërësve të ndryshëm të kësaj zone për të mbizotëruar mbi njëri-tjetrin, si edhe me përdorimin e Rrafshit të Ninivës si terren për përplasje politike dhe shoqërore. Si të krishterë, për nga natyra jonë dhe në sajë të fesë sonë, nuk dëshirojmë të hyjmë në konflikt me askënd. Përkundrazi, besimtarët tanë janë tashmë të lodhur nga konfliktet dhe dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe qetësi. Fatkeqësisht, deri më sot, kjo dëshirë nuk ka gjetur ende një përmbushje të plotë.

11 gusht 2026, 14:08