Jezusi i Nazaretit. Episodi VII: Kthimi në Nazaret, fëmijëria e fshehur e Jezusit
Vatican News
Edhe ata që dinë pak ose aspak për Të, kur shkruajnë një email ose shikojnë kalendarin, i numërojnë vitet që nga lindja e Tij. Para - ose pas Krishtit!
E kush nuk beson, nëse e kremton Krishtlindjen duke i shpërndarë dhurata familjarëve e miqve, kremton lindjen e Tij.
Edhe ata që pushojnë një orë më shumë të dielën e nuk shkojnë në punë, e bëjnë këtë ngaqë çdo të diel kujtojnë se ai u Ringjall....
Po, kush është Ai? Që vdes e ngjallet? E quhet Jezusi i Nazaretit?
Ai, që ndikon kaq shumë mbi çdo çast të jetës sonë, kush është?
Emri i kujt shqiptohet më shumë se i Tiji?
Ky është "Jezusi i Nazaretit", programi që tregon historinë e "Jetës së Jezusit", libër i shkruar nga drejtori editorial i Dikasterit tonë vatikanas për Komunikimin, Andrea Tornielli.
Gjatë qëndrimit të tyre dyvjeçar në Egjipt, Jozefi i mësoi Jezusit artin e punës me dru dhe fëmija u rrit duke luajtur lirisht me fëmijë të tjerë judeas, egjiptianë, persianë dhe grekë. Gjatë pasditeve të gjata, me diell, Jozefi, kur kthehej herët nga puna, ndalonte për ta parë Jezusin nga larg ndërsa luante. E shikonte fshehurazi, duke pyetur nëse fëmija kishte ndierë diçka për origjinën dhe misionin e tij. Ndërkohë, mbërriti lajmi për vdekjen e Herodit dhe familja mund të kthehej në Nazaret, siç i tha Jozefit në ëndërr një engjëll. Udhëtimi ishte i gjatë, por kur mbërritën e gjetën shtëpinë të paprekur dhe fqinjët i pritën me qumësht e fruta. Jeta rifilloi në thjeshtësinë e saj. Kur Jezusi mbushi shtatë vjeç, Marisë iu duk sikur pa një refleks të ndryshëm në sytë e tij. Ndonjëherë e shihte duke i lartuar sytë drejt qiellit. A mos po bëhej i vetëdijshëm se kush ishte?