Kisha Bizantine e Shën Gjergjit në Taybeh (AFP ose licencues) Kisha Bizantine e Shën Gjergjit në Taybeh (AFP ose licencues)

Kard. Pizzaballa në vizitë në Taybeh: të ruhet prania e krishterë

Patriarku Latin i Jerusalemit vizitoi dje, në festën e Fjetjes së Virgjërës Mari, fshatin e fundit të krishterë në Palestinë, Taybeh, ku janë vendosur kufizime të forta për hyrjet. “Shembulli juaj është i rëndësishëm – tha Pizzaballa –, në mënyrë që të vazhdojmë të jemi një zë i krishterë në mes të kësaj situate kaq të ndërlikuar”.

Vatican News

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ruajtur praninë kishtare këtu, në çdo nivel, në të gjithë Tokën e Shenjtë.” Patriarku Latin i Jerusalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, shprehu kështu afërsinë e tij me banorët e Taybehut, duke vizituar këtë fshat të vogël të krishterë në Cisjordani, dje, me rastin e Festës së Shën Marisë Virgjër të Ngjitur në Qiell.

“Edhe nëse mund të mos kem përgjigje në nivel njerëzor dhe botëror, unë besoj në Zotin. Dhe jam i sigurt se, në Të, mund të vazhdojmë t’i japim jetë kësaj pranie, edhe këtu në Taybeh”, pohoi kardinali Pizzaballa gjatë Meshës kremtuar më 15 gusht në Kishën Latine të Krishtit Shëlbues në Taybeh.

I mirëpritur “mes njerëzve të tij”

Duke e mirëpritur Patriarkun në fillim të Meshës, siç bëhet e ditur në një njoftim të Patriarkanës Latine të Jerusalemit, famullitari i Taybehut, Atë Bashar Fawadleh, theksoi se fshati e priti atë “mes njerëzve të tij dhe në shtëpinë e tij”, duke e përshkruar praninë e Patriarkut Latin të Jerusalemit si atë të një ati pranë fëmijëve të tij në momente të vështira. Sipas Atë Basharit, prania e kardinalit Pizzaballa në Taybeh i kujtoi komunitetit se nuk është vetëm dhe se Kisha qëndron pranë bijve të saj, duke sjellë me vete “kryqin dhe shpresën e kësaj toke”.

Kardinali Pizzaballa e përshkroi festën e të Ngjiturit të Marisë Virgjër në Qiell si “një fryt të Ringjalljes” dhe tha se Maria u mëson të krishterëve ta shohin realitetin “me sy të Zotit”, dhe jo sipas llogaritjeve njerëzore. Kardinali e lidhi drejtpërdrejt këtë mesazh me Taybehun, duke i nxitur banorët e tij të qëndrojnë të rrënjosur në besim dhe në shpresë, edhe atëherë kur rrethanat e bëjnë të ardhmen të vështirë ose të pamundur.

Të ruhet zemra nga frika

Patriarku theksoi gjithashtu se ruajtja e pranisë së krishterë kërkon edhe mbrojtjen e zemrës nga frika, dëshpërimi dhe pasojat e rrethanave të vështira. “Por ne duam të mbetemi një komunitet që i jep jetë jetës, pa hequr dorë nga të drejtat tona, nga e drejta jonë për të jetuar – tha ai. – Prandaj, jini të guximshëm. Mos kini frikë”. Kardinali Pizzaballa pohoi gjithashtu se po i ndjek nga afër zhvillimet në Taybeh përmes mesazheve dhe përditësimeve të rregullta nga Atë Bashari.

Vizita e Patriarkut Latin të Jerusalemit u zhvillua në kuadër të një dekreti izraelit, të nxjerrë korrikun e kaluar, i cili shpall “zonën e Taybehut dhe Rimonit” si zonë ushtarake të mbyllur, duke ndaluar hyrjen dhe praninë e izraelitëve dhe të të huajve.

Zona e përcaktuar përfshin një pjesë të qendrës së banuar të Taybehut, toka bujqësore, si dhe objekte fetare dhe historike. Dekreti ka ngritur gjithashtu pikëpyetje lidhur me hyrjen në Taybeh të shtegtarëve, vizitorëve, gazetarëve, vullnetarëve dhe të huajve të tjerë.

Kardinali Pizzaballa deklaroi se ajo që po ndodh në Taybeh po bëhet gjithnjë e më e njohur edhe jashtë fshatit: “Shembulli juaj është i rëndësishëm, në mënyrë që të vazhdojmë të jemi një zë i krishterë në mes të kësaj situate kaq të ndërlikuar”.

16 gusht 2026, 14:05