Njerëz të zhvendosur kërkojnë sendet e tyre në rrënojat e një shtëpie të shembur pas tërmetit në Pereira, Kolumbi. (AFP ose licencues) Njerëz të zhvendosur kërkojnë sendet e tyre në rrënojat e një shtëpie të shembur pas tërmetit në Pereira, Kolumbi. (AFP ose licencues)

Tërmeti në Kolumbi, Kisha në ndihmë të të mbijetuarve: “nga dhimbja të lindë uniteti”

Nga Bogotaja, atë Raúl Ortiz Toro, meshtar dhe sekretar i Konferencës Ipeshkvnore të Kolumbisë, rrëfen orët e dhimbjes që po përjeton vendi pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7,4, i cili mëngjesin e 10 gushtit goditi Kolumbinë perëndimore: «Njerëzit e kanë vlerësuar shumë praninë e Kishës në këto vende, përmes Baritores Sociale dhe Caritas-it».

Vatican News

Tërmeti me magnitudë 7,4 që goditi Kolumbinë perëndimore më 10 gusht ka shkaktuar qindra viktima dhe dëme të mëdha. Ndërsa vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, Kisha katolike kolumbiane është mobilizuar për të ndihmuar familjet e prekura. «Është një moment vendimtar për të jetuar unitetin kombëtar dhe atë vëllazëri që na bën vëllezër», thotë Atë Raúl Ortiz Toro, sekretar i Konferencës Ipeshkvnore të Kolumbisë.

Tërmeti i fuqishëm që goditi mëngjesin e 10 gushtit zonat perëndimore të Kolumbisë ka lënë pas një situatë të rëndë humanitare. Lëkundja, me magnitudë 7,4 dhe me epiqendër në departamentin e Çokos, pranë bregdetit të Paqësorit, u ndie në një pjesë të madhe të vendit dhe shkaktoi dëme të mëdha në qytete si Kali, Pereira dhe Manizales. Sipas bilancit më të fundit të raportuar nga autoritetet, numri i viktimave ka arritur në 224, ndërsa vijojnë kërkimet për persona të zhdukur dhe të bllokuar nën rrënoja.

Nga Bogotaja, Atë Raúl Ortiz Toro, meshtar dhe sekretar i Konferencës Ipeshkvnore të Kolumbisë, e përshkruan këtë si një moment dhimbjeje, por edhe si një mundësi për të rizbuluar solidaritetin mes qytetarëve. «Është një moment vendimtar për Kolumbinë, në të cilin jemi të thirrur të jetojmë unitetin kombëtar dhe atë vëllazëri që na bën vëllezër», shprehet ai.

Kisha mobilizohet pranë familjeve të prekura

Ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja, Kisha katolike kolumbiane është angazhuar në ndihmë të popullsisë së prekur. «Njerëzit e kanë vlerësuar shumë praninë e Kishës në këto vende, përmes Baritores Sociale dhe Caritas-it», tregon Atë Ortiz Toro.

Famullitë, qendrat komunitare dhe struktura të tjera kishtare po vihen në dispozicion të familjeve që nuk mund të kthehen në banesat e tyre. Ato shërbejnë si vende pritjeje dhe strehimi, ndërsa ekspertët vlerësojnë sigurinë e ndërtesave të dëmtuara.

Baritorja Sociale e Kishës katolike ka aktivizuar gjithashtu ndihma ekonomike përmes Fondit Kombëtar për Emergjencat. Në këtë përpjekje janë përfshirë edhe 25 banka ushqimore të lidhura me dioqezat e vendit, të cilat po mbledhin ushqime dhe ndihma materiale. Nevojat më urgjente janë të shumta. Ndër to spikat uji, pasi disa zona kanë mbetur pa furnizim. Nevojiten gjithashtu ushqime që nuk prishen, batanije dhe pajisje për ekipet që marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.

Dëme edhe në kisha dhe struktura kishtare

Tërmeti nuk ka kursyer as strukturat e Kishës. «Ka pasur shumë dëme në famulli, Kisha dhe shtëpi famullitare», tregon sekretari i Konferencës Ipeshkvnore. Në Kibo, pranë epiqendrës, është dëmtuar selia ipeshkvnore. Në dioqezën e Pereira-s, Kisha e Zojës së Guadalupes, në Dosquebradas, është shkatërruar plotësisht. Dëme janë shkaktuar edhe në famullinë e Shën Jozefit në Pereira dhe në kupolën e Kishës së La Virginias, në departamentin e Risaraldas. Në Manizales është shembur njëra prej kullave të Katedrales-bazilikë. Dëme të tjera janë raportuar në kryedioqezën e Ibague-së dhe në famulli të shumta të Kalit. Vlerësimi i dëmeve vijon ende. «Dje sapo kishim filluar të mblidhnim të gjitha këto informacione. Besoj se sot do të mund të kemi të dhëna më konkrete», shpjegon Atë Ortiz Toro.

«Kjo është një kohë për të qenë pranë njëri-tjetrit»

Në këtë situatë të vështirë, solidariteti nuk po vjen vetëm nga brenda vendit. Kisha kolumbiane ka marrë shprehje afërsie edhe nga Kisha universale dhe nga Dikasteret e Selisë së Shenjtë. Atë Ortiz Toro përmend veçanërisht afërsinë dhe lutjen e Papës Leonit XIV, si edhe mbështetjen e Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë, Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit Njerëzor dhe Dikasterit për Komunikimin. «E gjithë kjo na ngushëllon dhe na mbush me shpresë, sepse tregon se ekziston vëllazëria», thotë ai. Pak javë më parë, ishte vetë Kolumbia ajo që shprehte solidaritet me popullsinë e Venezuelës pas tërmeteve që goditën vendin fqinj. Tani është Kolumbia ajo që përballet me katastrofën dhe ka nevojë për mbështetje.

Nga dhimbja, një thirrje për unitet

Tërmeti e ka goditur vendin në një moment të ndjeshëm edhe në planin politik, të shënuar ditët e fundit nga një polarizim i fortë ideologjik. Por përballë katastrofës natyrore, këto ndarje duket se humbin rëndësinë e tyre. Tërmeti, vëren Atë Ortiz Toro, i vendos të gjithë përballë së njëjtës «gjendje njerëzore, brishtësisë dhe cenueshmërisë». Pikërisht këtu lind edhe apeli i Kishës katolike: që dhimbja të mos sjellë vetëm lot dhe humbje, por edhe një mundësi për të rigjetur unitetin. «Është një moment vendimtar për Kolumbinë, për të jetuar unitetin kombëtar dhe atë vëllazëri që na bën vëllezër, ato ndjenja afërsie që shfaqen pikërisht në momentet e dhimbjes», përfundon Atë Raúl Ortiz Toro.

11 gusht 2026, 17:06