Në përkujtim të 10-vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Ercole

Me nderim e mirënjohje të thellë kujtojmë sot 10-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Ercole Lupinacci, bir i denjë i gjakut arbëresh dhe bari i urtë i Kishës. Jeta e tij ishte një dëshmi e gjallë e besimit, e përkushtimit ungjillor dhe e dashurisë për popullin arbëresh. Me urti e përvujtëri ai i shërbeu Kishës, duke ruajtur me besnikëri traditën shpirtërore, liturgjike e kulturore të etërve tanë.

Vatican News

Më 6 gusht 2026 mbushen dhjetë vjet nga kalimi në amshim i Imzot Ercole Lupinacci, eparkut (ipeshkvit) arbëresh që për dekada i shërbeu Kishës Italo-Shqiptare me besnikëri, duke lënë një gjurmë të thellë në jetën kishtare, kulturore dhe ekumenike të arbëreshëve. Ai u nda nga kjo jetë më 6 gusht 2016, në festën e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot dhe pikërisht në 35-vjetorin e shugurimit të tij ipeshkvor, duke përmbyllur një shtegtim të jetuar tërësisht në shërbim të Ungjillit dhe të traditës bizantine.

I lindur më 23 nëntor 1933 në Shën Mitër (San Giorgio Albanese), Imzot Lupinacci u formua në Seminarin Papnor "Benedikti XV" në Grottaferrata dhe u shugurua meshtar më 22 nëntor 1959 nga ipeshkvi Giovanni Mele. Pas studimeve në Universitetin Papnor Gregorian të Romës, iu kushtua shërbimit baritor dhe edukimit të të rinjve, duke dhënë mësim për vite me radhë në liceun shtetëror të Shën Mitrit.

Më 25 mars 1981 Shenjti Papa Gjon Pali II e emëroi Epark të Horës së Arbëreshëve, ndërsa më 30 nëntor 1987 e thirri në krye të Eparkisë së Ungrës. Gjatë gati tri dekadave të shërbimit ipeshkvor ai u dallua për kujdesin ndaj bashkësive arbëreshe, për ruajtjen e trashëgimisë liturgjike lindore dhe për angazhimin e tij në dialogun ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse.

Në pranverën dhe verën e vitit 1991, në një nga çastet më delikate të historisë së Shqipërisë pas rënies së regjimit komunist, Selia e Shenjtë e dërgoi në një mision të posaçëm së bashku me Imzot Diego Causero dhe Imzot Vincenzo Paglia. Delegacioni kishte për detyrë të rivendoste kontaktet me Kishën vendëse dhe me autoritetet shqiptare, të evidentonte meshtarët e mbijetuar pas dekadave të përndjekjes ateiste dhe të përgatiste rilindjen e jetës kishtare në vend.

Pikërisht gjatë atij misioni, Imzot Lupinacci kremtoi Liturgjinë Hyjnore sipas ritit bizantin në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, e cila deri pak kohë më parë kishte qenë shndërruar në pallat sporti. Ishte një kremtim me vlerë të veçantë simbolike: pas shumë vitesh heshtjeje e dhune ndaj fesë, tradita liturgjike e Lindjes së krishterë rikthehej të jehojë në një nga kishat më të rëndësishme të Shqipërisë. Ai e konsideronte këtë si një shenjë të shpresës dhe të rilindjes së Kishës, si edhe të lidhjes së ripërtërirë ndërmjet arbëreshëve dhe Kishës mëmë në Shqipëri.

Njeri me kulturë të gjerë, Imzot Lupinacci dijen e tij e vuri gjithmonë në shërbim të Kishës, duke besuar se traditat kishtare të Lindjes dhe të Perëndimit nuk janë një pasuri që ndan, por një thesar që pasuron mbarë Kishën. Ky vizion e udhëhoqi në punën e tij të palodhur për dialogun ekumenik dhe për unitetin e të krishterëve.

Gjatë drejtimit të tij të Eparkisë së Ungrës u ndërtuan Kisha të reja, u zbukuruan tempuj me afreske e mozaikë sipas traditës bizantine dhe u ngritën qendra famullitare që edhe sot mbeten vende lutjeje, formimi dhe jete kishtare. Më 10 gusht 2010 Papa Benedikti XVI pranoi dorëheqjen e tij për shkak të moshës, por imtot Ercole Lupinacci vijoi të mbetej një pikë referimi për klerin dhe besimtarët arbëreshë.

Sot dhjetë vjet pas ndarjes së tij nga kjo jetë, kujtimi i Imzot Ercole Lupinacci mbetet i gjallë në Kishën Italo-Shqiptare, në botën arbëreshe dhe në Kishën në Shqipëri. Trashëgimia e tij vazhdon të jetojë në veprat që la pas, në dashurinë për traditën kishtare bizantine dhe në dëshminë e një bariu që i shërbeu Kishës arbëreshe me urti, besnikëri dhe largpamësi.

06 gusht 2026, 18:32