2025.08.20 Assemblea plenaria della Conferenza episcopale peruviana

Peru, kreu i ipeshkvijve: vizita e Papës, çast hiri e pajtimi

Ipeshkvi Carlos García Camader, në krye të Konferencës Ipeshkvnore Peruviane, komenton shtegtimin e Leonit XIV në nëntor, në vendin ku shërbeu si misionar: "Urojmë të jetë kohë paqeje dhe vëllazërie, por edhe vizioni më të mirë, që të bashkëpunojmë për dobinë e vendit"

Vatican News

"Gëzim i madh e lumturi". Kështu e priti Kisha e Perusë lajmin për vizitën e Papës Leoni XIV, planifikuar për 11-17 nëntor, gjatë një udhëtimi apostolik nëpër Amerikën Latine, që do të përfshijë edhe ndalesa në Uruguai e Argjentinë. Duke shprehur këto ndjenja për mediat e Vatikanit, Ipeshkvi Carlos García Camader, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Peruviane, theksoi se udhëtimi apostolik - i cili do të përfshijë Limën, Chiclayon, Cuscon dhe Pucallpanën - do të jetë çast paqeje, pajtimi e shprese për të gjithë peruanët.

Konfirmimi zyrtar i vizitës së Leonit XIV në Peru, që arriti më 5 gusht, shkaktoi gëzim të thellë ndërmjet mijëra besimtarëve në mbarë vendin, ku Robert Francis Prevost kaloi gati njëzet vjet si misionar. Është një mundësi, pohoi García Camader, për të forcuar unitetin, paqen dhe shpresën mes sfidave me të cilat përballet kombi: "Shpresojmë të jetë  kohë paqeje, mirëkuptimi dhe vëllazërie, por edhe vizioni më të mirëpritur të bashkëpunimit për të mirën e përbashkët të Vendit tonë".

Një mesazh, që i bashkon të gjithë peruvianët

Dëshira kryesore e Kishës Peruviane, shton kreu i episkopatit, është që vizita e Papës të kontribuojë në forcimin e unitetit kombëtar dhe në krijimin e një rruge të vërtetë pajtimi: "Shpresojmë të marrim nga Papa një mesazh, që i bashkon të gjithë Peruvianët. Jemi shumë rajone, secili me historinë dhe vuajtjet e veta, e ndonjëherë besojmë se situata e njërit, nuk kuptohet nga tjetri".

Ndarja e gëzimeve, e vuajtjeve dhe e shpresave të të gjithë peruanëve do të na lejojë të ndërtojmë një bashkësi të vërtetë, të frymëzuar nga fryma e Ungjillit, thekson akoma prelati: “Besoj se bashkimi i hidhërimeve me gëzimet, e i gëzimeve me shpresat, e bën të mundur ndërtimin e një bashkësie të vërtetë dhe të ndjerë, si Kishë, me bindjen se aty ku vuan një vëlla, të gjithë vuajmë. Kur gëzon një vëlla, të gjithë gëzohemi. Ndjenja  reciproke me një zemër të vetme".

Përparësi shpirtërore për vizitën

Imzot García i ftoi të gjithë peruanët të përgatiten shpirtërisht për ta mirëpritur Pasardhësin e Pjetrit: "Prania e tij ndërmjet nesh do të jetë dhuratë e vërtetë për popullin tonë,  e edhe mundësi për ta përtërirë fenë, për ta forcuar shpresën tonë dhe për të ecur së bashku si Kishë në shërbim të Ungjillit".

10 gusht 2026, 12:56