San Marino, ipeshkvi: Shtet mikpritës dhe i angazhuar në rrugët e paqes
Vatican News
“Në zemër të Republikës, një dëshmi paqeje që i flet botës” është mbishkrimi që qëndron në hyrje të Shtetit të San Marinos, i cili është gati të mirëpresë më 22 gusht Papa Leonin XIV. Në Apeninet qendrore, mes kodrave të buta ende të përvëluara nga vapa e verës, rrugët janë zbukuruar për festë për ardhjen e Papës. Bluja e çelët dhe e bardha e flamurit të mikro-shtetit, që e ka “libertas”-in themelin e vet, ndërthuren me të bardhën dhe të verdhën e flamurit të Vatikanit.
Duke ngritur sytë drejt Monte Titano-s dhe tri kullave të tij të famshme, shihen flamujt e Republikës së San Marinos dhe të Selisë së Shenjtë duke valëvitur së bashku, të lëvizur nga e njëjta erë. “Duam të forcohemi në besim”, ka thënë ipeshkvi i dioqezës San Marino – Montefeltro, Imzot Domenico Beneventi, në një intervistë për mediat e Vatikanit. Prelati e sheh vizitën e Papës si një inkurajim për dioqezën në rrugët e mikpritjes, mbështetjes, pajtimit dhe paqes.
Njëqind vjet marrëdhënie mes Selisë së Shenjtë dhe San Marinos
Vizita baritore e Leonit XIV në Dioqezën San Marino – Montefeltro – “Ju jeni drita e botës” (Mt 5,14) – dhe në Republikën e San Marinos, e cila do të zhvillohet nesër, më 22 gusht, duke filluar nga ora 9:00, do të ketë si pika qendrore të ditës takimin e Papës me institucionet politike në Pallatin Publik, me rastin e njëqindvjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Selisë së Shenjtë dhe San Marinos, si dhe takimin me autoritetet kishtare në Bazilikën e Shenjtit.
Në përfundim të takimit me Kapitenët Regjentë Alice Mina dhe Vladimiro Selva, në sallën e Këshillit të Madh dhe të Përgjithshëm, Papa do të dalë në ballkonin qendror të Pallatit Publik për të përshëndetur dhe bekuar besimtarët në shesh.
Më pas Papa do të shkojë në Bazilikën e San Marinos, ku do ta presin ipeshkvi imzot Domenico Beneventi dhe rektori i Bazilikës, dom Marco Mazzanti. Pas adhurimit të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë dhe nderimit të relikeve të Shën Marinos – themeluesit të qytetit dhe pajtorit qiellor së bashku me Shën Leonin dhe Shën Agatën –, Papa do të dalë nga Bazilika për të përshëndetur besimtarët e pranishëm në shesh, përpara se të largohet dhe të vijojë drejt Riminit.
Më parë Leoni XIV, do të bëjë një vizitë private në komunitetin e Manastirit Shën Antonit të Padovës të murgeshave augustiniane në Pennabilli, ku Prevost kishte qenë edhe më parë, si Epror i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, në vitet 2005 dhe 2009.
Një Republikë me një histori të gjatë
San Marino konsiderohet një nga Republikat më të vjetra në botë. Qendra historike brenda mureve të qytetit të San Marinos, kryeqytetit, dhe shpatet lindore të Monte Titano-s janë që prej vitit 2008 pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Sipas traditës, Marino ishte një gurëgdhendës nga Arbe (Rab), në Dalmaci, i cili mbërriti në Rimini në vitin 257 pas Krishtit. Prej aty, për t’u shpëtuar përndjekjeve të Dioklecianit kundër të krishterëve, u strehua në Monte Titano dhe mblodhi rreth vetes një komunitet të vogël, të cilit i përcolli një ndjenjë të fortë lirie dhe pavarësie.
Krerët e qytet-shtetit të San Marinos janë dy Kapitenët Regjentë, të cilët qëndrojnë në detyrë vetëm gjashtë muaj. Pushteti legjislativ ushtrohet nga Këshilli i Madh dhe i Përgjithshëm. Territori, me një sipërfaqe prej 61,18 kilometrash katrorë, ndahet në 9 “Kështjella” (Qyteti i San Marinos, Acquaviva, Borgo Maggiore, Serravalle, Faetano, Fiorentino, Domagnano, Montegiardino, Chiesanuova), ku jetojnë gjithsej rreth 34 mijë njerëz.
Imzot Domenico Beneventi, ipeshkv i San Marino – Montefeltro, në një deklaratë tuajën e keni cilësuar vizitën e Papa Leonit XIV në dioqezën San Marino – Montefeltro si “një dhuratë të veçantë”. Me çfarë fryme e presin Papën dioqeza dhe populli i saj besimtar?
Me frymën e besimtarëve. Duam të forcohemi në besim, të inkurajohemi në rrugët tona, veçanërisht këtu në San Marino, në fushën e mikpritjes, të mbështetjes, të çështjes së madhe të pajtimit dhe paqes dhe, mbi të gjitha, të kësaj vëmendjeje, edhe për pjesën italiane, ndaj problematikave të zonave të brendshme, zona që ruajnë dimensionin njerëzor dhe që kërkojnë pikërisht prej nesh, të krishterëve, të jemi një prani e afërt.
Imzot Beneventi, ju po mirëprisni për herë të parë një Papë në San Marino. Gjatë shërbesës suaj në këtë territor, a e keni ndier kujtimin dhe frytin e vizitave të Gjon Palit II në vitin 1982 dhe të Benediktit XVI në vitin 2011?
Jehona e vizitave të tyre vazhdon jo vetëm të kremtohet, por edhe të kujtohet si një kujtim i gjallë dhe frymëzues. I gjallë, sepse ende e ndiejmë aktualitetin e tyre, dhe frymëzues, sepse vazhdimisht u referohemi fjalimeve të tyre dhe pranisë së tyre.
Shpesh shtetet e vogla shihen edhe si vende të botës së luksit dhe mondanitetit. Si mund të përcillet një mesazh ndryshe dhe në çfarë terreni mund të gjejë hapësirë një vizion tjetër?
Sigurisht, nëpërmjet ndjenjës së komunitetit. Referimi ndaj ndjenjës së komunitetit në Shtetin e vogël të San Marinos, që është themeli i vlerës së lirisë, mund të çlirojë nga ajo që është deri diku mentaliteti i zakonshëm lidhur me mondanitetin.
Në këtë Shtet, ndjenja e komunitetit flet për sakrificën, për angazhimin, për mbështetjen e vlerave mbi të cilat themelohet vetë komuniteti, në lidhje me Ungjillin dhe me San Marinin. Kështu, prej këtij vendi të vogël mund të lindë një shpresë e re, e cila mund të japë fryt në të gjithë këtë rrugëtim të neutralitetit aktiv, që shpreh pikërisht veçorinë e një shteti mikpritës dhe të gatshëm për rrugë paqeje.
Ju i keni kërkuar Leonit XIV një lutje të veçantë për të rinjtë dhe keni përdorur fjalë si “drejtësi”, “paqe”, “shpresë”. Çfarë mund të nënkuptojë për brezat e rinj ky takim me Papën?
Sigurisht, ajo që ata më kanë besuar mua dhe që unë do t’ia paraqes Papës është nevoja për t’u përfshirë, për të mos qenë vetëm marrës a në qendër të vëmendjes dhe të fjalimeve, por për t’u përfshirë në mënyrë që të bëhen protagonistë të ndërtimit të së ardhmes.
Vizioni i tyre dëshiron vërtet të takohet me vështrimin e Papës, për t’u shndërruar më pas në rrugë që me siguri na mundësojnë t’u japim atyre hapësirë dhe rol protagonist, për ripërtëritjen jo vetëm të Kishës, por edhe të shoqërisë.