2025.11.11 Pellegrinaggio nazionale Vergine dei 33 Uruguay

Uruguaj, kryetari i ipeshkvijve: vizita e Papës, dhuratë për gjithë vendin

Kryeipeshkvi Milton Tróccoli pohon se udhëtimi i Leonit XIV, i parashikuar për 6 deri më 8 nëntor, përfaqëson mundësinë për të forcuar ungjillëzimin, për të ripërtërirë shpresën dhe për të riafirmuar rrënjët e krishtera të popullit uruguajan

Vatican News

Kisha në Uruguaj e priti me gëzim të jashtëzakonshëm njoftimin e vizitës apostolike të Papës Leoni XIV, planifikuar për 6-8 nëntor, etapa e parë e vizitës së tij në Amerikën Latine, që do të përfshijë edhe Argjentinën e Perunë. Për Presidentin e Konferencës Episkopale Uruguajane, Kryeipeshkvin Milton Tróccoli, vizita e Papës është hir i shumëpritur, që do ta inkurajojë bashkësinë katolike, do të forcojë misionin ungjillëzues dhe do të ofrojë një mesazh të ripërtërirë shprese për gjithë vendin.

Duke folur për mediat e Vatikanit, pastori i Maldonado-Punta del Este-Minas theksoi se lajmi u prit me entuziazëm nga një Kishë, që e pret prej kohësh vizitën e Pasardhësit të Pjetrit.

"Ne e mirëpresim vërtet si dhuratë e si bekim", deklaroi ai, duke shprehur bindjen se prania e Papës do të jetë shenjë afërsie dhe bashkimi për të gjithë besimtarët.

Një bari i Kishës, që përforcon në fe

Për imzot Tróccolin, çdo vizitë papnore ka rëndësi të thellë baritore. Leoni XIV do të vijë në Uruguaj për ta forcuar Kishën në udhën e saj të fesë, për ta inkurajuar të vazhdojë të shpallë Ungjillin dhe për t’i konfirmuar besimtarët në thirrjen e tyre si dishepuj misionarë.

"Do të na inkurajojë të gjithëve, do të na ndihmojë të vazhdojmë në rrugën e ungjillëzimit dhe do të na forcojë në fe", siguroi ai. Në të njëjtën kohë, prelati theksoi se vizita e tejkalon sferën kishtare dhe përfaqëson një lajm të mirë për të gjithë shoqërinë Uruguajane, e cila ka nevojë për mesazhe që frymëzojnë besim e shpresë. Në këtë drejtim, shpreh besimin se Papa do të mirëpritet si mbartës i vërtetë i paqes, i pajtimit dhe i unitetit:

"Ai do të na bëjë të shikojmë përpara, të shikojmë përtej, duke hapur një horizont të ri plot shpresë".

Ungjillëzimi në një shoqëri të shekullarizuar

Lidhur me rëndësinë e vizitës në një vend thellësisht të prekur nga shekullarizimi, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Uruguajane është i bindur se takimi me Papën do ta forcojë identitetin dhe misionin e Kishës. Leoni XIV, thotë ai, që nga fillimi i papnisë së tij tregoi aftësi unike për t'u angazhuar me botën bashkëkohore, duke nxitur takimin ndërmjet fesë dhe shoqërisë. Ky takim është veçanërisht i vlefshëm për Uruguajn, ku Kisha është e thirrur të shpallë Ungjillin përmes dialogut, respektit dhe shërbimit.

Për më tepër, thekson Tróccoli, mesazhi i Papës do të kontribuojë për nxitjen e mëtejshme të vlerave ungjillore, si themel i një shoqërie më humane, që i kushtohet dinjitetit të secilit person dhe të mirës së përbashkët: "Unë besoj se mbarë vendi, pavarësisht nga ndjeshmëritë e   ndryshme, do ta mirëpresë Papën shumë ngrohtësisht, ndërsa mesazhin e tij do ta presë me shumë interes”.

Duke ndjekur shembullin e Shën Gjon Palit II

Leoni XIV do të jetë Papa i dytë që viziton Uruguajn, pas Shën Gjon Palit II, i cili e vizitoi dy herë vendin. Prania e Papës polak mbetet e gjallë në kujtesën e shumë besimtarëve; një vizitë e re papnore mund ta ringjallë atë përvojë bashkimi me Kishën universale. Në këtë kuptim, sipas presidentit të episkopatit, ekziston një vazhdimësi e qartë ndërmjet dy vizitave, pasi ato shprehin dashurinë e qëndrueshme të Pasardhësit të Pjetrit për Kishën Uruguajane.

"Ne jemi një Kishë e vogël, por që gjithmonë dëshiron të mbetet besnike dhe në bashkim me Kishën e Romës". Prania e Papës përfaqëson, pra, një inkurajim për të vazhduar të jemi "dritë, kripë dhe maja" në shoqëri.

Virgjëra e Tridhjetetreve, zemër shpirtërore e udhës

Një nga çastet më domethënëse të shtegtimit të Leonit në Uruguaj do të jetë, padyshim, 8 nëntori, kur Papa do të marrë pjesë në festimet për solemnitetin e Virgjëreshës së Tridhjetetreve, Pajtores së vendit. Festimi i këtij viti bie të dielën, një rrethanë që, sipas presidentit të Konferencës Ipeshkvnore, do t'i japë edhe më shumë kuptim të veçantë shtegtimit tradicional kombëtar, që zhvillohet çdo vit të dielën më të afërt me festën.

Imzot Tróccoli  theksoi se emocionohet kur mendon se Papa do të jetë në gjendje të lutet para figures historike të Virgjëreshës në shenjtëroren e saj, thellësisht e lidhur me identitetin dhe historinë kombëtare të vendit. Ky gjest do të kontribuojë në ripërtëritjen e vizionit të Marisë si Nënë dhe ndërmjetëse, duke kujtuar edhe rrënjët e krishtera të Uruguajt si dhe nevojën për të vazhduar kultivimin e tyre në të tashmen: "Prania e Papës do të jetë dhuratë e veçantë për të gjithë shtegtarët".

Jubileu i meshtarëve në Uruguaj
Jubileu i meshtarëve në Uruguaj

Fytyra e besimit popullor

Ipeshkvi theksoi edhe se vizita do t'i lejojë Papës Leoni të njohë nga afër një shprehje feje ende të gjallë në gjirin e popullit Uruguajan: besimin fetar popullor. Edhe pse Uruguaj shpesh portretizohet si një nga vendet më laike të Amerikës Latine, Tróccoli përsërit se përkushtimi ndaj Marisë vazhdon të rritet dhe është gurrë shprese për shumë njerëz.

Maria "na inkurajon gjithnjë ta shikojmë Birin e saj" dhe i shoqëron njerëzit në udhëtimin e tyre me sigurinë se askush nuk ecën vetëm në jetë. Për këtë arsye, takimi i Papës me shtegtarët premton të jetë një nga çastet më prekëse shpirtërore të udhëtimit.

Një mundësi baritore për mbarë Kishën

Ipeshkvi Tróccoli e fton, prandaj, të gjithë Kishën Uruguajane të përgatitet shpirtërisht për vizitën, parë si mundësi vërtet baritore. Papa, pohon ai, vjen si bari universal për të mbështetur një "grigjë të vogël" që duhet të ndihet e shoqëruar dhe e konfirmuar në misionin e saj:

"Jam i sigurt se do të mirëpritet shumë mirë, se të gjithë do ta kuptojnë, të etur për ta parë e për ta dëgjuar".

07 gusht 2026, 13:46