Videomesazh i Papës Françesku për Mozambikun: “me zemër, ju përqafoj të gjithëve”

"Dua t’ju jap këtë siguri: ju kujtoj të gjithëve në lutje. Mezi ç’pres t’ju takoj": kështu u thotë Papa Françesku mozambikanëve, në një videomesazh, në prag të udhëtimit të tij në Mozambik, Madagaskar e Mauricius, nga 4 deri më 10 shtator.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku përgatitet të shkojë në udhëtimin e tij të 31-të apostolik, gjatë të cilit, nga 4 deri më 10 shtator, do të vizitojë Mozambikun, Madagaskarin dhe ishullin Mauricius. Etapa e parë e shtegtimit të tij është kryeqyteti Maputo i Mozambikut, ku Ati i Shenjtë do të qëndrojë më 4,5 e 6 shtator. Si gjithnjë, para udhëtimeve, Papa u drejtohet banorëve dhe besimtarëve të vendit me një videomesazh, që tashmë, është bërë traditë. Sot, Françesku i flet “popullit të dashur të Mozambikut”, vendit të parë, ku do të shkelë këmba e tij, pas vizitës së shën Gjon Pali II, në vitin 1988.

“Pas pak ditësh – thotë Papa Bergoglio – do të fillojë vizita ime në vendit tuaj e, megjithëse nuk mund të shkoj përtej kryeqytetit, me zemër arrij tek ju e ju përqafoj të gjithëve, duke u lënë një vend të veçantë atyre, që jetojnë në vështirësi. Dua t’ju jap këtë siguri: ju kujtoj të gjithëve në lutje. Mezi ç’pres t’ju takoj.

Siç mora ftesën e zotit President dhe të vëllerëzve të mi ipeshkvij për të ardhur tek ju (e ju falenderoj për këtë!), ashtu ju bëj ftesë edhe unë të bashkoheni me lutjen time që Zoti, Atë i të gjithëve, të përforcojë pajtimin, paqtimin vëllazëror në Mozambik e në krejt Afrikën, e vetmja shpresë për një paqe të vlefshme e të qëndrueshme.

Do të kem kënaqësinë t’i ndaj këto bindje drejtpërdrejt me ju e të shoh edhe si zhvillohet fara e mbjellë nga paraardhësi im, shën Gjon Pali II. Ky udhëtim do të më japë mundësi të takohem me bashkësinë katolike dhe ta përforcoj në dëshminë e saj të Ungjillit, i cili na mëson se çdo burrë e grua ka dinjitet dhe na kërkon t’ua hapim zemrat të tjerëve, veçanërisht, të varfërve dhe nevojtarëve.

Të dashur vëllezër dhe miq, - e përfundon Papa videomesazhin për Mozambikun - unë e di se shumë prej jush po punojnë për të përgatitur vizitën time, edhe me lutje, prandaj, ju falënderoj me gjithë zemër. Lutem që mbi ju e mbi vendin tuaj të dikohen bekimet e Zotit dhe mbrojtja e Nënës sonë, Virgjërës Mari. Mirupafshim së shpejti!”

30 gusht 2019, 09:05