Papa Françesku për Kishën siro-malabareze: bashkimi fiton mbi çdo konflikt
R.SH. - Vatikan
“Të ecim së bashku me Popullin e Zotit që bashkimi të kapërcejë çdo konflikt”. Ky, thelbi i mesazhit të Papës Françesku për ipeshkvijtë, klerin, rregulltarët dhe laikët e Kishës siro-malabareze, në të cilin Ati i Shenjtë kujton rëndësinë e marrëveshjes së arritur në vitin 1999 për standardizimin e Kurbanës Shenjte (Liturgjisë Kishtare).
“Ishte një hap i rëndësishëm për stabilitet më të madh dhe për bashkim kishtar” vëren Papa Françesku, duke përmendur impenjimin e Shën Gjon Palit II, i cili, në vizitën e tij apostolike në Indi më 1986, përuroi Kurbanën e restauruar dhe shpalli të lum atë Kuriakose Elias Chavara dhe motrën Alfonsa Muttathupandathu në stadiumin Nahru në Kottayam. Në dhjetor 1992, Papa Wojtyla e ngriti Kishën siro-malabareze në seli kryeipeshkvnore kryesore dhe caktoi kardinalin Antony Padiyara të Ernakulam-Angamaly si kryeipeshkvin e parë të madh.
Shoshitja e vazhdueshme
“Pavarësisht nga disa vështirësi, që kërkojnë shoshitje të vazhdueshme në jetën e Kishës suaj, - lexohet në Letrën e shkruar para se Ati i Shenjtë të shtrohej në spital - normat e miratuara për kremtimin eukaristik kanë dhënë fryte të dukshme, përfshirë ungjillëzimin e atyre vendeve. Për t’u veçuar, Eparkitë misionare, ku e gjithë bashkësia u bashkua në lutje paqësore, duke interpretuar konsensusin e vazhdueshëm të hierarkisë si fryt të Shpirtit Shenjt”.
Përsa i përket Liturgjisë së re - Raza Qurbana Taksa - Papa i nxit të gjithë meshtarët, rregulltarët e besimtarët “të ecin përpara drejt uniformitetit të kremtimit për të mirën e Kishës. Shpirti Shenjt favorizoftë harmoninë, vëllazërimin ndërmjet gjithë anëtarëve të Kishës suaj, ndërsa punoni për të vënë në jetë një vendim sinodal”, e përfundon Letrën, Papa Françesku.
Kisha siro-malabareze
Ajo siro-malabareze është Kisha e dytë Katolike lindore (pas asaj ukrainase), me 5 milion besimtarë. Që nga viti 2004, ajo është Kishë “Sui juris”: Selia e Shenjtë i ka garantuar kompetenca të plota administrative, përfshirë pushtetin për të zgjedhur ipeshkvijtë dhe për t’u kujdesur për besimtarët e saj në gjithë botën. Nga 34 dioqezat ekzistuese, 18 janë në shtetin indian të Keralas, nga ku e ka zanafillën; të tjerat ndodhen në shtete të ndryshme të Indisë (13), ose jashtë vendit, për besimtarët e emigruar në vende si: SHBA, Kanada, Mbretëri e Bashkuar, Australi, Zelandë e Re. Për vendet e tjera të Evropës, ka një Vizitator apostolik, që banon në Romë. Në Kishën siro-malabareze shërbejnë më se 8500 meshtarë dhe 32 mijë murgesha. Zanafilla e saj përkon me ungjillëzimin e shën Tomës apostull në trojet e Keralas, rreth vitit 52.