Leoni XIV Kishës Bizantine: shpalleni Ungjillin me pasurinë e traditës suaj
R.SH. / Vatikan
“Ju siguroj afërsinë time shpirtërore dhe takimin tuaj ia besoj ndërmjetësimit të Marisë Virgjës, Nënës së Zotit. Të gjithë pjesëmarrësve në Asamble u jap, me kënaqësi, Bekimin tim Apostolik, të cilin e shtrij te të gjithë anëtarët e Kryeparkisësi shenjë urtësie, gëzimi dhe paqeje në Zotin”. Me këto fjalë Papa Leoni XIV përshëndeti dhe bekoi, në një mesazh, pjesëmarrësit në Asamblenë e Tretë të Kryeiparkisë Metropolitane Katolike Bizantine të Pitsburgut, thirrur nga kryepeskopi metropolitan William Skurla dhe Këshilli i Hierarkëve dhe mbledhur në Kishën e Shën Marisë së Whiting në shtetin e Indianës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dëshmia e fesë në kumtimin e sotëm
"Asambleja juaj," shkruan Papa Prevost, "e cila zhvillohet nën temën 'Ejani, le të adhurojmë dhe të përulemi para Krishtit', ofron një mundësi të çmuar për t'u rritur në unitet dhe për të riafirmuar angazhimin tuaj ndaj Zotit. Përmes kremtimeve tuaja liturgjike, reflektimit lutës dhe dialogut vëllazëror, ju me siguri do ta ripërtërini dëshminë tuaj besnike ndaj Krishtit dhe do ta thelloni shpalljen tuaj të Ungjillit në traditën e pasur të Kishave Katolike Bizantine".
Ripërtëritja baritore e rrënjosur në rashëgiminë
Papa së fundi thekson shenjën e rëndësishme të unitetit ndërmjet të krishterëve dhënë edhe nga pjesëmarrja e gjerë në punën e kësaj Asambleje. "Pjesëmarrja e klerit, rregulltarëve dhe besimtarëve laikë," vazhdon mesazhi i Leonit XIV, "së bashku me përfaqësuesit e Ekzarkatit të Torontos dhe Dikasterit të Vatikanit për Kishat Orientale, ofron një shenjë të dukshme bashkimi në Kishë". "Falënderoj", përfundon Leoni XIV, "për dëshminë e paraardhësve tuaj, të cilët ndërtuan komunitete të gjalla bizantine në Amerikën e Veriut mes sfidave dhe pasigurive të ndryshme. Trashëgimia e tyre vazhdon në përqafimin tuaj të guximshëm të ripërtëritjes baritore, e cila është e rrënjosur në besnikërinë ndaj trashëgimisë suaj".
