Me krahë hapur, në mes plagëve të njerëzimit
R.SH. / Vatikan
Është 19 korriku i vitit 1943. Bombarduesit amerikanë sulmojnë qytetin e Romës, për herë të parë që nga fillimi i Luftës II Botërore. Vdesin të paktën 3,000 vetë. Në numrin e saj të 21 korrikut të atij viti, gazeta "L'Osservatore Romano" boton në faqen e parë, një artikull titulluar "Ati i Shenjtë ndërmjet besimtarëve të dioqezës së tij të Romës, goditur nga sulmi ajror".
Para së gjithash, ia vlen të kujtojmë se Papa Piu XII, sapo mësoi për operacionin ushtarak në lagjen San Lorenzo dhe stacionin hekurudhor Tiburtino, shprehu dëshirën për të shkuar ndërmjet atyre rrënojave e atyre plagëve therëse. Artikulli saktëson edhe kohën e saktë në të cilën ky qëllim bëhet hapi i parë ndërmjet rrënojave, jo vetëm materiale, të Romës. Është ora 17:20 dhe bombardimet vijojnë... nuk kanë mbaruar ende. Papa, duke shpërfillur sigurinë e vet, largohet nga Vatikani për ta bashkëjetuar atë çast dramatik me popullin e Romës. Gazeta e Selisë së Shenjtë shkruan se Papa shoqërohet nga Giovanni Battista Montini, asokohe Zëvendës- Sekretar i Shtetit, i cili do të ulej në fronin e Shën Pjetrit në vitin 1963.
Nëpër rrugët e Romës së bombarduar
Ky i Piut XII në korrik 1943 është itinerar nëpër cepat e Romës, të dëmtuara nga lufta. Në disa pasazhe të asaj kronike, rrëfimi i Osservatore Romano përputhet me një hartë të qytetit. Është veçanërisht e rëndësishme të përmendet se përgjatë rrugës dhe deri në Porta Maggiore, kalimi i karrocës papnore u vu re nga shumë njerëz. Lajmi u përhap shpejt dhe populli i Romës e pa Papën duke kaluar mbi rrënoja. Përballë skenave të shkatërrimit, Papa ngadalësoi karrocën e kërkoi lajme për viktimat e edhe dëmet e shkaktuara nga bombat. Duke kaluar ngadalë rrugët ngjitur me zonën e Veranos, Papa Pacelli pa një turmë njerëzish gjithnjë në rritje. Mbërritja e tij në lagjen San Lorenzo u shoqërua, mbi të gjitha, me një gjest: Papa Piu XII i hapi krahët në mes të qytetarëve dhe besimtarëve.
Pranë pikëllimit të popullit
Në sheshin përpara Bazilikës së Shën Lorencit, Papa Pacelli u takua me turmën e pafundme të njerëzve. L'Osservatore Romano e përshkroi skenën, duke u ndaluar tek përqafimi dhe duke cituar disa nga fjalët e shqiptuara nga Papa me atë rast. Në artikull u theksua se Piu XII i qe drejtuar popullit me fjalë ngushëllimi, duke kuptuar "ankthin e papërshkrueshëm të një mori familjesh të privuara kaq tragjikisht nga të dashurit dhe shtëpitë e tyre". Papa - vazhdon gazeta e Selisë së Shenjtë - i lutet Zotit "ta shndërrojë një dhimbje kaq të madhe, në një forcë po kaq të madhe shpirtërore dhe morale". E, më pas, bekon të pranishmit, familjet e tyre dhe të gjithë qytetin e Romës.
Britma e Papës për paqe
Ky gjest i Piut XII, qe e mbështjell, e mbron dhe e përqafon popullin, ngjall guxim. Papa, siç lexojmë në përfundim të kronikës së Osservatore Romano, ndenji ndërmjet atyre rrënojave, ndërmjet atyre njerëzve, për më shumë se një orë e gjysmë. Piu XII, në ato çaste dramatike, "i përfocoi të gjithë në fe e në shpresë". Disa dëshmitarë dëshmojnë se kur u kthye në Vatikan, rrobat e Papës ishin të njollosura me gjak.
Ky përqafim nuk është thjesht ikonik. Kjo britmë për paqe duhet dëgjuar: në shtator, nënshkruhet armëpushimi, ndërsa në vitin 1945, fundi i Luftës II Botërore hap një faqe të re në histori.
Një përqafim njerëzimit të plagosur
Krahët e shtrirë të Papës Piu XII, që kujtohet me titullin "Defensor Civitatis", mbeten sot në shpirt, pranë plagëve të familjes njerëzore. Edhe sot, njerëzimi është i tronditur nga konfliktet, të tilla si këto të Ukrainës dhe të Lindjes së Mesme.
Janë tragjedi që prekin kryesisht më të prekshmit: civilët, gratë dhe fëmijët, në pritje të fundit të luftës.
Ata duan paqe, si populli i Romës gjatë Luftës II Botërore.
