Leoni XIV Leoni XIV

Netanyahu i telefonon Papës, Leoni XIV përsërit thirrjen për armëpushim

Bisedë telefonike, këtë mëngjes, pas sulmit ushtarak kundër Kishës së Familjes së Shenjtë në Gaza. Papa theksoi sërish shqetësimin për "situatën dramatike humanitare" në Rripin e Gazës dhe ripohoi urgjencën për të mbrojtur vendet e kultit dhe të gjithë njerëzit në Palestinë dhe Izrael.

R.SH. / Vatikan

Papa mori një telefonatë, këtë mëngjes, në rezidencën e Castel Gandolfos, nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, "pas sulmit ushtarak të ushtrisë izraelite që ndodhi dje dhe goditi Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e të tjerëve, disa rëndë". Kështu bën të ditur një komunikatë nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Gjatë bisedës, Leoni XIV "ripohoi thirrjen e tij për t'i dhënë një shtysë të re negociatave dhe për të arritur armëpushimin dhe fundin e luftës". Papa shprehu gjithashtu "shqetësimin e tij për situatën dramatike humanitare të popullsisë në Gaza, çmimi i tmerrshëm i së cilës paguhet veçanërisht nga fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët". Së fundi, përfundon komunikata, Papa Leoni XIV "ripohoi urgjencën për të mbrojtur vendet e kultit dhe mbi të gjitha besimtarët dhe të gjithë njerëzit në Palestinë dhe Izrael".

18 korrik 2025, 13:37