2025.07.16 XX Congresso della Cisl

Papa për sindikatën CISL: promovoni shoqëritë paqësore në shërbim të zhvillimit njerëzor

Mesazh i Leonit XIV, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, drejtuar Sekretares së Përgjithshme të CISL, Fumarola, për Kongresin XX Kombëtar italian, i cili u hap më 16 korrik, në Romë. Objektivi i përbashkët është "një rend marrëdhëniesh shoqërore më njerëzore" për të kontribuar në "qetësinë e rendit" kaq të dashur për Shën Augustinin

R.SH. – Vatikan

 Duhet "promovuar një rend marrëdhëniesh shoqërore më njerëzore, si edhe shoqëri paqësore e të drejta në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor dhe të së mirës së familjes njerëzore". Ftesa e Papës Leoni XIV, në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i drejtohet Kongresit të 20-të Kombëtar të sindikatës italiane CISL, që filloi dje, 16 korrik, në Romë, me temën "Guximi i pjesëmarrjes". Në një mesazh drejtuar Sekretares së Përgjithshme të CISL, Daniela Fumarola, Leoni XIV përshëndet organizatorët, relatorët dhe pjesëmarrësit, duke shprehur "vlerësimin për ngjarjen, e cila shënon një moment të rëndësishëm në punën e sindikatës" dhe duke shpresuar që "ky simpozium i rëndësishëm të frymëzojë një impenjim të ripërtërirë për t’i ndërgjegjësuar të gjithë lidhur me përgjegjësitë e tyre shoqërore".

Papa i këshillon delegatët “të mos e humbasin nga sytë objektivin e përbashkët për të kontribuar në atë “tranquillitas ordinis”, ose “qetësinë e rendit” të Shën Augustinit, shprehje e përdorur prej tij në veprën “De Civitate Dei”.

17 korrik 2025, 15:58