Rripi i Gazës: dje u sulmua famullia latine, tre të vdekur dhe 11 të plagosur

Dje një tank izraelit sulmoi Famullinë latine të Familjes Shenjte në Gaza: vrau tre refugjatë e plagosi njëmbëdhjetë. Sulmi i tmerroi rreth 500 personat e strehuar në kompleks. Papa dhe Kisha e Evropës shprehën ngushëllimet, ndërsa Izraeli nisi hetimin për ngjarjen

R.SH. / Vatikan

"Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10:10, Famullia latine e Familjes  Shenjte, e vetmja famulli katolike në Gaza, e cila strehon afërsisht 500 të krishterë të zhvendosur që kanë humbur gjithçka për shkak të luftës, u sulmua nga një tank izraelit, që vrau tre vetë: një burrë e dy gra, ndërsa plagosi 11 të tjerë. Refugjatët u tmerruan pas shpërthimit pranë kryqit në çatinë e Kishës, prej nga ranë në oborr copëza dhe mbeturina".

Anton Asfar, drejtor i Caritas Jerusalem i përshkroi për agjencinë e lajmeve SIR, fazat e bombardimit që goditi famullinë katolike në Gaza.  Pak më parë, Patriarku Latin i Jerusalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa,  kishte dhënë lajmin me një deklaratë të shkurtër: "Sot në mëngjes u sulmua famullia latine e Familjes Shenjte, në Gaza. Tre vetë u vranë e 11 u plagosën: disa prej tyre rëndë. Meshtari i famullisë, Atë Gabriel Romanelli, u plagos lehtë dhe po mjekohet në spital".

Deklarata u përsërit disa herë me kalimin e orëve. Famullia katolike e Gazës aktualisht strehon rreth 500 të krishterë të zhvendosur. Të vdekurit janë Saad Salameh, 60 vjeç dhe Fumayya Ayyad, 84 vjeçe. I pari, kujdestari i famullisë, në kohën e sulmit ishte në oborr; ndërsa viktima e dytë ishte një grua, që strehohej në tendën e Caritas që përdoret për mbështetje psikosociale. Viktima e tretë, Najwa Abu Daoud, afërsisht 70 vjeç, mbeti e vrarë, ndërsa ishte në tendë, me Ayyad.

Historia e sulmit

"Po i ndjekim zhvillimet minutë pas minute" - shpjegohet nga Caritasi - "Njerëzit brenda kompleksit të famullisë kishtare në Gaza, të tmerruar, janë mbyllur në dhomat e tyre, ish-klasa mësimi. Në kohën e shpërthimit, ishin jashtë ndërtesës kryesore disa njerëz, përfshirë dy gra të moshuara të ulura brenda tendës sonë të mbështetjes psikosociale të Caritasit. Të dyja u plagosën rëndë dhe u dërguan me ambulancë në Spitalin Al-Ahli. "Tre të rinj të tjerë - vazhdon Asfar - të cilët ishin në hyrje të kishës, u plagosën rëndë dhe u dërguan në spital me transport privat për shkak të urgjencës së situatës".

Të plagosur të tjerë nga qelqi dhe shrapneli, u trajtuan me qepje. Javën e kaluar, kujton drejtori i Caritas, "Atë Romanelli u kishte kërkuar njerëzve të mos dilnin nga dhomat, pasi bombardimet intensive dhe operacionet ushtarake aty pranë e kishin bërë zonën gjithnjë e më të rrezikshme. Dje, kërcënimi u bë veçanërisht serioz për shkak të pranisë së tankeve izraelite pranë kompleksit të kishës dhe sulmeve të menjëhershme e të vazhdueshme në afërsi". Kuptimplote, fjalët e një punonjësi të Caritas Jerusalem, të kumtuara nga Asfar:

"Nëse Atë Gabriel nuk do të na kishte kërkuar të qëndronim brenda, sot do të kishte pasur një masakër me të paktën 50 ose 60 vdekje".

Caritas Jerusalem është zotuar të qëndrojë në kontakt me ekipin e tij në Gaza për të ndjekur gjendjen e të plagosurve. Së fundmi, thirrja: "drejtuar të gjitha palëve të respektojnë dhe të mbrojnë vendet e adhurimit dhe strehët humanitare. Dëmtimi ose rrezikimi i civilëve që kërkojnë strehim përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare si dhe shkelje e drejtpërdrejtë e dinjitetit njerëzor".

Mesazhi i Papës

Papa Leoni XIV i dërgoi një telegram ngushëllimi, nënshkruar nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, famullitarit, Atë Gabriel Romanellit si dhe të gjithë bashkësisë famullitare. Shprehu, kështu, trishtimin e tij të thellë pasi u njoftua për humbjen e jetëve dhe lëndimet e shkaktuara nga sulmi ushtarak kundër Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë, në Gaza. Duke siguruar për afërsinë shpirtërore e lutjet për të ndjerët, si dhe për shërimin e të plagosurve, Papa ripohoi thirrjen për  armëpushim të menjëhershëm dhe shprehu besimin për dialog, pajtim dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Cei dhe Comece

"Mësojmë me hidhërim" - shkruan Presidenca e Konferencës Ipeshkvore e Kishës Katolike të Italisë - për sulmin e papranueshëm kundër Kishës së Familjes Shenjte, në Gaza. Shprehim afërsinë tonë me bashkësinë e famullisë së prekur, me një mendim të veçantë për ata që vuajnë dhe për të plagosurit, ndërmjet të cilëve, edhe Atë Gabriel Romanelli”. “E ndërsa dënojmë me vendosmëri dhunën që vazhdon të mbjellë shkatërrim dhe vdekje në gjirin e popullsisë së Rripit, të prekur rëndë nga muaj lufte”, vazhdon deklarata, “u bëjmë thirrje palëve të përfshira dhe bashkësisë ndërkombëtare të heshtin armët dhe të fillojnë bisedimet, e vetmja rrugë e mundshme drejt paqes”.

Së fundmi, Presidenca e Konferencës Ipeshkvore e Kishës Katolike të Italisë falënderon "Presidenten e Bashkimit të Komuniteteve Hebraike Italiane, Noemi Di Segni, për mesazhin e saj të solidaritetit, si dhe të gjithë ata që, në këto orë, po tregojnë afërsinë e tyre me Kishën Katolike".

Nga Ukraina, ku ndodhet për një vizitë solidariteti, edhe Imzot Mariano Crociata, në emër të Komisionit të Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian (Comece) shprehu ngushëllimet për viktimat e afërsinë me bashkësinë katolike. "Akte të tilla ripërtërijnë hidhërimin tonë për përhapjen e dhunës dhe na shtyjnë të përsërisim me forcë qëndrimin e vendosur kundër  të gjitha formave të luftës dhe të konfliktit të armatosur".

Reagimet Izraelite

Pas sulmit, Ushtria Izraelite (IDF) lëshoi një deklaratë në platformën sociale X, duke theksuar se ishte "në dijeni të dëmeve në Kishën e Familjes së Shenjtë në Qytetin e Gazës e edhe të viktimave në vend. Rrethanat e incidentit janë në fazën e shqyrtimit. IDF po bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të zbutur dëmin që iu bë civilëve dhe strukturave civile, duke përfshirë vendet fetare, dhe shpreh keqardhje për çdo dëm të shkaktuar".

Nga ana e saj, Ministria e Jashtme Izraelite, përsëri në platformën sociale X, "shpreh keqardhjen e thellë për dëmin në Kishën e Familjes Shenjte në Qytetin e Gazës dhe për viktimat civile”.

Ndërkaq IDF (Ushtria Izraeliane) po e heton këtë incident, rrethanat e të cilit janë ende të paqarta, ndërsa rezultatet e hetimit do të publikohen në mënyrë transparente. Izraeli nuk i sulmon kurrë kishat ose vendet fetare dhe shpreh keqardhje të thellë për çdo dëm të bërë kundër një vendi fetar ose kundër civilëve të papërfshirë ndër sulme".

18 korrik 2025, 11:31