PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT-CHRISTIANITY-CHURCH

Thirrja e Papës pas goditjes së famullisë së Gazës nga Izraeli: tani, armëpushim

Kisha e Familjes Shenjte, e vetmja kishë katolike në Gaza, u godit sot paradite nga një sulm izraelit, i cili shkaktoi dy të vdekur e disa të plagosur. U plagos lehtë edhe famullitari, atë Gabriel Romanelli. Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Leoni XIV shpreh "trishtimin e tij të thellë", siguron afërsinë e tij shpirtërore dhe lutjet për të gjithë bashkësinë, duke bërë thirrje për "armëpushim të menjëhershëm"

R.SH. – Vatikan

Kisha e Familjes Shenjte, e vetmja kishë katolike në Rripin e Gazës, u godit sot paradite nga një sul izraelit, i cili shkaktoi dy të vdekur (konfirmuar nga Patriarkati Latin i Jerusalemit) e katër të plagosur rëndë. Disa të tjerë janë plagosur më lehtë, përfshirë famullitarin, atë Gabriel Romanelli.

Menjëherë mbërriti telegrami i Papës Leoni XIV, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në të cilin Ati i Shenjtë bën sërish thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm" në Rripin e Gazës dhe shpreh "shpresën e tij të thellë" për "dialog, pajtim dhe paqe të qëndrueshme në rajon".

Afërsi dhe lutjet

Papa i drejtohet edhe atë Romanelli-t - i cili u mjekua menjëherë në spitalin lokal Al-Ahli në qytetin e Gazës - duke vënë në dukje "trishtimin e tij të thellë" për këtë sulm kundër famullisë, e cila që nga fillimi i luftës ka strehuar mbi 500 njerëz në ikje nga konflikti. Duke ia besuar shpirtrat e të ndjerëve "mëshirës së dashur të Zotit të Gjithëpushtetshëm", Papa Leoni XIV e siguron gjithë bashkësinë për "afërsinë shpirtërore" dhe për lutjet e tij "që Zoti t’i ngushëllojë ata, që po mbajnë zi dhe të ndihmojë në shërimin e të plagosurve".

17 korrik 2025, 13:10