Papa Leoni XIV i drejtohet Asamblesë Dioqezane të Romës në Bazilikën e Shën Gjon Lateranit (@Vatican Media) Papa Leoni XIV i drejtohet Asamblesë Dioqezane të Romës në Bazilikën e Shën Gjon Lateranit (@Vatican Media)

Leoni XIV: Kisha të eksperimentojë gjuhë të reja, të kapërcejë qasjen shkollore të katekizmit

Ipeshkvi i Romës përqafon popullin e tij në asamblenë dioqezane në Shën Gjonin e Lateranit. I nxit të punojnë për një Kishë, laborator sinodaliteti, duke forcuar formimin e organizmave të pjesëmarrjes dhe të katekistëve, duke përfshirë të rinjtë dhe familjet në një projekt të përbashkët, sidomos në shërbimin ndaj më të varfërve dhe më të brishtëve

R.SH. – Vatikan

Papa Leoni XIV kthehet në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në "Katedralen e tij", për asamblenë dioqezane të Romës mbajtur sot pasdite, 19 shtator, për të përqafuar, si Ipeshkëv i Romës, popullin e tij. Në meditimin që u propozoi besimtarëve në zemër të kryeqytetit italian, së pari, Papa falënderoi ata, që i kushtohen dishepullimit dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë, duke bartur barrën e detyrës, por edhe, duke lehtësuar barrët e atyre, që trokasin në dyert e bashkësive kishtare të qytetit. Punë edhe më e çmuar "në këtë kohë të vështirë historike", theksoi Papa Prevost, i cili, duke komentuar fragmentin ungjillor të ditës nga Gjoni (Gjn 4,10)) që flet për takimin e gruas samaritane me Jezu Krishtin, u përqendrua në dhuratën e Shpirtit Shenjt, ujin e gjallë "që e shuan etjen tonë të zjarrtë dhe i ujit thatësirat shpirtërore, duke u bërë dritë në udhën tonë". Ati i Shenjtë Leoni XIV i këshilloi të pranishmit t’ia besojnë vetveten Shpirtit Shenjt, i vetmi në gjendje ta rigjallërojë Kishën e Romës, por edhe të punojnë me përkushtim për ta bërë këtë Kishë një "laborator sinodaliteti". Ky, mesazhi i Atit të Shenjtë.

Laborator sinodaliteti

Sakramentaliteti dhe shembulli i popullit të shenjtë të Zotit - koncepte kyçe të eklesiologjisë së Koncilit II të Vatikanit dhe të hermeneutikës së Papës Françesku – ishin në qendër të reflektimit të Leonit XIV, i cili nënvizoi se pikërisht ato bëjnë pjesë në kërkesat e Dokumentit përfundimtar të Sinodit e duhen zbatuar në praktikë nga çdo bashkësi dioqezane. Duhet të "kapërcejmë presionet e shumta drejt kundërvënies, ose drejt izolimit për t’u mbrojtur", vijoi Papa, që kërkoi të vlerësohen dhuratat e secilit për të ndërtuar një Kishë paqësore dhe të harmonishme, vërtet misionare.

“Tani, na takon neve të vihemi në punë që Kisha e Romës të bëhet laborator sinodaliteti, në gjendje - me hirin e Tënzot - të realizojë "vepra ungjillore", në një kontekst kishtar ku nuk mungojnë sfidat, veçanërisht lidhur me transmetimin e fesë, si edhe në një qytet, që ka nevojë për profeci, i munduar siç është nga varfëritë e shumta ekonomike dhe ekzistenciale në rritje, me të rinj shpesh të çorientuar dhe familje shpesh me peshë të rënda”.

Të favorizohet pjesëmarrja e të gjithëve në jetën e Kishës

Leoni XIV nguli këmbë në nevojën për pjesëmarrjen aktive të të gjithëve në jetën e Kishës, në mënyrë që procesi, me të cilin merren vendimet baritore, të kalojë vërtet përmes "shqyrtimit të përbashkët".

“Për këtë arsye, ju ftoj të forconi formimin e organizmave të pjesëmarrjes dhe, në nivel famullie, të rishikoni hapat e ndërmarrë deri më sot ose, aty ku mungojnë organizma të tilla, të kuptoni cilat janë problemet, për t’i kapërcyer ato”.

Kujdesi për fillesat dhe për ungjillëzimin e krishterë

Duke vërejtur se "kërkesa për Sakramentet po bëhet një opcion gjithnjë e më pak e përdorur", Leoni XIV këshillon promovimin e dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe zbatimin në praktikë të bamirësisë.

“Duhet të eksperimentohen, nëse është e nevojshme, mjete dhe gjuhë të reja, duke i përfshirë familjet në proces dhe duke kapërcyer qasjen skolastike ndaj katekizmit. Në këtë perspektivë, duhen trajtuar me delikatesë dhe vëmendje ata, që shprehin dëshirën për Pagëzim në adoleshencë dhe moshë madhore. Zyrat e Vikariatit përgjegjëse për këtë duhet të punojnë me famullitë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë formimit të vazhdueshëm të katekistëve”.

Baritore, që ofron një praktikë të re

Papa këshillon që Kisha të mos mbetet në përsëritjen e gjërave të vjetra, por të mobilizohet për të zbatuar programe të personalizuara, të vëmendshme ndaj nevojave të individëve, të cilët duhen shoqëruar në udhën e tyre. Ati i Shenjtë e ka veçanërisht për zemër përfshirjen e familjeve dhe të të rinjve, sepse kjo është fusha ku hasen më shumë vështirësi. Duhet menduar një baritore dinamike, që shërben si shkollë e vërtetë e jetës së krishterë, e aftë të "ndikojë në strukturën shoqërore, veçanërisht në shërbimin e më të varfërve dhe më të brishtëve".

“Më duket urgjente të krijohet një baritore solidare, empatike, e kujdesshme, që nuk gjykon e është në gjendje të mirëpresë të gjithë”.

T’i bëhet ballë emergjencës edukative në të gjitha nivelet

Modeli i Papës Leoni XIV supozon vetëdijen se vazhdimi i disa veprimtarive tradicionale për t’i mbajtur gjallë bashkësitë e krishtera nuk është më i mjaftueshëm.

“Ato duhet të bëhen gjenerative: si barku i nënës, që i lind njerëzit në fe e, si zemra, në kërkim të atyre, që e kanë braktisur. Famullitë kanë nevojë për formim dhe aty ku ai mungon, do të ishte e rëndësishme të përfshiheshin kurse biblike dhe liturgjike, pa lënë pas dore çështjet që përkojnë me pasionet e brezave të rinj, por që u interesojnë të gjithëve: drejtësia sociale, paqja, fenomeni i ndërlikuar i migrimit, kujdesi për Krijimin, ushtrimi i qytetarisë, respekti në jetën e çiftit, vuajtjet mendore dhe varësitë, si edhe shumë sfida të tjera”.

Reina: të tronditur nga Lufta Botërore dhe nga vuajtjet e shumta në Romë

Vikari i Përgjithshëm për dioqezën e Romës, kardinali Baldo Reina, e mirëpriti Papën në "katedralen e tij", duke u bërë zëdhënës i një Kishe, që e ndien përgjegjësinë për ta dëshmuar shpresën, veçanërisht në një botë të përgjakur nga konflikte, që trondisin thellë. Në mikrokozmosin e kryeqytetit italian, nuk mungojnë tensionet, që dëshmojnë për pabarazi dhe varfëri në rritje, shtoi kardinali, për vështirësitë e jetës në periferi, për krimin e përhapur, për pakësimin e mundësive për të rinjtë, për shqetësime dhe pamundësinë e marrjes së kujdesit shëndetësor nga ana e më të varfërve. Këto janë situata të ndërlikuara, nënvizoi kardinali, që kërkojnë shoshitje dhe kujdes baritor të frymëzuar nga dashuria e bamirësia e krishterë. Kardinali Reina premtoi se Kisha e Romës do të mbështetet në sugjerimet e Papës, pasi ato denoncojnë gjendje vetmie, që duhen zhdukur, në mënyrë që Kisha të ndihet më e afërt me njerëzit dhe më e aftë për të kuptuar etjen e tyre për marrëdhënie të vërteta.

19 shtator 2025, 19:53