UKRAINE-RUSSIA-CONFLICT-WAR

Leoni XIV: Ukraina, të qëndrojë e fortë në fe, pavarësisht nga drama e luftës

Para përshëndetjeve në italisht, Papa iu drejtua vendit të Evropës Lindore, duke kërkuar ndërmjetësimin e meshtarit Petro Pavlo Oros, vrarë nga urrejtja për fenë e shpallur i lum sot, 27 shtator

R.SH. – Vatikan

“Kërkojmë ndërmjetësimin e këtij të Lumi të ri që të fitojë për popullin e dashur ukrainas forcën për qëndresë në fe e në shpresë, pavarësisht nga tragjedia e luftës”.

Në fund të audiencës së sotme jubilare (27 shtator), Papa Leoni XIV përmendi Ukrainën, e cila është shkatërruar nga lufta që prej tre vitesh. Duke shprehur dhimbjen për humbjen e jetëve njerëzore, të të afërmve dhe të vendeve të më dashura, Papa nxiti të shihet shembulli i atë Petro Pavlo Oros i Eparkisë së Mukaçevës, vrarë në vitin 1953 nga urrejtja për fenë. Sot, më 27 shtator, ai u shpall i Lum nga Kisha në Bilky.

Besnik ndaj Zotit

Para përshëndetjeve në italisht, Papa Leoni XIV kujtoi kontekstin në të cilin meshtari shërbeu, për hir të dashurisë për Zotin.

“Kur Kisha greko-katolike u nxor jashtë ligjit, ai i qëndroi besnik Pasardhësit të Shën Pjetrit dhe, me guxim, vazhdoi të kryente shërbesën e tij në fshehtësi, i vetëdijshëm për rreziqet”.

Riti i lumnimit u kryesua nga kardinali Grzegorz Ryś, kryeipeshkëv i Łódź-t në Poloni dhe përfaqësues i Papës. Peter Oros lindi më 14 korrik 1917, në fshatin Bir të Hungarisë, në një familje nga Transkarpatia (Ukrainë), territori ku babai i tij, Ivani, një prift greko-katolik, ishte dërguar me shërbim. Në moshën nëntë vjeçare, i vdiq e ëma, prandaj, ai u mirëprit nga familja e një prifti tjetër greko-katolik në Ukrainë. Në vitin 1942, u shugurua meshtar i dioqezës së Mukaçevës. E kreu shërbesën në një kohë kur regjimi sovjetik po përpiqej ta shtypte Kishën greko-katolike. Pas vitit 1949, kur u ndaluan veprimtaritë baritore dhe të gjitha vendet greko-katolike të kultit u mbyllën, ai veproi në klandestinitet. Më 27 gusht 1953, u vra nga një agjent i shërbimit sekret në fshatin Zarichchia, para besimtarëve. Më 5 gusht 2022, Papa Françesku nënshkroi dekretin, me të cilin njohu martirizimin e meshtarit.

27 shtator 2025, 12:30