Papa: në Evropë duhet një laicitet i shëndoshë që ruan fenë

Leoni XIV priti sot në audiencë anëtarët e "Grupit të Punës për Dialogun Ndërkulturor dhe Ndërfetar", një organ i Parlamentit Evropian, dhe ripohoi rëndësinë që kanë politikanët me frymëzim të krishterë në promovimin e dialogut duke njohur vlerën e dimensionit fetar dhe "duke ruajtur dallimin – jo ndarjen apo konfuzionin – në lidhje me sferën politike". Dëshmitarë të vlefshëm në këtë drejtim, kujtoi Prevost, kanë qenë Schuman, Adenauer, De Gasperi.

R.SH. - Vatikan

Robert Schuman, Konrad Adenauer dhe Alcide De Gasperi: këta janë disa nga shembujt që Papa Leoni XIV u ofron anëtarëve të Grupit të Punës për Dialogun Ndërkulturor dhe Ndërfetar ("Working Group on Intercultural and Interreligious Dialogue") të pritur sot, më 29 shtator, në audiencë në Vatikan. Është fjala për personalitete që kanë dhënë dëshmi të mirë në promovimin e këtij dialogu që, thekson Papa Leoni XIV, "është një objektiv kualifikues për një politikan me frymëzim të krishterë". Ftesa e Pasardhësit të Pjetrit drejtuar këtij organi - i cili është pjesë e Grupit të Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Parlamentin Evropian dhe që merret gjithashtu edhe me trajtimin e intolerancës dhe konflikteve fetare, me promovimin e kohezionit social dhe mbrojtjen e lirisë së fesë ose besimit si në Evropë ashtu edhe në nivel ndërkombëtar - është që të qëndrojë në këtë traditë.

Për një laicitet të shëndoshë

Në fjalimin e tij, Leoni XIV thekson atë që është një nga parimet themelore të një realiteti a vendi shoqëror demokratik. Dhe, në përgjithësi, theksonelementet që karakterizojnë:

Institucionet evropiane kanë nevojë për njerëz që dinë të jetojnë një laicitet të shëndetshëm, domethënë një stil mendimi dhe veprimi që afirmon vlerën e fesë duke ruajtur dallimin – jo ndarjen apo konfuzionin – në lidhje me sferën politike.

Vlerësimi i marrëdhënieve njerëzore

Religjioni, duke marrë parasysh rrënjën etimologjike të termit që vjen nga latinishtja, i referohet lidhjes. Nga kjo rrjedh se, si në nivel personal ashtu edhe shoqëror, ai merr një vlerë thelbësore. Papa e sqaron këtë duke saktësuar se bëhet fjalë për një arritje që duhet të merret parasysh mirë nga ata që janë të angazhuar për të favorizuar dialogun ndërfetar:

Prandaj, dimensioni fetar, kur është autentik dhe i kultivuar mirë, i jep cilësi marrëdhënieve ndërpersonale dhe ndihmon shumë në formimin e njerëzve për të jetuar në komunitet dhe në shoqëri. Dhe sa e rëndësishme është sot t'u japim vlerë dhe kuptim marrëdhënieve njerëzore!

Në qendër dinjiteti i personit

Në një botë ku dinjiteti i personit njerëzor shkelet në shumë vende të botës, Papa Leoni XIV e vendos atë në qendër duke i nxitur promovuesit e dialogut ta mbrojnë dinjitetin e çdo njeriu:

Të jesh burra dhe gra të dialogut do të thotë të mbetesh i rrënjosur mirë në Ungjill dhe në vlerat që rrjedhin prej tij dhe, në të njëjtën kohë, të kultivosh hapjen, dëgjimin, krahasimin me ata që vijnë nga frymëzime të tjera, duke vendosur gjithmonë në qendër personin njerëzor, dinjitetin e tij dhe përbërjen e tij relacionale dhe komunitare.

29 shtator 2025, 10:47