Papa Leoni me shtegtarët në audiencën për Jubileun e Drejtësisë (@Vatican Media Papa Leoni me shtegtarët në audiencën për Jubileun e Drejtësisë (@Vatican Media

Papa: kushte çnjerëzore për shumë popuj, një shtet pa drejtësi nuk është shtet

Leoni XIV takon në Sheshin e Vatikanit pjesëmarrësit e Jubileut të operatorëve të drejtësisë dhe bënë thirrje të fortë për të vendosur drejtësinë në themel të shoqërisë, për të promovuar të mirën e përbashkët dhe për të mbrojtur më të dobëtit në një botë të goditur nga tensione, dhunë dhe pabarazi. Drejtësia, thekson Ati i Shenjtë, "të vihet në shërbim të njerëzve, të popullit dhe të shtetit, në një përkushtim të plotë dhe të vazhdueshëm". E keqja nuk duhet "vetëm sanksionuar, por edhe riparuar"

R.SH. / Vatikan

Të kesh "uri dhe etje" për drejtësi, siç rekomandon Ungjilli, "është e barabartë me të qenit të vetëdijshëm se drejtësia kërkon përpjekje personale për të interpretuar ligjin në masën më njerëzore të mundshme". Këtë e kujtoi Papa Leoni duke takuar sot paradite në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan mijëra operatorë gjyqësorë nga vende të shumta, i pranishëm ministri italian i drejtësisë Carlo Nordio që drejtonte delegacionin italian. Bëhet fjalë, shpjegoi Papa, për një dëshirë "që mund të gjejë përmbushje vetëm në një drejtësi më të madhe, që tejkalon situatat e veçanta". Nga këtu ftesa e Papës për të "reflektuar edhe mbi një aspekt të drejtësisë që shpesh nuk fokusohet mjaftueshëm: pra mbi realitetin e shumë vendeve dhe popujve që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse kushtet e tyre të jetesës janë aq të padrejta dhe çnjerëzore saqë janë të papranueshme".

Sipas Papës Prevost, pra, në panoramën aktuale ndërkombëtare duhet të aplikohen ato që ai i konsideron "vendime përherë të vlefshme", çka do të thotë se "pa drejtësi nuk mund të administrohet shteti; është e pamundur të kesh të drejtë në një Shtet ku nuk ka drejtësi të vërtetë. Akti që kryhet sipas ligjit kryhet sigurisht sipas drejtësisë dhe është e pamundur të kryhet sipas ligjit akti që kryhet kundër drejtësisë". Në këtë kontekst, Papa Leoni theksoi se "shteti, në të cilin nuk ka drejtësi, nuk është një shtet. Drejtësia në fakt është virtyti që i ndan secilit atë që i takon" dhe duhet ushtruar "me shikimin drejt Zotit, në mënyrë që të respektohet plotësisht drejtësia, e drejta dhe dinjiteti i personave".

"Për besimtarin – nënvizoi Papa Prevost – drejtësia na nxit të respektojmë të drejtat e secilit dhe të vendosim në marrëdhëniet njerëzore harmoninë që promovon barazinë ndaj personave dhe të mirën e përbashkët". Një objektiv, tha Leoni XIV, "që bëhet garant i një rendi për mbrojtjen e të dobëtit, të atij që kërkon drejtësi sepse është viktimë e shtypjes, i përjashtuar apo i injoruar".

Në fjalimin e tij, në këtë drejtim, Papa citoi shumë episode ungjillore në të cilat veprimi njerëzor vlerësohet nga një drejtësi e aftë të mposhtë të keqen e abuzimit, siç kujton këmbëngulja e vejushës që e shtyn gjyqtarin të rizbulojë kuptimin e drejtësisë. Por edhe një drejtësi më e lartë që paguan punëtorin e orës së fundit si atë që punon gjithë ditën; ose ajo që e bën mëshirën çelësin e interpretimit të marrëdhënies dhe nxit të falësh duke mirëpritur djalin që ishte humbur dhe është rigjetur, ose akoma më shumë kur thotë të falësh jo shtatë herë, por shtatëdhjetë herë shtatë. Është forca e faljes që është thelbi i urdhërit të dashurisë që shfaqet si element përbërës i një drejtësie të aftë të bashkojë të mbinatyrshmen me njerëzoren".

Drejtësia ungjillore, pra, përfundoi Papa, "nuk shmanget nga ajo njerëzore, por e pyet dhe e ridizenjon: e provokon të shkojë gjithmonë më tej, sepse e shtyn drejt kërkimit të pajtimit. E keqja, në fakt, nuk duhet vetëm sanksionuar, por edhe riparuar, dhe për këtë qëllim është i nevojshëm një vështrim i thellë drejt të mirës së personave dhe të mirës së përbashkët. Detyrë e vështirë, por jo e pamundur për atë që, i vetëdijshëm se kryen një shërbim më kërkues se të tjerët, angazhohet të mbajë një mënyrë jetese të paqortueshme".

20 shtator 2025, 17:12