Papa: pranë atyre që vuajnë, në lutje për paqen me murgeshat në Tokën Shenjte
R.SH. – Vatikan
Jetët e Regina Protmann, Maria Gertrude e Gjakut të Çmuar, Marie-Anne de Tilly dhe Shën Terezës së Avilës janë histori "grash të forta dhe të guximshme". Ato janë gra, "që nuk hezituan të përballonin rreziqe dhe vështirësi për të përqafuar" "planet" e Zotit, duke iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së Tij dhe duke hapur udhën për shumë të tjera, të cilat, "nganjëherë, arritën deri në martirizim" për të ndjekur Krishtin. Papa Leoni XVI ua theksoi këtë familjeve rregulltare, që ato themeluan – motrave rregulltare të Shën Katerinës - Virgjër e Martire, salezianeve të Zojës së Papërlyer, motrave të Shën Palit të Chartres dhe karmelitaneve të zbathura të Tokës Shenjte - të cilat u pritën sot, më 22 shtator, në audiencë, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik, me rastin e kapitujve dhe të asambleve të tyre të përgjithshme. Pasi u ndal tek themelueset e kongregatave femërore, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek ngjarjet aktuale ndërkombëtare dhe tek impenjimi i karmelitaneve të zbathura të Tokës Shenjte në ndihmë të njerëzve në situata të vështira.
“Është e rëndësishme gjithçka po bëni, me praninë tuaj vigjilente dhe të heshtur në vendet, që fatkeqësisht, janë shkatërruar nga urrejtja dhe dhuna, me dëshminë tuaj të lëshimit plot besim në duart e Zotit, me lutjet e vazhdueshme për paqen. Ne të gjithë ju shoqërojmë me lutjet tona e, edhe nëpërmjet jush, bëhemi të afërt me ata, që vuajnë”.
"Gra bujare"
Papa kujton se Regina Protmann, Maria Gertrude e Gjakut të Çmuar, Marie-Anne de Tilly dhe Shën Tereza e Avilës ishin gra "të bashkuara ngushtë me Zotin", të përkushtuara "për të mirën e gjithë Kishës, të impenjuara për të rrënjosur dhe për të konsoliduar" tek të tjerët e në të gjithë botën, "mbretërinë e Krishtit", që, para së gjithash, e ndienin të gjallë brenda vetes. Janë "gra bujare", për të cilat ka nevojë edhe sot.
“Po flasim për gra të jashtëzakonshme, që u nisën për mision në kohë të vështira; që u përkulën mbi mjerimin moral dhe material në ambientet më të lëna pas dore në shoqëri; që, për t’u qëndruar pranë nevojtarëve, pranuan të vinin në rrezik jetën, deri duke e humbur atë, viktima të dhunës brutale në kohë lufte”.
Forca e besnikërisë është Krishti
Papa përmend "një himn të lashtë nga Liturgjia e Orëve" për të shpjeguar "sekretin" e themelueseve, i cili qëndron në "përmbajtjen përmes agjërimit", në "lartimin e mendjes përmes ushqimit të ëmbël të lutjes" dhe në "shuajtjen e etjes me gëzimet e qiellit". Këto janë sjellje, që na kthejnë te "rrënjët" e jetës së shuguruar, "si në kundrimin, ashtu edhe në impenjimin apostolik". Në të dyja format, "forca e besnikërisë" vjen nga "Krishti" dhe "asketizmi, lutja, Sakramentet, intimiteti me Zotin" dhe "me Fjalën e Tij" nuk janë tjetër, veçse "mjete për të mësuar nga trashëgima e Tij".
“Shërbëtorë të padobishëm”
Në botën e sotme, rregullat e jetës së shuguruar mund të duken si “spiritualizëm”, por dëshmia e dhënë nga kongregatat rregulltare tregon se gjithçka është e mundur “vetëm falë forcës, që vjen nga Zoti”.
“E eksperimentojmë këtë çdo ditë: puna jonë është në duart e Zotit dhe ne jemi thjesht mjete të vogla e të pamjaftueshme, “shërbëtorë të padobishëm”, siç thotë Ungjilli. Megjithatë, nëse ia besojmë veten Atij, nëse qëndrojmë të bashkuar me Të, ndodhin gjëra të mëdha, pikërisht përmes varfërisë sonë. Në këtë drejtim, Shën Augustini i këshillonte virgjërat: “Ngjituni drejt lartësive me këmbën e përvujtërisë. [Zoti] i larton ata, që e ndjekin me përvujtëri... Besojani Atij dhuratat që ju ka dhënë, në mënyrë që Ai t’i ruajë ato për ju; vendoseni forcën tuaj tek Ai”.
Ashtu si dishepujt, pas përvojës së tyre në Malin Tabor
Duke theksuar, së fundi, tiparet e jetës rregulltare, Papa citon Nxitjen Apostolike “Vita Consecrata” të shën Gjon Palit II, e cila, "në sfondin e Shndërrimit të Krishtit, fliste për 'një ngjitje në mal' dhe për një 'zbritje nga mali'", sipas përvojës së apostujve në Malin Tabor, "të mbështjellë për një çast nga shkëlqimi i jetës trinitare dhe i bashkimit të shenjtorëve, gati në horizontin e amshimit", por, "të rikthyer, më pas, në realitetin e përditshëm" dhe "të ftuar të kthehen tatëpjetë malit", për të jetuar me Jezusin "planin e Hyjit dhe për të ndërmarrë me guxim udhën e kryqit". Kështu veprojnë sot edhe shumë motra rregulltare, të cilat Papa i falënderon "për të mirën, që bëjnë në kaq shumë vende të botës dhe në kaq shumë kontekste të ndryshme", duke i siguruar për lutjet e tij.
