2025.09.09 il cardinale George Jacob Koovakad in Bangladesh per l’incontro Promoting a Culture of Harmony

Papa: paqja është ëndrra më e dashur, ta arrijmë me dialog të frytshëm

Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në takimin ndërfetar "Promovimi i një Kulture Harmonie", që po mbahet aktualisht në Bangladesh, Leoni XIV i nxit të jenë "si kopshtarë", që kujdesen për arën e vëllazërimit, duke çrrënjosur "barërat e këqija të paragjykimeve". Në takimin e organizuar nga nunciatura apostolike dhe nga Konferenca Ipeshkvnore e Bangladeshit, merr pjesë prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, kardinali Koovakad, i cili mbajti një fjalim në Krishibid Institution Bangladesh

R.SH. – Vatikan

Dialogu gjen shprehjen e tij më të prekshme në "ëndrrën tonë më të dashur": paqen. Arritja e saj është udhëtim i përbashkët, si në "një familje", me përkushtimin e "kopshtarëve", që kujdesen për "arën e vëllazërimit", duke ushqyer bashkëpunimin dhe duke çrrënjosur "barërat e këqija të paragjykimeve". Ky është thelbi i mesazhit të Papës Leoni XIV, dërguar sot pjesëmarrësve të takimit ndërfetar "Promovimi i një Kulture Harmonie", që po mbahet në Bangladesh nga 6 deri më 12 shtator, i organizuar nga nunciatura apostolike dhe Konferenca Ipeshkvnore Katolike. Mesazhi i Papës u lexua nga prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, kardinali George Jacob Koovakad, i cili ndodhet në Bangladesh për të marrë pjesë në takim.

Një bashkësi e vetme

"Dua t'ju uroj të gjithëve paqen, që mund të vijë vetëm nga Zoti, një paqe që është e çarmatosur dhe çarmatosëse, e përvuajtur dhe këmbëngulëse, që kërkon gjithmonë dashurinë, duke u qëndruar pranë atyre që vuajnë": këto janë fjalët e para të Papës në dokument, me të cilin lavdëron organizatorët për zgjedhjen e temës së takimit, që pasqyron "frymën e vëllazërimit …me anëtarët e traditave të tjera fetare". Diçka, që rrënjoset në bindjen se njerëzimi është "një bashkësi e vetme”, me të njëjtën origjinë dhe fat, të përcaktuar nga Zoti, siç kujtohet në Deklaratën e Koncilit II të Vatikanit mbi marrëdhëniet e Kishës me fetë jo-të krishtera, Nostra Aetate. “Si një familje e vetme – shkruan Papa – kemi së bashku mundësinë dhe përgjegjësinë për të vazhduar të ushqejmë një kulturë harmonie dhe paqeje”.

Ta kultivojmë dialogun "si kopshtarët"

Koncepti i kulturës, shkruan Leoni XIV, duhet marrë në kuptimin më të gjerë: jo vetëm si "trashëgimi artesh, idesh dhe institucionesh", por edhe si "ambient", që nxit zhvillimin e njeriut. Ashtu si një ekosistem i shëndetshëm lejon që bimë të ndryshme të lulëzojnë krah për krah, një kulturë e shëndetshme shoqërore lejon që bashkësi të ndryshme të bashkëjetojnë në harmoni. Kultivimi i kësaj kulture do të thotë t’i sigurosh asaj "dritën e së vërtetës, ujin e bamirësisë dhe tokën e lirisë e të drejtësisë". Kur nuk respektohet harmonia, zënë rrënjë dyshimet e stereotipet dhe ekstremistët e shfrytëzojnë këtë për të mbjellë përçarje. “Së bashku, shokë në dialogun ndërfetar - vëren Papa - ne jemi si kopshtarë, që kujdesen për arën e vëllazërimit, duke e ndihmuar dialogun të prodhojë fryte dhe duke çrrënjosur barërat e këqija të paragjykimeve”.

Të mbjellim besimin, të punojmë për mirëkuptimin

Ati i Shenjtë thekson se dallimet ndërmjet feve, ose origjina e ndryshme, nuk duhet t'i ndajnë kurrë njerëzit. Përkundrazi, takimet miqësore dhe dialogu janë mjete konkrete për t'iu kundërvënë forcave të përçarjes, urrejtjes dhe dhunës. “Aty ku të tjerët kanë mbjellë mosbesim, ne zgjedhim besimin; aty ku të tjerët mund të nxisin frikën, ne punojmë për mirëkuptim; aty ku të tjerët i shohin dallimet si pengesa, ne i pranojmë ato si udhë pasurimi të ndërsjellë”, vë në dukje Papa.

Fjalimi i kardinalit Koovakad
Fjalimi i kardinalit Koovakad

Ta arrijmë paqen së bashku

Krijimi i një kulture harmonie do të thotë të ndash me të tjerët përvoja konkrete e jo vetëm ide. Siç na kujton Shën Jakobi, "feja që është e pastër dhe e paqortueshme para Zotit... konsiston në vizitën tek jetimët e vejushat, në vuajtjet e tyre". Bangladeshi, vëren Papa, ka parë shumë shembuj konkretë uniteti: njerëz të feve të ndryshme kanë bashkëpunuar dhe janë lutur së bashku gjatë fatkeqësive dhe tragjedive, duke ndërtuar ura ndërmjet bashkësive, ndërmjet teorisë e praktikës dhe ndërmjet feve të ndryshme. “Kur dialogu shndërrohet në veprime konkrete, jep një mesazh të fuqishëm: paqja, jo konflikti, është ëndrra jonë më e dashur dhe ndërtimi i saj është detyrë, që e realizojmë së bashku”, thekson Leoni XIV.

Gurët ndërtues të "qytetërimit të dashurisë"

Papa përfundon duke siguruar impenjimin e Kishës Katolike për ta ndjekur këtë rrugë së bashku me bashkësitë vendase. Çdo gjest dialogu - nga diskutimet në grup te projektet e përbashkëta e te aktet e vogla të mirësisë ndaj një fqinji të një feje tjetër - janë "gurë ndërtues" të asaj, që Shën Gjon Pali II e quajti "qytetërimi i dashurisë". Së fundi, Ati i Shenjtë u uron të gjithëve paqe, harmoni dhe vëllazërim, jo vetëm për Bangladeshin, por për të gjithë botën.

Fjalimi i kardinalit Koovakad

Në fjalimin e tij, kardinali Koovakad përmendi Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor të nënshkruar në Abu Dabi më 4 shkurt 2019, nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i al-Azharit, Ahmad al-Tayyeb. Në Institutin Krishibid të Bangladeshit, kardinali theksoi se ky Dokument i bën thirrje njerëzimit të bashkojë forcat për të ndërtuar një kulturë respekti të ndërsjellë, duke denoncuar humbjen e empatisë dhe të dhembshurisë, përhapjen e korrupsionit dhe të pandershmërisë, me pasojë dobësimin e besimit në popull. Ky është terren, që çon në "dëshpërim" dhe në ekstremizëm fetar, me rrezikun e “rënies në fundamentalizëm”. Për ta luftuar këtë prirje, nënvizoi kardinali, duhet promovuar një "kulture tolerance", me bindjen se fetë "nuk duhet të jenë kurrë burim lufte, urrejtjeje, armiqësie dhe ekstremizmi". Koovakad ngriti zërin kundër përpjekjeve për t’ua ndryshuar njerëzve fenë e të parëve, duke vënë në dukje se dialogu është dëgjim, respekt dhe pasurim nga të tjerët.

09 shtator 2025, 13:26