Leoni XIV: Gaza nuk ka të ardhme me dhunë, mërgim të detyruar dhe hakmarrje
R.SH. – Vatikan
Pamjet e palestinezëve, që ikin nga Qyteti i Gazës me makina, kamionë, karroca të improvizuara e, madje, edhe në këmbë, duke zbatuar urdhrin e evakuimit të ushtrisë izraelite, janë në sytë e në zemrën e Papës Leoni XIV. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj të diele, ai iu drejtua përfaqësuesve të disa shoqatave katolike të impenjuara në solidaritetin me popullin e Rripit të Gazës, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë vlerësoi nismat e tyre "dhe të shumë të tjerave në të gjithë Kishën, që shprehin afërsinë me motrat dhe vëllezërit, të cilët vuajnë në atë tokë të martirizuar".
“Me ju dhe me barinjtë e Kishave në Tokën e Shenjtë, përsëris: nuk ka të ardhme të bazuar në dhunë, mërgim të detyruar, ose hakmarrje. Popujt kanë nevojë për paqe: kush i do me të vërtetë, punon për paqen”.
Mbrëmje lutjeje, më 22 shtator, në Romë
Ndër nismat, spikat ajo e Bashkësisë së Shën Egjidit. Së bashku me organizata dhe shoqata të tjera katolike italiane, po organizon një mbrëmje lutjeje për paqen, të hënën, më 22 shtator, në orën 19.30, në sheshin e Shën Marisë në Trastevere, në Romë. Lutja do të udhëhiqet nga kardinali Gualtiero Bassetti, ish-kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI). Është planifikuar një lidhje video me Patriarkun Latin të Jerusalemit, kardinalin Pierbattista Pizzaballa.
Përshëndetja për shtegtarët dioqezanë dhe për meshtarët jezuitë
Papa përshëndeti shtegtarët nga dioqeza e Mindelos, Kepi i Gjelbër, si edhe grupet nga Angola, Polonia, Spanja, Portugalia dhe Tanzania. Pastaj, u kushtoi një mendim edhe meshtarëve të Shoqërisë së Jezusit, që po fillojnë një kurs studimi në Romë dhe Shoqërisë së Shën Vinçenc de’ Paolit. Së fundi, përshëndeti besimtarët italianë nga dioqeza të ndryshme.
Homazh i veçantë për të sëmurët nga Alzheimeri dhe Ataksia
Me rastin e Ditës Botërore të Alzheimerit, që u kremtua sot, Papa u kushtoi një homazh të veçantë të prekurve nga kjo sëmundje, së bashku me ata, që vuajnë nga Ataksia. Dita Botërore e Ataksisë kremtohet më 25 shtator.
