Papa: njohja e Palestinës ndihmon, por dialogu është ndërprerë

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, dje në mbrëmje, para se të largohej nga Castel Gandolfo për t'u kthyer në Vatikan, Leoni XIV thekson se "Selia e Shenjtë e ka njohur zgjidhjen me dy shtete prej shumë vitesh", dhe se "duhet kërkuar një mënyrë për të respektuar të gjithë popujt". Në Evropë "dikush po kërkon një përshkallëzim", e "është çdo herë më i rrezikshëm" thotë Papa, i cili këmbëngul për "nevojën për t’i ulur armët"

R.SH. / Vatikan

Dje rreth orës 21:00 kur Leoni XIV kalon portën e rezidencës papnore, në Castel Gandolfo, ku mbërriti pardje, dhe para se të nisej për t'u kthyer në Vatikan ndalon për të folur me gazetarët që e prisnin që nga pasditja. Papa nuk u shmanget pyetjeve të kronistëve dhe i pyetur për çështjen palestineze thekson se "Selia e Shenjtë e ka njohur zgjidhjen me dy shtete prej shumë vitesh", se "duhet kërkuar një mënyrë për të respektuar të gjithë popujt" dhe se njohja e Shtetit të Palestinës "mund të ndihmonte, por në këtë moment vërtet nuk gjendet nga ana tjetër vullnet për të dëgjuar, prandaj dialogu në këtë moment është ndërprerë". Sa i përket Gazës, Papa tregon se ka kontaktuar me famullinë e Familjes së Shenjtë këtë pasdite: "Falë Zotit në famulli janë mirë", por sulmet "janë pak më afër".

Një Evropë e bashkuar mund të bënte shumë

Lidhur me Evropën dhe inkursionet e Rusisë, për Leonin "dikush po kërkon një përshkallëzim, dhe çdo herë në mënyrë më të rrezikshme". Ati i Shenjtë thekson sërish "nevojën për t’i ulur armët", për të "ndaluar avancimet ushtarake" dhe për t'u afruar "në tryezën e dialogut", duke shtuar se "nëse Evropa do të ishte vërtet e bashkuar mund të bënte shumë".

Sa i përket riarmatimit, Papa pranon se bëhet fjalë për "çështje politike edhe për shkak të presioneve nga jashtë Evropës" mbi të cilat është "më mirë të mos komentohet". Së fundi, për veprimin diplomatik të Selisë së Shenjtë, Papa shpjegon: "vazhdimisht flasim me ambasadorët, po kërkojmë një zgjidhje edhe me krerët e shteteve, kur vijnë". Me disa prej tyre, përfundon Papa, ka pasur bisedime për këto çështje.

24 shtator 2025, 10:11