2025.09.25 Collegio degli Scrittori de "La Civiltà Cattolica"

Papa për "La Civiltà Cattolica": kapni vështrimin e Krishtit mbi botën

Në audiencën e tij me gazetarët e revistës së jezuitëve, Leoni XIV u përqendrua në rolin e komunikimit në shoqërinë e sotme të ndërlikuar, duke theksuar impenjimin për edukimin e lexuesve, në mënyrë që ata të jenë më të vetëdijshëm si ta ndryshojnë botën. Papa i këshilloi të bëhen zëri i të varfërve dhe të kumtojnë shpresën, sepse gazetaria e mirë përkon me Ungjillin

R.SH. – Vatikan

“Ky është misioni juaj: të kapni vështrimin e Krishtit mbi botën, ta kultivoni atë, ta komunikoni atë, të dëshmoni për të”.

Papa Leoni XIV u tregon rrugën anëtarëve të Kolegjit të Shkrimtarëve dhe Bashkëpunëtorëve të revistës "La Civiltà Cattolica", të cilët i priti sot paradite, më 25 shtator, në Vatikan. Në fakt, këtë vit kremtohet 175-vjetori i revistës së jezuitëve, themeluar nga atë Carlo Maria Curci, e cila, theksoi Papa, i ka ofruar një "shërbim besnik dhe bujar" Selisë Apostolike, duke e bërë "Kishën të pranishme në botën e kulturës, në harmoni me mësimet e Papës dhe me orientimet e Selisë së Shenjtë".

"Një dritare mbi botën"

Leoni XIV kujtoi se “Civiltà Cattolica” është quajtur "dritare mbi botën", duke pasur parasysh aftësinë e saj unike për interpretimin e aktualitetit, "pa pasur frikë të përballet me sfidat dhe kontradiktat e tij". Më pas, Ati i Shenjtë përmendi tri fusha për reflektim: e para ka të bëjë me edukimin "për një impenjim inteligjent dhe proaktiv në botë".

  (@Vatican Media)

Kontributi në krijimin e një bote më të drejtë

Gjithçka shkruhet në revistë, i ndihmon lexuesit "ta kuptojnë më mirë shoqërinë e ndërlikuar në të cilën jetojmë", pohoi Papa, "duke vlerësuar pikat e forta dhe të dobëta të saj, në kërkim të atyre 'shenjave të kohërave' për të cilat Koncili II i Vatikanit na bëri thirrje të kemi kujdes". Ky kontribut për të kuptuar shoqërinë çon edhe në ndihmën e botës politike për çështje si "barazia shoqërore, familja, arsimi, sfidat e reja teknologjike dhe paqja".

“Me artikujt tuaj, ju mund t'u ofroni lexuesve mjete interpretimi dhe kritere të dobishme për veprim, në mënyrë që të gjithë të mund të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më vëllazërore, në vërtetësi dhe liri”.

Ungjilli i bamirësisë dhe i paqes

Duke cituar Shën Gjon Palin II dhe takimin e tij të prillit 1994 me revistën “La Civiltà Cattolica”, Papa kujtoi fjalët e paraardhësit të tij, i cili theksonte rëndësinë e zgjerimit, të përhapjes dhe të kumtimit të "Ungjillit të bamirësisë e të paqes, duke promovuar drejtësinë, frymën e vëllazërimit dhe vetëdijen për fatin e përbashkët të njerëzimit, premisa të domosdoshme për ndërtimin e paqes së vërtetë ndërmjet popujve".

  (@VATICAN MEDIA)

Zëri i të varfërve

Impenjimi tjetër, që u sugjeroi Papa gazetarëve është të "bëhen zëri i më të varfërve dhe i më të përjashtuarve", "aspekt themelor ky, i jetës dhe i misionit të çdo të krishteri", që kërkon "një aftësi të madhe dhe të përvuajtur për të dëgjuar, për t’u qëndruar afër atyre që vuajnë", duke parë tek më të brishtët "britmën e heshtur të të Kryqëzuarit".

“Vetëm në këtë mënyrë është e mundur të bëhemi jehonë besnike dhe profetike e zërave të nevojtarëve, duke thyer çdo cikël izolimi, vetmie dhe heshtimi”.

Lajmëtarë shprese

Këshilla e fundit e Papës ka të bëjë me nevojën për të kapërcyer indiferencën, mungesën e ndjeshmërisë ndaj të tjerëve dhe zhgënjimin e atyre, që nuk shohin të ardhme. Rruga është ajo e shpresës, e përfaqësuar nga dashuria e Krishtit, në sigurinë se jeta personale dhe historia në tërësi janë të mbrojtura pikërisht nga “pushteti i pathyeshëm i Dashurisë", siç pohonte Benedikti XVI, pushtet që shkon përtej dështimeve e mugesës së suksesit. Kjo ka vlerë, theksoi Papa, sidomos në "një botë që mbyllet gjithnjë e më shumë në vetvete".

“Në Krishtin dhe me Krishtin, nuk ka më rrugë pa krye në udhën tonë, as realitete që, sado të ashpra dhe të ndërlikuara, mund të na ndalojnë dhe të na pengojnë t’i duam Zotin dhe vëllezërit me besim”.

  (@VATICAN MEDIA)

Gazetaria e mirë i ka rrënjët në Ungjill

Duke cituar Papën Françesku, Leoni XIV kujtoi vërejtjet e tij mbi rëndësinë e gëzimit në punë, "përmes gazetarisë së mirë, e cila nuk mban anën e askujt, përveçse asaj të Ungjillit, duke i dëgjuar të gjitha zërat dhe duke mishëruar atë butësi, që i bën mirë zemrës". Së fundi, Ati i Shenjtë vuri në dukje se një revistë është katolike "vetëm nëse ka vështrimin e Krishtit mbi botën dhe nëse e transmeton dhe e dëshmon atë".

25 shtator 2025, 12:47